Letërsi

Lirika nga Sergej Esenin - Shqipëroi Vangjush Ziko

 Vangjush Ziko

“Toka ruse nuk ka krijuar asgjë më origjinale, më natyrore, më të bukur dhe më të mire se Sergej Esenini” (Boris Pasternak)

S'KA GJË, TË TJERË TA SHIJUAN

S'ka gjë, të tjerë ta shijuan

Freskinë tënde ta përpinë,

Më mbeti vjesht' e brishtë mua

Me sy të lodhur e me thinjë.

O vjeshtë! Moshë e praruar,

Ti je m' e shtrenjtë se rinia,

Dyfish m' e shtrenjtë e m' e çmuar

Gjallon mes ëndrrave të mia.

Me zemër kurrë s'kam gënjyer

Prandaj të them me mburrje fare

Pa dridhur e pa u zhgënjyer,

Me vagabondin sot po ndahem.

Shtator' i bronxët më trokiti

Me degë plepi në dritare,

Më tha mos trembem e çuditem

Ta pres i qetë këtë ardhje.

Me shumë gjëra jam pajtuar

Pa detyrime e keqardhje,

Rusi e shenjtë ka ndryshuar

Edhe kasollet edhe varret.

Hedh syt' e mi përreth e shoh

Me një vështrim fare të qetë,

M' u bëre motër edhe shok,

Bashkudhëtare e poetit.

Vetëm me ty unë do mund

Besnikërisë t' i nënshtrohem

Që të këndoj udhët me muzg

Dhe vagabondin që largohet.

 

TI ME MUA MOS RRI KAQ E FTOHTË

Ti me mua mos rri kaq e ftohtë,

Mos më lodh, për moshën mos pyet,

Kam në gjoks sot një brengë të fortë,

Shpirti im është bërë skelet.

Ato vitet e para ku vanë?

Ëndërroj me zemër të dlirë

Se do isha i pasur, me famë,

Me shpirt do më deshin të gjithë.

Po, i pasur jam edhe shumë,

Një cilindër që kisha, s' e kam,

Një manshetë s' e di ku më humbi

Dhe këmishën një kopsë ma mban.

Dhe lavdia më poshtë nuk bie:

Që prej Moske e gjer në Paris,

Emri im vetëm tmerrin u shtie

Fshesaxhiut dhe të ndershmes miss.

Dashuri! A s'të bën për të qeshur?

Ti më puth dhe buzët ke akull,

Ndjenja ime si druri i zhveshur

Kurse jotja akoma s'ka hapur.

Por s'ka ardhur, jo, fundi përmua,

pikëllimi s'ka gjë se më çan,

Më i art' se gërshetat e tua

Zverdh laboti i ri në kurgan.

N' atë vend dua prapë të kthehem

Ku laboti me erën thur këngë,

Në një gjumë të rëndë të kredhem

Si fëmijë të humb nëpër ëndërr.

Por për tjetër, të re, të paparë,

Për një vend që aspak s'e kuptoj,

Zemrën time një mall e ka marrë,

Por nuk di si ta quaj' ajo.

 

SHAGANE, ASAMAN, SHAGANE

Shagane, asaman, Shagane!

Nga veriu jam, ta kam thënë,

T' i s'e di thekrën tonë si fle

Dallgëzuar nën dritën e hënës,

Shagane, asaman, Shagane.

Sepse jam nga veriu, prandaj,

Sepse hëna andej ësht' e madhe,

Hapësira rjazane pa skaj

Ia kalon bukurisë shiraze,

Sepse jam nga veriu, prandaj.

Ti s'e di atë fushë, o shpirt!

Këta flokë nga thekra i kam,

Po të duash, mbështilli në gisht,

Nuk më dhembin ata, jo, aspak,

Ti s'e di atë fushë, o shpirt.

Shiko flokët e mi, ta dish

Ç'janë dallgët e thekrës nën hënë,

Qesh, e dashur dhe flokët m'i prish,

Veç mos zgjo një kujtim që kam lënë

Nëpër dallgët e thekrës me hënë.

Shagane, asaman, Shagane!

Në veri larg një vajzë kam lënë,

Porsi ty është yll edhe hënë,

Mbase zgjohet dhe gjumi s'e ze,

Shagane, asaman, shagane,

 

TI S'MË DASHURON, S'MË MËSHIRON

Ti s'më dashuron, s'më mëshiron,

Vallë, s'jam i bukur për ty fare?

Sytë as m'i hedh, as më shikon,

Duartë mbi sup veç m'i ke varur.

S'jam i ashpër. as nuk jam i butë,

Bukurosh' e egër, po më çmend,

Më trego sa burra ti ke puthur,

Sa duar, sa buzë ti mban mend.

Un' e di, ata ikën si hije

Pa e prekur fare zjarr' e ri,

Përmbi gju atyre ti u rrije

Siç po rri mbi gjunjët tim tashi.

Mbylli syt' e tu ashtu përgjysmë

Dhe mendo, mendo për ndonjë tjetër,

As unë s'të dua ty kaq shumë,

Kredhem në kujtimin tim të vjetër.

Ky pasion nuk është fati ynë,

Por shpërthim i çastit mendjelehtë,

Siç të poqa rastësisht në rrugë,

Prapë do të ndahemi të qetë.

Ti do shkosh në rrugën që ke nisur

Duke lënë gjurmë pa gëzim,

Veç kujdes të pastërtit mos prishësh,

Kë nuk është djegur, mos e digj.

Mbase ndonjë ditë do kalosh

Me një tjetër duke u llastuar,

Në shëtitje pranë do më shkosh

Njëri-tjetrin fare pa shikuar.

Sup më sup me tjetrin duke ecur,

Kokën do përkulësh fare lehtë,

“Mirëmbrëma” duke përshëndetur,

“Mirëmbrëma miss” do them i qetë.

Shpirtin tim asgjë s'do shqetësojë,

Nga asgjë ai s'do drithërohet;

Kush ka dashur, nuk ka më ç'të dojë,

Kush u dogj, më s'mund të përvëlohet.

(Nga vëllimi SERGEJ ESENIN - LIRIKA)