Letërsi

Personazhi im i ri - Nga Albana Lifschin

Herën e fundit kur u takova me mjekun e familjes iu ankova që diabeti më kishte lëshuar në një apati që më nervozonte. Ajo nuk isha unë dhe duhej t’i ikja pa tjetër asaj gjendjeje. Mjeku më shtoi metaforminën dhe më pyeti nëse do e konsideroja një konsultim me psikologun. Hapa sytë. Me psikologun?!

-Thjesht, po ju them sepse një kohë e gjatë me diabet shpesh shkakton edhe rënie të humorit e jo rallë deri edhe depresion.
Depresion? Këtë s’e kisha menduar asnjëherë. Gjithnjë aktive nga natyra, puna, librat, e shkruara pothuaj e përditshme. Ku kisha koha unë të bija në depresion.
“Ti e ke pasur kureshtje të takoje një psikolog? Apo jo? Më kujtohet me sa vëmendje i ndiqje seancat e Tonit me psikologen e vet tek “Sopranot”? M'u ndez llambushka e kujtesës.
Psikologët duhet të jenë vërtet të zgjuar të arrijnë të zbërthejnë individin që kanë përballë dhe ta ndihmojnë atë. Qe i vetmi profesion që më zgjonte kureshtje.
E shikon si vjen puna?
Dy javë më pas u nisëm në drejtim të adresës së rekomanduar që im shoq e kishte rregjistruar në celular.
Klinika qe e një madhësie mesatare e kishte më shumë pamjen e nje vile private me dy hyrje. Njera duhej të qe për vizitorët. Hyjmë brenda në një dhomë të madhe relativisht, me një oxhak i cili ishte “fshehur” pas një kolltuku.
-Kjo dhomë duhet të ketë qënë dhomë ndenjeje- mendova. Im shoq me t’u ulur u zhyt në leximin e një libri politik të ditës, zakon që e kishte marrë kohët e fundit. Një burrë i gjatë, i cili doli prej një nga dyert e brendëshme, na hodhi një sy shkarasi, e pastaj u drejtua tek sporteli. Mori një kartelë në dorë e thirri mbiemrin tim. U ngrita nga vendi. Më priu nga zyra e tij. Qe një zyrë e vogël sa një gjysmë dhome. Kjo nuk më habiti. Amerikanët disa shtëpi i ndërtojnë me një a dy dhoma të vogla për fëmijët. Kur ata rriten, familja ndërron shtëpi.Tavolina e kompjuterit ishte e vendosur përballë dhe pranë derës një kolltuk për vizitorin. Psikologu u ul pranë kompjuterit e filloi pyetjet rutinë.
Nga korridori vinte një zhurmë e çuditshme. Si një kondicioner i ngarkuar.
-Më falni, ç’është kjo zhurmë? pyeta unë. Do të vazhdojë shumë kjo? Unë nuk i duroj dot zhurmat.
-Oh! Ne e vemë vetë zhurmën, se këtu janë tre zyra në kurriz të njera-tjetrës dhe nuk duam që të dëgjohen bisedat nga zyra tjetër.
Ai preku një çelës dhe zhurma pushoi.
Isha ulur skiç dhe vështroja nga dritarja një fragment natyre në prag të çeljes së sythave të pranverës.
-Cili është shkaku që u solli tek psikologu?
U ktheva drejt e përqëndruar. Përballë meje kisha një qënie të lodhur, me sy të mëdhenj dhe pa shprehje. Sikur të shkëmbenin vendet dhe unë të isha psikologia, ndoshta do ta kisha anulluar këtë seancë me një qënie të tillë. Prisja një tip psikologu me sy të zgjuar, zhbirues. Gati buzëqesha me vete.
-Në fakt unë nuk kam menduar kurrë se do të takoja një psikolog. Unë thjesht vuaj nga diabeti. Kaq. Por u bë një kohë e gjatë që ndihem e lodhur. Apo ndoshta sëmundja më ka mërzitur shumë e më ka marrë krejt energjitë.
- Sa kohë ka që vuani nga diabeti?
-20 vjet, besoj. I kam provuar të gjitha dietat e jam e lodhur nga përkujdesi për vetveten.
-Interesant. “Çfarë ka interesante këtu? pyeste vështrimi im
- A u ka shkuar ndonjë herë në mendje të vrisni veten?
-“Të vras veten? Me gjithë mend e ka ky?”
-Dale t’ua bëj ndryshe pyetjen, u nxitua ai-Keni ndonjë anëtar të familjes me diabet?
-Jooo.
-Sepse kur niveli i sheqerit në gjak ngrihet lart e bën njeriun të bjerë në depresion saqë nuk do t’i bënte përshtypje të vriste veten.
