Trazira në Parajsë - Tregim nga Mehmet Elezi

Mehmet Elezi
Besa Shtrungza qe ngarkuar për të ndjekur fushatën zgjedhore në skëterrë. Në redaksinë e lajmeve po prisnin krye në krye para ekranit, asnjë zë. Ajo nuk po shfaqej. Mos nuk duhej ta kishim çuar, ofshani drejtori i televizionit, pa iu drejtuar kujt. Pa le, hoqëm dynjanë me Luçiferrin, me i nxjerrë lejen hyrëse! Kaluan katër orë pritjeje pa fund dhe tashmë kurrkush s’e kish hallin e kronikës për zgjedhjet në ferr. Gjithçka përqëndrohej në një pikë të vetme, jeta e gazetares. Dashtë Zoti kthehet gjallë. Të gjithë e shqiptonin në heshtje këtë lutje, pa e pranuar haptazi drojën e tyre. Shpresa po venitej, fjalët qenë sosur, kur në ekran vezulloi fytyra e lëbardhme e Besa Shtrungzës. Urra, shpërthyen të tërë. Vajza i la pa gojë kur shqiptoi me zë të mpirë:
-Nuk po njoftoj nga skëterra. Jam në parajsë!
Përgjatë mollëzava u shkund pluhuri i një nate pa gjumë. Dritë e një hëne të përtejbotshme apo miellazë bore?
Ajo nuk dha hollësi si përfundoi aty, duke nëpërkëmbur detyrën e marrë përsipër, sipas marrëveshjes me palën tjetër. Ata të skëterrës po prisnin me i tregue botës së këndejme se dinë me ba zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa ajo ishte joshur nga parajsa. Më saktë, nga një lajm, që nuk dihet qysh i ra në vesh dhe që ishte përnjëmend lajm: në parajsë po bëheshin protesta, mbase kish filluar një rebelim. Protesta të buta, thellësisht paqësore (si mund të jenë ndryshe atje?), por këmbëngulëse, pa kurrfarë shenje për kompromis. Kundër kujt? Tash për tash nuk dihet më gjatë. As për kërkesat nuk dihet. Këto do të mësohen kur gazetarët të shkelin në vend.
Përmbledhtazi, njoftimi i Besa Shtrungzës:
Trazirat në një distrikt të parajsës filluan ditën e gatesave të traditës. Një festë e re, shestuar nga udhëheqja vendore, e vlerësuar si risi. U shtruan tryezat me haje si ato që kishin gatuar nëpër breza nënat, gratë, bijat, duke i pjekur mbi prush bungu e ahu, me saç, me tepsi e me furtere, me vorbë, drejtpërdrejt mbi gaca. Banorët do të çmalleshin duke u zhvendosur mbrapa në kohë, në një botë tashmë të paqenë për ta.
Tre burra që rrinin prore bashkë, banorë të lagjes së re, nuk u ndien mirë.
Inxhinieri Bekim R. u zverdh e nisi me u dridhë, sapo prunë mish të pjekur qingji, brinjët dhe shpatullat qumështore të tij qisnin avull. Mishi i pjekur i qingjit kish qenë përherë i parapëlqyer për të. Për çdo gazmend familjar kujdesej mos me mungue. Dirgjeshin miqtë prej rrethit të bjeshkës e ia sillnin. I vinte era lara bore dhe tërfojë.
Oficerit Ilir A. iu pre fryma, kur ndjeu erëmimin e pites me mazë, byrek me ajkë të freskët qumështi. Dikur ia gatuante e motra, sa herë shkonte në katund. E ndizte zjarrin në oborr. Një re me vezullima e rrethonte mafezin e saj të bardhë, duke shijuar erëmimin e rrallë. Ishin shkëndija të zjarrit të ndezur aty, sythe që çelnin në ajrin e muzgët, xixëllonja, apo qenë afruar yjzit?
