Letërsi

Dy fjalë mbi një nga “njësitë koordinuese” të Poezisë lirike - Nga Vangjush Ziko

Poezia lirike është forma më e përshtatshme për shprehjen e botës së ndjenjave, të mendimeve dhe të përjetimeve estetike.

Poezia, si çdo krijim letrar, fillon me Fjalën.

Fjala është materializimi verbal i mendimit.

Studiuesi R. Jakbson shkruan: “Poezia mund të ekzistojë në mënyrë virtuoze pa tropet, pa figurat, por pa gramatikën, ajo nuk ka se ç'të bëjë”.

Poezia fillon me aspektin gramatikor, i cili është baza e formulimit të mendimit poetik.

Elementet kryesore të saj janë këto pjesë të ligjeratës: emri, përemri, folja.

Emri dhe përemri lidhen me subjektin e poezisë, kurse folja lidhet me veprimin apo procedimin e ndjenjave dhe të mendimeve estetike të autorit.

Analiza e çdo teksti poetik lidhet me interpretimin e përemrit vetor, që quhet “njësi koordinuese”. Ky është koncepti themelor, që lidh në një të tërë krijimin poetik.

Në poezinë lirike ky realizohet verbalisht nëpërmjet përemrave vetorë të numrit njëjës “unë” dhe të numrit shumës “ne”, si dhe të përemrave vetorë të vetës së dytë (“ti”, në njëjës dhe “ju”, në shumës), sepse në poezitë lirike pasqyrohet bota shpirtërore individuale dhe bota shpirtërore kolektive.

Poezia lirike ndahet në dy degëzime kryesore: poezi intime dhe poezi qytetare, të cilat janë të barazvlefshme për nga vlerat e veta artistike dhe estetike.

Për ta konkretizuar këtë mendim të njohur teorik, po marr dy poezi të dy poetëve lirikë me krijimtari dhe përvojë mjaft të pasur dhe me një profil poetik të realizuar.

Të dy poetët kanë zërin e tyre të veçantë, stilin dhe lexuesin e vet.

E kam fjalën për poezinë “Ti dhe vjeshta” të poetit Thani Naqo dhe për poezinë “Ne” të poetit Edmond Shallvari.

Të dyja janë poezi metrike.

Në të dyja pasqyrohet bota shpirtërore në rrafshe të ndryshme tematike.

Heroi lirik i secilës poezi na flet për përjetime të ndryshme.

Njëri për kujtimet e një dashurie. Tjetri, për një dramë shoqërore.

E para është poezi lirike intime. E dyta poezi lirike qytetare.

Të dyja janë botuar në faqet e Facebook, të pëlqyera dhe të vlerësuara nga lexuesit.

Thani Naqo i ka vënë detyrë vetes të na japë një vegim erotik djaloshar të një dashurie të viteve të kaluara.

Në themel të poezisë është nostalgjia:

“Ti më fanitesh përtej largësive,

Nuk më kujtohet ç'vit jemi parë”

Kjo nostalgji realizohet verbalisht nëpërmjet detajeve konkrete shprehëse, që lidhen me konceptimin e kohës me sy artistik.

Ky është një përfytyrim në “vjeshtën” e jetës, pas shumë vitesh:

“Ti më fanitesh kur troket vjeshta,

Flokët e tua edhe gjethet në plep,

Buzët purpur edhe xhigerët në vreshta”

Është një vegim, thotë poeti, që “plagon me zhgënjim”.

Përjetimet e heroit lirik, janë përjetime thellësisht intime.

Rolin e “njësisë koordinuese” të strategjisë dhe të projektit krijues të autorit e kryen më së miri përemri vetor i vetës së dytë njëjës (ti), si përemër i “personalizuar”.

Ky përemër vetor e ndihmon, nga njëra anë autorin, për të shfaqur botën e vet të përjetimeve dhe, nga ana tjetër, e ndihmon lexuesin për t'u njohur me botën e shpirtërore të heroit lirik të poezisë.

Poezia e Thani Naqos përshkohet nga ndjenja intime lirike, plot krahasime dhe paralelizma të stinëve, me detaje konkrete; ajo është e veshur bukur me tisin e vegimit të “moshës së pranverës” dhe me trishtimin e vjeshtës së kujtimeve.

Edhe foljet, që shprehin veprimin: “troket”, lëkundet”, “fanitesh”, “ndillen”, përcjellin frymën nostalgjike të kësaj poezie.

Përsa i përket konceptit artistik, poeti e vendos subjektin e poezisë në një kohë dhe në një hapësirë të caktuar.

