Letërsi

Ngjyra e lëkurës dhe e gjakut - Nga Albana Lifschin

Më kujtohet dita e parë e punës kur të gjithë ne që ishim emëruar në atë operacion dy mujor na mblodhën për të na udhëzuar. Ne ishim gjashtë: Xheni, Çarls, Majk, japonezja Ako, Oma dhe unë. Përfaqësuesja e firmës që na pati punësuar na tha që të tregonim diçka rreth vetes tonë. E para e nisi prezantimin zezakja Oma. Ajo tha se ishte nënë e katër fëmijëve, kishte studiuar për filozofi e teologji dhe kishte punuar vitet e fundit në disa kampe refugjatësh pothuaj në të tëra kontinentet. Oma e mbylli duke thënë se më shumë se këdo në botë ajo respekton veten e saj. Unë ktheva kokën nga ajo. Jo sepse mu duk jo modeste, por sepse mu bë se e tha në një formë të atillë që duhej patur parasysh.

Majku me pamje studenti ende, tha se sapo kishte mbaruar shkencat politike dhe ishte i interesuar për kulturat e popujve të ndryshëm. E shihte punësimin në këtë kamp refugjatësh nga Evropa si një mundësi për të kontribuar ...“dhe eksploruar” shtova unë me vete.

Xheni e veshur me një pale xhinse, me flokë të prera fare shkurt, dukej tip operativ. Me një buzëqeshje të ëmbël tregoi se kishte punuar në Bosnjë me refugjatët bosnjakë. Kishte mësuar disa fjalë nga gjuha e tyre madje duke u kthyer nga unë tha se kishte mësuar edhe disa fjalë shqip. Vdiste të shkonte edhe një herë në Ballkan. Pas këtyre fjalëve më hodhi një vështrim aq të ngrohtë sikur unë të përfaqësoja gjithë Ballkanin.

Çarli, tha se ashtu sikurse Oma, kishte studiuar filozofi e teologji dhe e mbylli duke thënë se fruti më i preferuar për të është shalqini. Biseda qe shkrifëruar, qe bërë me intime. Japonezja Ako tha që i shijonte gjumi i mëngjezit dhe çdo mëngjes uronte që puna të fillonte pak më vonë. Xheni qeshi me gjithë shpirt, si t’i kishte ardhur shumë për hosh ajo që dëgjoi, dhe shtoi: “Mos ma vini re nëse ndonjëherë u duket pa kuptim e qeshura ime. Unë qesh kollaj”.

M'u dukën tipa të thjeshtë e të çiltër, interesantë dhe u ndjeva mirë në shoqërinë e tyre. Atë pasdite na treguan se ku ndodheshin apartamentet tona të banimit. Të nesërmen fillonte puna në kampin e refugjatëve kosovarë, i cili qe ngritur në një bazë ushtarake amerikane. Na u dha porosi të mos i quanim “refugjatë”, - kjo mund t’i lëndonte, por t’u referoheshim si “miq”. Ishin të traumatizuar nga lufta dhe ne duhej të ishim të kujdesshëm.

Javën e parë të punës të gjithë ishim të kënaqur që kishim rënë në një grup të mirë, sidoqë punonim me orë të zgjatura dhe kishim fare pak kohë të takoheshim me njëri tjetrin. Por ato momente ishin thesar për ne. Secili ndante përshtypjet e tij e ditës me të tjerët. Kjo ndodhte zakonisht mbrëmjeve vonë kur linim punën. Oma merrte në makinën e saj Akon. Unë zakonisht e bëja rrugën me Xhenin. Por një ditë vendosa të shkoja në kamp me Omën. Nuk kisha patur rast të bisedoja nga afër me të. Punonte në shtabin e kampit. Më qe zgjuar kureshtja ta njihja që ditën a parë kur kishte deklaruar se më shumë se këdo në botë, ajo respektonte veten e saj. Dukej grua e fortë.

-Ako mbrëmë shkoi në Uashington të merrte makinën e saj. Me sa duket ne të gjithë këtu do kemi orare të ndryshme pune dhe s‘i kordinojmë dot makinat. Akos do i bjerë të punojë vonë ndërsa unë dal në mëngjes herët, më spjegonte Oma.

Vështroja profilin e saj tek ngiste makinën. S’kisha patur rast të shoqërohesha me ndonjë zezake ndonjëherë. Majku qe shtangur kur i thashë që para se të vija në Amerikë unë njerëzit me ngjyrë i kisha parë vetëm nëpër filma. Ai pothuaj kishte frenuar makinën nga habia.

Omën mund ta quaje të bukur. E pyeta se si kishte hyrë në këtë program.

-Në fillim kam qënë mësuese matematike në vendin tim, në Kenia, tha, - më pas u bëra drejtoreshë në një qendër nacionale fetare. Atë kohë kam vizituar shumë vënde të Evropës, Azisë, Afrikës. Kam qënë edhe në Izrael. Në Afrikë kam punar për të ndihmuar refugjatët e çrrënjosur nga vatrat e tyre. Unë besoj në Krishtin që iu gjend të gjithë të varfërve. Zoti është një për të gjithë dhe ne jemi të gjithë njëlloj për të. Ngjyra e lëkurës nuk ka rëndësi. Ngjyrën Zoti u a dha njerëzve ashtu siç deshi ai. Ashtu siç u dha edhe gjuhë të ndryshme. Por të gjithëve u dha vetëm një zemër dhe një gjak. Nuk ka gjak të zi e gjak të bardhë. Kur je në spital e ke nevojë për transfuzion gjaku - vazhdoi spjegimin e saj Oma - ti mund të marresh gjak edhe nga zezaku i Afrikës. Kupton? Zoti i dha ngjyrë lëkurës, por jo gjakut. Gjaku dhe lotët janë njëlloj për të gjithë.

Ishte hera e parë që dëgjoja një lloj spjegimi të tillë përsa i përket racës njerëzore për më tepër nga dikush që nuk kishte të njejtën ngjyrë me mua dhe më thithi të tërën.

U ndamë tek godina kryesore e bazës. Oma u ngjit në zyrat lart ndërsa unë vazhdova rrugën për në zyrën time. Në mëndje me kishin mbetur fjalët e saj. Thellë thellë kishte diçka që me shqetësonte në fjalët e saj. Ajo grua ishte me doktoratë, kishte një eksperience punë të madhe, kishte punuar pothuajse në tërë kontinentet e megjithatë biseda e parë kishte qënë për racizmin ... Sa e ndjente Oma ngjyrën e lëkurës?

Fragmenti eshte shkeputur nga novela "Oma" botuar ne 1999