Bariu Lekë T. kish pasur sa të duash qumësht e djathë e kos të trashë me e pre me thikë, herë pas here edhe mish, por ëmbëlsira jo. Ulej prej mali, e ëma i bënte revani. I kishte mbetur në mendje nga fëminia. Sa e pa revaninë që ia shërbyen në tryezë, u lëshua e ra.
Falë ndihmës vetëtimë të motrave të parajsës, të tre burrat u këndellën shpejt. Ua shtruan për së dyti hajet me shijen e një kohe të pakthyeshme dhe pikërisht këtu ndodhi ajo që ndryshoi drejtimin e gjërave. Tre burrave iu zbardhën sytë dhe u shembën plastim përdhe. Përnjëherësh, si atë ditë që patën rënë në gropën e përbashkët, nën breshëritë e plumbave të skuadrës së pushkatimit.
Kaq qe e mjaftueshme që tërë distrikti, burra e gra, të derdheshin në protestë. Turmës së protestuesve nuk i shihej fundi. Fushnaja nën vërshimin e banorëve të parajsës dukej si e mbjellë me tulipanë.
Kërkesa: dorëheqja e menjëhershme e qeverisë vendore.
Shkaku: keni shkelur të drejtat e njeriut, në marrëdhëniet me bashkëqytetarët tanë Bekim R., Ilir A., Lekë T. U keni shërbyer gatesa, pamja e të cilave i bën me u ndie keq. Këtu në parajsë nuk vlejnë rregullat e botës tjetër për cilësinë dhe shijen e sendeve, ato duhen riparë.
Fytyra e Besa Shtrungzës u turbullua si hënë e mbytur në fund të ujërave. Ia doli me shtypë një syth. Në ekran u shpalua e shkuara e afërt.
Inxhinieri Bekim R., i diplomuar në Perëndim para Luftës. Arrestuar pas Luftës si sabotator, agjent i naftës së zbuluar në të kaluarën dhe i ullinjve të mbjellë në të kaluarën. Biruca ku e kanë rrasur nuk është aq e vogël. Është më e madhe se një varr, ndoshta sa dy-tri varre njëri mbi tjetrin, aty mund të rrijë edhe në këmbë. Në një ditë të shenuar e ëma i sjell në burg mish qingji të pjekur. Ju ndihmoftë Zoti, çojani sa më shpejt, u përgjërohet zyrtarëve. Është ende i ngrohtë. Ka qenë përherë dobësi e tij.
Oficeri Ilir A. në birucën ngjitur. Martuar me një ruse, njohur gjatë studimeve atje. Arrestuar si agjent i syve të gruas dhe i Siberisë. Trajta e birucës së tij nuk është e panjohur. U ngjan llogoreve që hapnin gjatë stërvitjes taktike. Ndryshe nga llogoret, biruca s’ka dalje. Dhe është hapur në shkëmb ose në beton. Në të njëjtën ditë të shenuar e shoqja i sjell pite me mazë. E ka gatuar për merak motra e tij. Rusja nuk di me qitë aso piteje dhe s’ka ku me e gjetë mazën. Ju lutem çojani shpejt, është e butë, e sapobërë, ai ka problem me dhëmbët (pse tashti ka problem me dhëmbët? Kur ishte me mua e kafshonte ftoin si kumbull!).
Në birucën e tretë është çobani Lekë T. Biruca e tij i ngjan strehës së borës në fund të një shurle, kur dilte në bjeshkë sa mugullonte bari, pa e pritur verën. Biruca e tij pikon bash si streha e borës në fund të një shurle. Lekë T. është beqar. Arrestuar si agjent i pyllit. Spiun i dyfishtë, i ujkut dhe i nepërkës. I pandehur, çfarë ke biseduar në takimet e natës me ujkun veshcurr e me nepërkën? Ketri që hante dardha të egra të ka parë me sy, i kemi të regjistruara dëshmitë e tij. Në të njëjtën ditë me dy të tjerët çobanit i sjellin në burg revani. Është e madhe tepsia. Ka për të e për të tjerë. Hani edhe vetë, ju bëftë mirë, veç mos ma lini djalin pa gjë, shqipton nëna me sytë humbur, edhe ata si biruca.
