Letërsi

Fejesë në Hallouin - Tregim  nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Makina kishte një orë që kishte lënë qytetin. Në sedilien e pasme dy zonja të moshuara po bisedonin rreth darkës së fejesës ku i kishin ftuar. Vajza që shpallte fejesën atë mbrëmje ishte mbesa e njërës prej tyre, zonjës Suzanë, apo Su-së, siç i thërrisnin shkurt.

- Su, -tha Allis, duke u vështruar në pasqyrën e vogël që nxorri nga çanta meshine, - djali që po fejohet me mbesën tënde, është ai që kam parë një herë tek ty? Ai që kishte një tatu në qafë?

- Jo, jo, ai ishte bojfrendi i vjetshëm i Dorës. Me të nuk ndenji shumë.

- Mama, nuk ishte bojfrendi i vjetshëm, por i tre vjetëve më parë, e nuk ndenji as një muaj me të, ndërhyri i biri, Stivi, që ngiste makinën, -Robit nuk i pëlqente ai djalë për të motrën.

- Po Dora, ç'tha? - pyeti sërish Allis.

- Dora ndjenji ca kohë e zëmëruar me të vëllanë. Ishte akoma në shkollë të mesme atë kohë. Qe fëmijë. Me Semin u njoh në kolegj.

- Semi është i fejuari?

- Eshtë bojfrendi i fundit. Sot fejohen.

- Eh, atë e di, se prandaj po vemi, - tha Allis me zë të ulët sikur po fliste me veten e saj

-Ç'kombësi kanë prindërit e Semit? - pyeti përsëri pas pak ajo.

-Gjysmë italian e gjysmë hebre, si ne, - u pergjigj Stivi duke vënë re në pasqyrën e makinës që të ëmën papritur e kishte zënë gjumi.

- Kush është italiane, e ëma?

-Edhe gruaja e tët vëllai është italiane.

- Ish-gruaja e tim vëllai, - korigjoi Stivi, i cili ndërkohë pyeste veten se sa kohë kishte mamaja pa e informuar mikeshën e saj të vjetër për ndryshimet që kishin ndodhur në familjen e tyre. I vëllai kishte nja tetë vjet që qe divorcuar me italianen e kishte pesë vjet që qe martuar me bullgaren. Dora atë mbrëmje do kishte në fejesën e saj dy palë prindër.

Të dyja gratë sapo kishin kapërcyer të nëntëdhjetat. Mosha i kishte rënduar ca nga veshët edhe kujtesa u qe mjegulluar. E ëma i linte shpesh mesazhe në telefon që i drejtoheshin vëllait e Stivi bënte punën e sekretarisë telefonike për të.

Makina kishte hyrë tashmë në oborrin e hotelit Radison, ku organizohej mbrëmja. Zonjat e moshuara pasi u ndalën për nja 20 minuta në Ladies's room hynë në sallë. Salla e mbrëmjes ishte ne formë të rrumbullakët dhe në të qenë vendosur tryeza të rrumbullakta, me mbulesa ngjyrë kungulli dhe mbi to peceta te zeza. Në qëndër të tavolinave shportat në formën e kungullit ishin të mbushura me karamele e çokollata.

Dorës s'i pëlqyen pecetat e zeza, por pastaj i spjeguan që kjo fejesë po bëhej për Hallouin, (A nuk qe kjo dëshira e saj?) kështu që ngjyrat ishin në atmosferën e festës. Madje në tavolinën e çiftit qenë vendosur dy kurora "mbretërore" dhe dy palë syze të stërmëdha me skelet të zi.

Robi, vëllai i Dorës, i ra gotës së kristaltë me pirun që të tërhiqte vëmendjen e të ftuarve. E kishte përsëritur nja tre herë rrugës "fjalën e rastit" për fejesën e motrës duke i thënë se shpresonte që kjo të qe fejesa e saj e parë dhe e fundit.