M’u kujtua Merilin Monro. Ajo kishte gëlltitur një dorë më “ilaçe” dhe i kishte dhënë fund jetës. Thua të ketë qënë me diabet? Jo, por ajo binte shpesh në depresion se edhe jeta e saj ishte plot rënie e ngritje e përplasje në shkëmbenjtë e dallgat e jetës. Ishte e brishtë dhe vuante nga mungesa besimit tek vetja.
-Jo, i thashë dhe në fraksion të minutës skanova të kaluarën time në këtë vend. Kishte qenë një jetë intensive, por e suksesshme. Puna, shkolla dhe pena e kishte mbushur ditën time deri në buzë. Ishte koha të kujdesesha nga derdhja.
M’u kujtua një ditë kur po shkoja tek ime vjehërr (shtëpia e saj ishte tre rrugë më tutje) tek ecja e shkujdesur pa e patur mendjet tek makinat. Kur ktheva kokën vura re që në udhëkryq kishin ndalur në vend të gjitha makinat. Prisnin mua të kapërceja rrugën. Nxitova hapat. Me siguri do kishin menduar se s’dëgjoja nga veshët. Apo nuk shikoja.
-Ky qe i vetmi rast në jetën time. Qe një mungesë përqëndrimi e plotë.
-Thank God!- tha psikologu. Nga ç’vend i Evropës vini?
-Nga Albania, - dhe shtova me mendjen time “S’e mos e di ky ku bie”. Kjo më ndodhte shpesh që kur kisha ardhur në këtë vend. Shumica e bashkëbiseduesve amerikanë mendonin se Albania ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. U bëja me zell shpjegimin e rastit. S’ishte faji i tyre që nuk dinin. Ne ishim vend i mbyllur dhe i fshehur. I fshehur nga vetja dhe nga bota por këtë radhë nuk u zgjata.
-Mos është pranë Greqisë? pyeti ai.
-Po. Keni qënë në Greqi?
- Kemi kaluar andej në një kruz dhe në Dubrovnik dikush tha qe “ja atje është Albania”.
“Dubrovnik? Në Greqi?”
-Ju jeni vend socialist?
-Kemi qenë.
-Interesant. Nuk arrij ta kuptoj se si funksionon shoqëria socialiste. Tani këtu kemi një parti që kërkon socializmin. Dhe ka mjaft pasues, kryesisht të rinj, studentë që kërkojnë shkolla falas. Këtë nuk e kuptoj.
Mua këto biseda më mërzisin. Më lodhin. Jam deri në grykë me këto. Kemi tre vjet që shohim lajme, gjysmë-lajme, komente, interpretime, fytyra të shtrëmbëruara “gazetarësh” opinjone helme, urrejtje.
- Kam jetuar socializmin për 40 vjet. Pasi erdha këtu, në moshë të pjekur isha në gjendja të bëja krahasimin midis dy sistemeve. Të ishte në dorën time do bëja një krasitje nga dy sistemet e do ruaja degët më të shëndosha të jetës nga dy palët.
-Çfarë keni punuar në vendin tuaj?
I fola për punën time në atdhe. Ai më dëgjonte me interes.
- Këtu tek ne gazetarët televizive janë milionerë, tha ai.
M’u kujtua një shefe personeli në spital në ditët e para në NYC, tek e cila kisha punuar vetëm një ditë si housekeeper. Tek më përcillte tek stacioni i autobuzit, ajo gati frenoi makinën nga habia kur i thashë se çfarë kisha punuar në atdhe.
-Tek ne gazetarët janë milionera-tha edhe ajo. Më pat dhënë adresën e saj të punës, numrin e telefonit e më premtoi se do të më ndihmonte për të gjetur një punë dinjitoze.
Kur po ktheheshim në shtëpi i thashë tim shoqi që s’isha e sigurtë nëse do të shkoja tek psikologu herën tjetër.
-Pse jo?
-S’ndjej nevojën për psikolog. Edhe ti e di. S’mësova asgjë nga ai. Në fakt, ai mësoi mjaft nga unë. Heshta pak dhe shtova: Ai duhet të më paguajë mua, e jo unë atë. Qeshëm.
Javën tjetër vendosëm të ndërronim rrugën. Do të shkonim të adoptonim një papi, një qenush të vogël, i cili isha e sigurtë që do të më ndihmonte të dilja nga ajo gjëndje. A ju kujtohet Lessie? Do shtonim një qënie tjetër në shtëpi, një qenush të vogël apo ndonjë mackë. Ata të vështrojnë në sy e në ata sy ti gjen vëmendje, dashuri, kënaqësi e humor
A ka ndonjë psikolog këtu rotull? Më ndjeni nëse kam fyer njeri!

Shkurt, 2020