Letërsi

Shkrimtari që parajsën e përfytyronte si bibliotekë-Nga Vangjush Ziko

Shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges (1899-1986) është cilësuar si shkrimtari më i guximshëm dhe më avangardist i shekullit XX, është njëri nga ata, që shënoi një kthesë në letërsinë botërore bashkëkohore.

Novatorizmi i tij ka të bëjë me një qasje të re ndaj procesit krijues letrar. Një njohës i thellë i letërsisë dhe kulturës botërore, i traditave dhe fiseve të ndryshme, njohës i filozofisë, feve të botës dhe kabalistikës, punoi tërë jetën e vet si bibliotekar dhe drejtor i bibliotekës së Buenos Aires-it gjer në çastet kur humbi plotësisht shikimin e tij. Dashuria e tij për librin, e trashëguar nga i ati shkrimtar, e kishte bërë atë, siç thotë vetë, që Parajsën ta pëfytyronnte si një Bibliotekë.
Pasioni dhe vullneti i tij krijues, që nënkuptonte një gamë të madhe mendimesh dhe idesh, ishin ajo çka e shtynë atë drejt një vrulli dhe horizonti filozofik enciklopedik dhe drejt librit botëror, librit në Perëndim dhe në Lindje, në Jug dhe në Veri. Ishte ky filli i Arianës që e çoi në hamendësimet dhe meditimet në hapësirë dhe në kohë, që të bashkojë, të lidhë të ardhmen me të shkuarën, të shënojë udhën e një drejtimi të ri letrar.

Ai ka mendimin se letërsia është një vazhdimësi. Mendim të cilin e kanë shprehur që më përpara shkrimtarë dhe studiues të tjerë si, për shembull, poeti angles Shelli që në vitin 1821, se të gjitha vargjet e së shkuarës, të së sotmes dhe të së ardhmes janë episode ose fragmente të një poezie pa fund, që i përket të gjithë poetëve të botës.
Ai mbështet mendimin se të gjithë librat në botë janë shkruar nga një dorë, se ato sikur përbëjnë një përmbledhje veprash të një autori shtegtar të kudondodhur, se çdo gjë është thënë dhe vetëm duhet rithënë në një mënyrë të re për kohën.
Shkrimtari i trilluar prej tij, Per Menar përpiqet të rishkruajë “Don Kishotin”. Këtë vepër ai e përcaktoi si diçka midis esesë dhe “tregimit të vërtetë”. Tekstet përputhen me veprën e Servantesit, por mendimet që ato shprehin, pohon Borgesi, janë krejtësisht të ndryshme. Rreth këtij paradoksi është ndërtuar i gjithë rrëfimi. Për Borgesin kjo ishte një lojë e mendjes, një farë zbavitjeje.
Kjo vepër, të cilën Borgesi e shkroi në vitin 1938 në qilaret e arshivës së bibliotekës, ku zbriste dhe shkruante shkrimet e tij, u bë tharmi i lindjes së një drejtimi të ri letrar, që u bë sundues gjatë shekullit XX dhe i dha Borgesit famë botërore.
Vaprat e Borgesit na përshkruajnë një “realitet virtual”. Borgesi trillimet e tij ia atribuon realitetit të zakonshëm sipas një principi të caktuar.

Në vëllimin “Ari i tigrave” (1972) Borgesi boton novelën “Katër cikle”. Ideja e kësaj novele është e thjeshtë. Cikli i parë na flet për përforcimin e qytetit i cili sulmohet dhe mbrohet nga heronjtë. I dyti na flet për kthimin. I treti, për kërkimin. I katërti për vetëvrasjen e Perëndisë.
Në fund të novelës Borgesi shkruan: “Janë gjithsej katër histori. Dhe, sado kohë që të na mbetet, ne do do t'i ritregojmë ato, në një mënyrë apo në një tjetër”.

Le të kujtojmë dy shprehje të vjetra: “Çdo dituri nuk është gjë tjetër, veç se kujtim” (Platoni) dhe “Çdo gjë e re është një e vjetër e harruar”. 
Në thelb, kjo është ideologjia e “transpozicionimi” në teknologjinë e punës së shkrimtarit. Dhe, pikërisht, ky transpozicionim, mund të quhet zbulimi kryesor dhe epokal i Borgesit.
Principi i lojës që ai e përforcoi me krijimtarinë e tij në shekullin e XX-të e çoi në përfundimin se kategoritë ontologjike (vdekja, jeta) dhe epistimologjike (hapësira, koha, numëri) shndërrohen në simbole, të cilat mund të trajtohen po aq lirisht sikurse dhe figurat letrare ose shenjat kulturore (kryqi, rrota, pasqyra, ëndrra, rrethi, sfera, rasti, llotaria etj.)

Borgesi shpiku “makinën shkruese”, gjeneratorin e teksteve që punon pa pushim, i cili prodhon tekste të reja nga tekstet e vjetra dhe në këtë mënyrë ruan letërsinë nga vdekja. 
Ai shkruan: “Makina llogjike, si instrument i kërkimit filozofik, është një absurditet. Megjithatë, ajo nuk do të ishte absurditet si instrument i krijimtarisë letrare dhe poetike”.
Për Borgesin nuk ekziston antiteza “reale/jo reale”. 
Në krijimtarinë e tij ai udhëhiqet nga qasja strukturaliste.
Ky parim ka të bëjë me plotësimin e realitetit brenda caqeve logjike. Ai paraprakisht në mënyrë deduktive, pohon se disa parametra, të cilët në jetën tonë nuk janë të realizueshme dhe në bazë të tyre ndërton realitein virtual, duke gërshetuar realen dhe imagjinaren për t'i zgjeruar kufijtë e perceptimit të pasqyrimit fizik dhe metafizik.

Kështu Borgesi na përshkruan në tekstin e tij “Biblioteka e Babilonisë”, një bibliotekë e cila përmban të gjitha librat e mundshëm, duke përfshirë “historinë e detajuar të së ardhmes, autobiografitë kryeëngjëjve, katallogun e besueshëm të Bibliotekës, mijëra e mijëra katallogë fallco, Ungjillin gnoseologjik të Vasilidhës,, komentet për këtë, komentet e komenteve të këtij Ungjilli, një tregim të vërtetë për vdekjen personale, përkthimin e secilit libër në të gjitha gjuhët, traktati i cili mund të shkruhej (por nuk u shkrua) nga Fatkeqësia, sipas mitologjisë saksone, veprat e humbura të Tacitit”.
Nga njëra anë kjo është një fantazi, nga ana tjetër ai na sjell modele të nxjerra nga rezervuari i përgjithshëm kulturor.
Borgesi jetoi tërë jetën në botën e librave dhe të teksteve duke e ndjerë veten një “personazh” të librave që ai shkruante.
Pa dyshim, që Borgesi nuk është një autor i lehtë, por vizioni i tij është një vizion avangardist.

Ai e ka shprehur qartë vizionin e tij krijues. 
“Kur shkruaj, nënvizon ai, nuk mendoj për lexuesin (në fund të fundit, lexuesi është një karakter imagjinar), as për veten time (ndoshta edhe unë vetë jam një personazh imagjinar), gradualisht kam ardhur në përfundimin se unë besoj vetëm në një iluzion. Në fund të fundit, fjalët janë vetëm simbole për kujtimet e përbashkëta. Nëse e përdor fjalën, lexuesi duhet të ketë përvojën e duhur për ta kuptuar atë. Nëse jo, fjala nuk do të thotë asgjë për të”.