- Kur isha dhjetë vjeç prindërit më thanë që për ditëlindje do të më sillnin një dhuratë që do ta doja shumë e do të kujdesesha për të gjithë jetën time. Vrava mendjen se çfarë do ishte kjo dhuratë. Kur erdhi fundi i muajit, prindërit në një shportëz më sollën një bebe të vogël. "Dhurata" hoqi nga unë tërë vëmendjen e dashurinë që deri atëherë më ishte dhënë vetëm mua. U bëra xheloz për të. Natyrisht, për "dhuratën" kujdeseshin prindërit deri atë ditë që pashë se motra ime pesë vjeçe kishte lidhur rreth qafës një rrip e qe ulur tek shkallët duke imituar konen e shtëpisë. Atëherë e kuptova që ajo kishte nevojë për kujdesin e mbrojtjen time. Motra ime u rrit. I kam njohur të gjithë bojfrendët e saj. Ime motër kurrë s'diti te zgjidhte një për të qënë. Kështu njëri përfundoi me shkelma nga dera e një tjetër nga dritarja. Më lodhi ca motërza, deri atë minutë që në shtëpinë tonë hyri Semi.

Pastaj Robi duke u kthyer nga i fejuari i të motrës përfundoi - Sem, të dua si vëlla, kujdesu për time motër! - e me një buzëqeshje të këndshme që u duk sikur i takonte të gjithëve shtoi: Tani ajo është problemi yt, jo imi.

Të ftuarit duartrokitën.

- Sa djalë i mirë, Robi! Sa bukur foli. Pse s'e shoh të shoqen, Ketin? pyeti Allis.

- Me Ketin ka kohë që është ndarë; tani jeton me një emigrante ruse, shpjegoi Su për të nipin.

Muzika filloi në mes të duartrokitjeve dhe gratë ishin të parat që u turrën në pistën e vallëzimit, ndërsa një pjesë e burrave shkuan nga bari.

* * *

-Për ç'rrip foli Robi pak më më parë? Kur paska dashur ime mbesë të varë veten? Apo e sajoi Robi për ta bërë të motrën më interesante… u dëgjua zëri zonjës Su në një moment, në mes heshtjes e fillimit të muzikës.

Në tavolinën e tyre Hemfri po i përgatiste një pije gruas së tij, Sanit, që kish në krah - gruaja e 60 vjetëve. Qenë martuar menjëherë pasi kishin mbaruar shkollën e mesme. Pati qenë një martesë e lumtur. Sani kishte veshur një bluzë të bardhë me tegela përpara e me një jakë të ngritur që i rrinte e ngrirë pas qafës. Bluza e mbërthyer në mes nga një tokan i madh i binte mbi një fund të gjatë e elegant deri tek thembrat e këmbëve. Me flokët e mbledhura qe i nxirrnin një profil të bukur dhe me pamjen e saj krenare, Sani të kujtonte Kethrin Hepbërnin. Hemfri, i bërë në qejf, po tregonte histori nga rinia e tij, gjë që i ndodhte zakonisht në fejesa e martesa. Stivi i dëgjonte me kënaqesi të madhe e qeshte duke bërë komente mbi to.

- Stivi, a ke ndonjë girlfriend? ndërpreu bisedën gazmore Allis.

- Ç'faaaaarë…? bëri Stivi duke zgjatur veshin në drejtim të Allis, e askush s'dinte të thosh nëse vërtet nuk dëgjonte, apo i pëlqente të mos përgjigjej. Allis u mërzit nga përsëritja e pyetjes e nuk e zgjati më.

Pista qe nxehur nga vallëzimi. Dora rrutullohej mbi takat e saj jashtëzakonisht të larta e qe çudi e madhe se si vajza nuk pengohej të binte.

Stivi u shkëput një çast për t'iu bërë partner vallëzimi një gruaje të përmasave të mëdha

- Sa vjeç u bë Stivi? pyeti Allis mikeshën e saj.

- 52 vjeç.

- Ehë… bëri ajo si të thosh, "kot që e pyeta"

- Nuk e nxis të martohet sepse e shoh që është i lumtur edhe kështu. Veç kësaj, Stivi ka parimet e tij. Ai mendon se gruaja në ditët e sotme e merr burrin për paratë që ka në bankë - tha Su duke iu përgjigjur hamendjes të shoqes së saj.

Gruas së shëndoshë të veshur me pantallona krem të zeza e shall të zi hedhur shpatullave të zhveshura, i kishte ardhur radha të rrutullohej pas Stivit. Çifti kishte ndërruar vendet.

- Kush është ajo grua që vallëzon me Stivin, Su?

- S'e mban mend? Është ish e kunata, domethënë ish-gruaja e tim biri, Fredit, nëna e Dorës,

- Oh, po Fredi ku është?

