Letërsi

Kohë gripi në Tiranë - Nga Petrit Ruka

Lëmsh ikin retë pas dritares në qiell,
kujë vajesh labe
kjo sinfoni mortore.
Sa do desha për vdekjen time
të vinin këto shami të zeza qiellore!

Tek shkund termometrin
si shkop dirigjenti,
tek vë kollën time në kohën dy të katërtat
ti shfaqesh si mjekësia e vetme e jetës,
mes për mes mendjes
hap flatrat.

Tridhjetë e nëntë dhe gjysmë më shumë...
Unë ty të mendoj
me trutë përvëluar.
Asnjë vaksinë akoma s’është shpikur, jo
si puthja jote e bekuar!

Ç’të bëj më unë i sëmurë, pa shpresë,
po shkruaj recetën më të çmendur të tokës.
T’i ngre krahët në ajër,
t'i shkoj pas qafës
si të shpikja ilaçin total të botës.


Ngjishu pas meje, m'u fut në shpirt
si termometër pa zhivë
që kurrë nuk do të shpiket.
Në ashensorin e palcës kurrizore e ndjej
qysh jeta e lodhur po ngjitet.


E di, nuk do vdes as kësaj here,
sepse je ti që nuk do të mbetesh jetime.
E di, edhe vdekjen
tani ma ke marrë,
e ke pronë tënden, moj grua kaq trime!


Lëmshe të tjera resh vijnë pas xhamit,
sa e bukur dreqin,
kjo sinfoni mortore!
Po ti nuk je gati t'i lidhësh pas kokës
këto shami të zeza qiellore…