Letërsi

Minjtë shtegtarë - Nga Heinrich Heine

Shqipëroi nga gjermanishtja Enver Robelli

Minjtë janë dy soj:

Të uriturit dhe të ngopurit me përvojë.

Të ngopurit në shtëpi qëndrojnë,

Të uriturit shtegtojnë.

 

Mijëra milje udhëtojnë,

Pa prehje e pushim vrapojnë

Drejt me vrapin e tyre të zemëruar,

As era, as moti s’ka për t’i frenuar.

 

Ngjiten hareshëm në lartësi,

Notojnë gëzueshëm në liqene varg e vijë;

Ndonjëri prej tyre fundoset ose thyen qafën krejt,

Të gjallët lënë prapa të vdekurit shpejt.

 

Këta huta të vërtetë

I kanë madje mustaqet përpjetë;

Kokat i kanë të rruara,

Krejt radikale, të qëruara.

 

Bandat radikale sot

Nuk dinë gjë për Zot.

Pjellën e vet nuk e pagëzojnë,

Minushat të gjithëve u takojnë.

Kopeja e minjve epshorë,

Dëshiron vetëm të gllabërojë e të pi çast e orë,

Derisa pi e babëzit ajo nuk mendon,

Se shpirti ynë është i pavdekshëm, nuk mbaron.

 

Aq e egër kjo kunadhe,

S’i frikësohet maces, skëterrës së madhe;

Nuk ka pronë, nuk ka para për bé

Dhe botën dëshiron përsëri ta ndajë për pe.

 

Minjtë shtegtarë, o trishtim!

Ata janë këtu, në afrim.

Ata po afrohen, tashmë e dëgjoj buçimën -

Një legjion që s’e ka ndërruar qimen.

 

O trishtim! Ne e patëm

Ata erdhën para portave zaten!

Prefekti dhe senati bitevi,

Tundin kokat, s’e dinë ç’të bëjnë tani.

 

Qytetaria armët rrok

Priftërinjtë u bien kambanave tok,

Idhulli i shtetit të moralshëm

Dhe pasuria janë në rrezik të pafalshëm.

 

As tinguj kambanash, as lutje faltarësh,

As dekrete të mençura senatorësh,

Por, as topa, as gjyle pambarim

Juve, fëmijë të dashur, nuk u ndihmojnë sot asnjë grimë!

 

Sot nuk u ndihmojnë as gjerdanët e fjalisë

Të shkëputura nga arti i gojëtarisë.

Nuk zihen minj me silogjizma,

Ata kërcejnë edhe mbi të bukurat sofizma.

 

Në barkun e uritur gjejnë vend

Sall logjika e supës me pure patatesh dhe asnjë send,

Sall argumentet e biftekëve të viçit

Shoqëruar me citate për suxhukun e Göttingenit - larg hiçit.

 

Një merluc i heshtur, në gjalpë i zier

Do ta kënaq banditin radikal, të urryer

Më shumë se Mirabeau*

Dhe të gjithë gojëtarët që nga Cicero**.

 

* Mirabeau, poet francez (1749-1791).

** Cicero, poet, gojëtar dhe politikan romak.