Këto ndodhën në të njëjtën ditë të shenuar. Ndoshta prandaj oficeri i burgut te sporteli i pritjes u tregua aq i sjellshëm, se qe ditë e shenuar. Nuk u ktheu mbrapsht asgjë grave, ua pranoi të gjitha hajet që sollën, se qe ditë e shenuar. Sytë e tij lëvizin si kakërdhi në qumësht, mendoi e ëma e çobanit, pa guxuar ta shqiptojë me zë. Sytë e tij nuk përqendroheshin kurrkund.
Pas një muaji të tri gratë ndeshen rishtazi tek e njëjta derë e burgut si shpellë bore. E shoqja e inxhinierit që e nxirrte naftën të turbullt, e motra e oficerit të martuar me hënën e stepave dhe nëna e bariut agjent i fshehtësisë së pyllit. Te zyra e pranimit në burg, që ngjante me një shpellë bore, i njëjti polic me sytë që i lëvizin si kakërdhi në tambël. Në mënyrë gati të pabesueshme, i pret rishtazi me mirësjellje. E kemi për detyrë t’ua dorëzojmë ushqimet deri në thërrimen e fundit. Herën e kaluar u kanë shijuar fort. Sot një muaj mund të sillni më shumë, nëse dëshironi. Polici afron kryet te balli i gruas së inxhinierit dhe ul zërin. Ai mishi i pjekur në hell tretet si i paqenë me një shishe raki! Flet dhe kakërdhitë lojacake të syve fshihen, nën ashkëza i mbetet e bardhëllemta e qumështit.
Gruaja dyshon te veshët e saj. Ani pse një muaj më parë i njëjti polic është sjellë mirë. A thua diçka po ndryshon, po del e vërteta për të?, mendon secila për të vetin. Mbase mund ta lëshojnë? Tepër e bukur për ta besuar lirimin e tij. Tepër e bukur për ta parë në ëndërr.
Muajin e tretë gratë vijnë të ngarkuara më rëndë, me të njëjtat haje. Me që na thatë se mund të pranohen më shumë. Zyrtari i burgut shnot, mëdyshet. Nuk merret vesh, ka një drojë apo bën sikur. Gjithsesi ua pranon të tëra.
Për disa minuta lidhja me parajsën ndërpritet. Në minutën e shtatë ekrani zdrit. Besa Shtrungza shfaqet rishtazi, tulipan i verdhë.
Vazhdon protesta, nuk tërhiqen, shqipton me zë të qartë. Janë të bindur në të drejtën e vet. Dorëheqje, pikë. Ç’faj kanë drejtuesit e distriktit, pyet drejtori i televizionit. Pa e kuptuar, drejtori ka marrë rolin e folësit në ditarin e lajmeve. Mund ta sqaroni pak më mirë për shikuesit tanë? Ç’faj?, thotë Besa Shtrungza. Gjithçka lidhet me këputjen e papritur të tre burrave. Shikojeni vetë si ligështohen, kur shohin hajet e tyre të pëlqyera, dikur më të zgjedhurat e kuzhinës familjare të trashëguar. U zgjohen kujtime të përtejbotshme, u plas zemra dhe mushkëria e zezë. Ju lutem pak më qartë, thotë drejtori, përse ndodh kjo pikërisht me tre burra dikur të njohur si trima dhe me askënd tjetër në parajsë? Këtu nyjëtohet gjithçka, thotë Besa Shtrungza. Atë ditën e shënuar, kur tri gratë ua çuan në burg për herë të parë shujtën e tyre të zgjedhur, ata të tre nuk gjindeshin më në burg. As pas një muaji, kur ato shkuan për herë të dytë me të njëjtat ushqime, ata nuk ndodheshin më në burg. As në muajin e tretë, kur gratë zbarkuan më të ngarkuara se çdo herë, sipas këshillës së policit që i priste, ata nuk ishin në burg. Dhe nuk do të shkonin kurrë më në burg. Ata tashmë kishin mbërri në parajsë. Nuk po ju kuptojmë, tha drejtori. Mbase ka ndonjë cen teknik, humbje fjalësh a fjalish. Nuk ka humbje fjalësh, tha reporterja. Një javë para ditës së shënuar, kur gratë ia behën aty për herë të parë me hajet e tyre të parapëlqyera të traditës, ata qenë paluar së bashku diku, në një gropë pa emër. Zyrtarët e burgut e dinin këtë, megjithatë i pranuan ushqimet. Gatesa të zgjedhura, aq të shijshme, nuk mund t’i kthenin mbrapsht. Dhe vazhduan të porosisin e të pranojnë për tre muaj të tjerë, në ditët e caktuara. Familjet shtrëngoheshin fort për to. Kujtonin se po i marrin të shtrenjtët e vet. Të shtrenjtët e vet tashmë ushqeheshin, më falni. Ushqeheshin me dhé!
