Letërsi

Letër miqve që më njohin - Nga Alfons Zeneli

U mërzitëm tashmë me cigaret,

me ngrënien e mëngjesit,

me minifundet, koktejlet u mërzitëm.

Durimit iu sos durimi për të pritur

ndodhinë pa Godo, pa fund.

Kaq të tmerrshëm po qënkan rreshtat e shprishur,

rebelimi i trupave,

lehjet e maceve dhe cicërimat e qenve

dhe arti absurd.

Se po na bren deri në asht ankthi i së vërtetës,

mbështetjet e pakuptimta në shtylla kryqëzimesh.

U mërzitëm tashmë me gjërat e pazakonta.

Po rrudhen rrugët nga hapat,

nga rrëmuja e mendimeve tanë të metaltë.

Po thyhen pasqyrat nga përmasat e hatashme

të shëmtimit tonë,

po e humbin ekuilibrin stinët,

po shfaqen epidemitë në dimër,

flokët po na bien në pranverë...

O Perëndi,

kur do krihemi

për t'u bërë të bukur

vetëm një herë?!

(1995)

©Alfons Zeneli