- Ja në atë tavolinën matanë me të shoqen.

Allis u kujtua të verë syzet.

- Ajo biondja është? Pse nuk vallëzojnë?

- Sonja nuk ngrihet. Dhe im bir rri me të.

- Do vete t'i takoj, qenkërka vërtet e bukur.

Dhe Allis u ngrit.

- Fredi, urime për fejesën e vajzës!

Fredi lëvizi nga karrikja pë t'i dhënë dorën gjithë mirësjellje mikeshës së vjetër të mamasë. Dhe pastaj i prezantoi gruan e tij. Bullgares iu bënë dy brima në faqe.

- Paske grua shumë të ëmbël- tha Allis, - po pse s'dilni të vallzoni? - A vallëzohet në vendin tuaj? i u drejtua ajo gruas së re.

- Po, - tha bullgarja, por mua shpesh herë më pëlqen të qëndroj spektatore. Edhe kështu më shijon.

- U vjen keq të ulem pak këtu me ju?

Fredi i bëri vend.

Në mes të atyre që vallëzonin, binte në sy nje çift i pashëm. Gruaja qe një aziatike elegante.

- Ai është daja i vajzës sime, Dorës, - shpjegoi Fredi. Të kujtohet Alberto? Kurse ajo është gruaja e tij koreane. Nga martesa e parë me italianen, Alberto ka dy fëmijë.

- Po ish-gruaja jote, që vallzon me tët vëlla, ku e ka burrin?

- Ai është këtu në tavolinën ngjitur me ne, u përgjegj Fredi duke i bërë një "haj'' me dorë atij që i kishte marrë gruan tetë vjet më parë.

Në kurriz të ish-gruas së Fredit e cila po i nxirrte ujin e zi pistës, kërcente rrok një grua e gjatë dhe e hollë. Edhe ajo kishte veshur pantallona krem të zeza.

-E di se kush është ajo? Ajo është nëna e dhëndrit tonë, Semit. Po kërcen me të birin, atë më të voglin.

- Po i shoqi cili është?

- Deri tani sikur s'ma kanë zënë sytë. Duhet të jetë në bar. Janë të divorcuar…

- Oh, sa interesant! Më duket sikur po jetoj në një shoqëri hallouine! tha padashur Sonja dhe futi kokën nën tavolinë sikur i ra diçka.

- Shumë çifte të divorcuar ka në këtë sallë, ë? - foli Allis, duke nxjerrë jashtë mendimin që tradhtoi Sonjën.

- E dashur, në kohën tonë kishte vetëm një martesë - nisi të tregojë ajo, si për të rregulluar tablonë në sytë e bukuroshes nga vendet e Lindjes - Nuk di sa dashuri mund të bëhej jashtë shtëpie, por martesë kishte vetëm një dhe një palë fëmijë. Këtu, sonte, ata pak që kanë mbetur gjallë nga gjenerata jonë kanë sjellë gratë e tyre me vete, si Hemfri. Ndërsa shiko… nipërit tanë kanë nga dy palë prindër, në mos tre palë. Eh, edhe ime bijë, para se të merrja rrugën për Nju Jork, më njoftoi në telefon që kishte vendosur të ndahej me të shoqin. "Më sjell probleme, mama, - më tha - në vend që të më sjellë para", e mbylli Allis, duke bërë një shenjë si për t'u thënë që do të kthehej tek tavolina e saj. Karrigen e Allis e kishte zënë një grua flokëbardhë, që qe shtruar në bisedë me Suzanën.

- I bëri të 80-tat - Harri?

Qe fjala për kunatin e Su.

- Po, i kaloi.

- I ri është, më i ri se ne. Nuk është plak.

- Kam nëntëdhjetë vjet që pres të zëvendësohet kjo fjala "plak" në fjalor, po s'e kanë gjetur akoma, - tha zonja Su me një pakënaqësi krejt të hapur. Javën që shkoi, mjeku im më quajti "plakë e vogël e simpatike". Kujtoi se më përkëdheli. I marri!

Në mes të pistës, gratë kishin rrethuar të porsafejuarit. Mbi tavolinën drejtkëndëshe të çiftit, kishin mbetur këpucët me taka të larta të Dorës dhe kurora e mbretit të Hallouin-it!

(Nga përmbledhja me tregime "Ura mbi Oqean", 2008)