Zëri i Besa Shtrungzës dridhet e shterret. Kamera kthehet nga turma e protestuesve. Det i prajtë, i qetë, i valëzuar. Në një lëvizje të papritur, protestuesit ulin tabelat e bardha me kërkesën e prerë për dorëheqjen e qeverisë vendore. Ju lutem pritni pak, sa të marr vesh ç’po bëhet, dëgjohet Besa Shtrungza. Me sa po shoh, protestuesit u dorëzuan, nuk po e kuptoj kthesën e tyre, duhet të jenë bindur për diçka.
Një ndërprerja e shkurtë dhe Besa Shtrungza del sërish. Çon nalt duart e hapura, këqyrni në ekran dhe gjykoni vetë.
Ekrani hapet, para protestuesve përvijohet një ëngjëll. Është zëdhënësi i qeverisë së distriktit të tyre në parajsë. I falënderon të tubuarit për mbështetjen për tre bashkëqytetarët e nderuar. Meqenëse është hera e parë që qeveria dhe krejt shoqëria jonë parajsore përballet me një ngjarje si kjo, i lejojmë vetes guximin me ju lutë për një mirëkuptim. Çështja është kështu. Zyrtarët e burgut kërkonin shujtë të zgjedhur për tre të burgosur, të cilët tashmë ishin pushkatuar. Zyrtarët e dinin çfarë kishte ndodhur me ta dhe prapë kërkonin ushqime të zgjedhura për ta. Kujt ia kërkonin këto ushqime? Nënave dhe grave të atyre të treve, të cilëve u ishte marrë jeta. Për kë ua kërkonin? Keshe për ata të tre, të cilëve u ishte marrë jeta! Ju e kuptoni vetë, qysh mund ta merrnin me mend njerëzit tanë të këtushëm një sjellje si kjo? Mund ta kuptonte fill, ma thotë mendja, qeveria e një distrikti të skëterrës, ajo po. Mund të kuptohej, mbase, edhe në një univers paralel, thjesht po hamendësoj, këtë nuk mund ta dimë. Nga tanët pra nuk mund të përkapej kurrqysh, përsërit zëdhënësi. Pikërisht pamundësia me i kuptue këto sjellje të skëterrshme, bëri që shestimi i qeverisë sonë për t’i gëzuar tre bashkëqytetarët me hajet ku ndihet era e duarve të nënës, të gruas a të motrës, të prodhonte për fat të keq, përftesë të kundërt. Siç e vutë re, ata u lënduan keq. Ju lutemi t’i jepet edhe një mundësi qeverisë sonë, që nuk i shkon mendja te ligësitë. Po zgjedhjet në skëterrë?, e pyet një zë Besa Shtrungzën. Lidhja u këput në vend dhe ekrani u bë korb i zi.
©Mehmet Elezi