Ndodhia ka ndodhur në një kohë të kaluar, tashmë, gjë e cila vishet me tisin e nostalgjisë. Ajo është një marrëzi djaloshare, që ruhet në kujtesën e heroit lirik “çapkën”.

Autori e vendos ngjarjen në sfondin e stinës së vjeshtës, e cila, natyrshëm, ngjall edhe trishtimin për stinën e pranverës, që ka mbetur pas me “marrëzitë” e saj.

Sfondi i poezisë është natyra. Edhe krahasimet e përjetimeve janë të saj: flokët “gjethe plepi”, “buzët purpur”, pemët e zhveshura “me krëhërin e erës”.

Kujtimi e “plagon” heroin lirik, siç na ysht vjeshta me trishtimin e saj.

Kemi kështu një përputhje të plotë të gjuhës me figuracionin poetik.

Projekti dhe strategjia krijuese e autorit janë realizuar më së miri.

Poezinë e përshkon një lirizëm i sinqertë, i ngrohtë.

Edmond Shallvari ka një tjetër strategji kompozicionale poetike.

Ai ka zgjedhur si “njësi koordinuese” përemrin vetor të vetës së parë në numrin shumës (ne), të shpallur që në titullin e poezisë.

Ky përemër vetor, flet jo vetëm për ndjenjat intime të një personi. Poeti ka marrë përsipër të shpalosë ndjenjën e një grupi të caktuar shoqëror.

Edhe vetë tema e poezisë është një dramë e thellë tronditëse shoqërore:

“Ne vrasim njëri-tjetrin me thika dhe me fjalë”.

Poeti na flet për një botë njerëzore paradoksale: “ku lind gjeniu dhe krimineli”.

Kjo botë karakterizohet nga hipokrizia:

“E puthim njeri-tjetrin, e shqyejmë më pas”

Poeti ironizon edhe më tej: “jemi modernë në gjithçka”.

Kjo është një tragjedi e dyfishtë paradoksale:

“Më tepër vrasim veten, të tjerët duke vrarë”

Ky koncept poetik i autorit përcakton qartë pozicionin e tij ndaj këtij realiteti të tillë monstruoz.

Qëndrim i heroit lirik është një qëndrim aktiv qytetar, i cili nuk fal as shoqërinë as veten.

Kjo mënyrë e vlerësimit figurativ-emocional subjektiv ka krijuar një lirikë të mirëfilltë dhe të drejtpërdrejtë qytetare.

Përemri vetor “ne” lidhet me një perceptim kolektiv të realitetit.

“Ne” këtu është personazhi, që tipizon artistikisht një ndërgjegje kolektive.

Ligjërimi poetik është një ligjërim qytetar patetik, të cilin e konkretizojnë foljet veprore kalimtare: “vrasim”, “presim”.

Në këtë poezi nuk ka vend për “nostalgji intime”. Kemi një konflikt shoqëror. Kemi, një problem psiklogjik, një psikologji kolektive.

Sfondi shoqëror i kësaj poezie është qëndrimi qytetar i heroit lirik i shoqëruar nga një dilemë e thellë shpirtërore sfilitëse me karakter të theksuar moral: “e puthim njeri-tjetrin, e shqyejmë më pas”.

Figura më e përshtatshme, që ka zgjedhur autori, është antiteza, të cilën e realizojnë foljet veprore kalimtare me veprime krejt të kundërta: “puthim” dhe “shqyejmë”.

Një figurë tjetër, që i jep tonin revoltës, është emri “kasaphanë” (“Diku i presim kokat, kasapë kasaphane”) si hiperbolizimi i skajshëm satirik i konfliktit që e përshkon gjithë poezinë.

Gjuha dhe figuracioni i poezisë janë në sintoni me strategjinë dhe me projektin krijues të zgjedhur nga autori.

Pra, kemi një poezi, me tonalitet patetik qytetar, të realizuar plotësisht artistikisht.

Të dyja poezitë na flasin për botën shpirtërore të heroit lirik.

Secila poezi varet nga strategjia dhe projekti i vetë autorit.

Secila poezi ka tekstin e vet poetik. Ka figuracionin e vet emocional figurativ.

Secila trajton faktet dhe dukuritë personale apo kolektive.

Secila poezi ka veçoritë e veta artistike dhe estetike.

Është strategjia e vetë krijuesit, e “njësisë kordinuese”, që zgjedh poeti, e cila përcakton dhe modelimin e fjalës poetike.

Poezia lirike i pranon natyrshëm të dyja këto modele krijuese: Lirikën intime dhe Lirikën qytetare.

©Vangjush Ziko