Letërsi

5 Fabula  nga Vangjush Saro

     

Vangjush Saro-shkrimtar, publicist 

VETËPËRMBAJTJE   

Bam (!) një çifte në pyllin e vjetër;
nga strofkulla doli zonja Dhelpër. 
“Po hedh njëherë sytë te përroi.
Ndoshta për mua diçka teproi:
ndonjë thëllëzë a ndonjë lepur…”


Por befas u dëgjua çiftja tjetër.
U kthye Dhelpra: 
“Kurrën e kurrës!
Më mirë pa ngrënë, se të lë lëkurën…” 

GRACKA

Një Merimangë bënte shëtitje 
te qoshja e fjetur, në hije;
dhe Miza qeshte tek e shihte,
që tirrte edhe endte fije.

"Po loz debilja, 
thosh me vete.
Nuk di të kullosë si unë..."
Pas një copë herë, ra në rrjetë,
e habitur dhe e trembur shumë.
Rrjeta u shkund nga njëqind dridhje,
por ishte vonë për ndonjë zgjidhje.

ZAGARI

Shkon korijes sy e veshë Gjahtari, 
shkumëzon aty përqark Zagari.
Strukur Lepuri në shkurre e shpresë, 
kot i lutet tjetrit mos e shesë:


“Mirë yt zot, se do më çojë në zgarë, 
ti përse vjen rrotull si i marrë?” 

ORKESTRA

Po dergjet s’ka më keq orkestra,
për atë Zot, diçka nuk po shkon mirë;
se Pianoja ra përmbys e shkreta,
m'u si deve në shkretëtirë...
Po Flauti? S’ jepet gjithsesi
as dhe Fagoti; kokën lart e mban. 
Oboja po derdh vetëm ëmbëlsi 
dhe Klarineta sa nuk qan. 


E prapë seç kemi një përshesh; 
gjithçka këtu po e merr lumi.
(Shumë vonë do të merret vesh:
Violinën e ka zënë gjumi…)

DAJTI dhe KULLA

Një kullë e lartë në Tiranë,
iu drejtua Dajtit me shpoti:
“Ja si vijnë punët, mor azgan:
jemi njësh tani, unë edhe ti...”

 

“Ke parë ëndërr, vetë jam i lirë, 
i tha Dajti që me retë lozte,
nuk më zihet fryma që pa gdhirë
dhe askujt në botë s'i kam borxhe.
Më në fund, nuk kam zili askënd;
me nder, 
as edhe pronarin tënd…