Letërsi

Një biletë falas për Barcelonë - Tregim nga Mehmet Elezi

Sekretarja u ndal nën një ulli. Dora e kthyer bërryl shtrëngonte dosjen e ditës. Ullinjtë në oborrin e vilës së shefit ishin krasitur të tërë njësoj, thua kishin qenë në floktore. Dalloi së largëti shpinën e tij ndërmjet degëve, nën T-shirtin me stemën e një ekipi italian të futbollit. Pantallonat e shkurta, të kuqe, i flakëronin. Shefin e kemi cool.  Dyqind metra më tej merrte frymë deti. Zhaurima e valëve vinte e zbutur. Sekretarja ndjeu se i qe kapur këmisha diku lart mbi gju dhe përvodhi me sy anash. Lëshoi dosjen mbi një vazo lulesh, u përkul dhe me një lëvizje jo aq elegante ngriti cepin e fundit. Këmisha e ngecur diku mbi gju ra në vend. Tej shëtiste shefi. Me një thupër të hollë në dorë, si thupërz pushke. Kalimthi fisklonte ndonjë trung, ashtu kot.

Sekretarja ndenji në hije, statujë e valëzuar me dosje në dorë. Shefi doli në rruginën mes ullinjve dhe shpejtoi hapin. Gjithnjë me shpinë nga sekretarja, duke u larguar. Shqiptoi diçka. Asaj i tingëlloi sikur i bërtiti dikujt. Sikur iu drejtua me një fjalë të pahijshme. Do ta kem dëgjuar gabim. Shefi rrahu ajrin me fiskël dhe hungroi. Ajo e dëgjoi sërish atë fjalën e pahijshme. Me mua e ka? Nuk. Shefin e kemi artist. Një natë kishte postuar në feisbuk një foto të denjë për një emër të madh të artit. Dielli duke u rrëzuar në zgrip të ujërave, në perëndim, pak më lart një hënë vajzuke, këmbëhollë, si e veshur me minifund. Natën e mirë, mik, i thoshte shefi diellit.  Të pëlqeu fotoja?, e pyeti të nesërmen sekretaren, kur ajo erdhi me dosjen.  Njerëzit u habitën, tha ajo.  Si i ka kapur edhe diellin edhe hënën aq pranë njëri-tjetrit, në të njëjtin muzg? Dhe thjesht me telefon, jo me fotoaparat profesional!  Po të mos ishte shefi, do të thoshnim është montazh. Njerëzit janë budallenj, tha ai. Ç’ne montazh, ç’nevojë kish për montazh. As diell s’kishte aty. Qe një llampë, në trajtë globi, mes pishave. Ajo dhe hëna.

Tej shefi vazhdonte lehtinën. Oborri i vilës mjaft i gjërë, më shumë kopsht se oborr. Herë pas here rrahte rruginën me majë të fisklës. I mëshonte dhe shqiptonte diçka. Nëpërdhëmbte atë fjalën e pahijshme. Zëri vinte si hungrimë.

Do ta kem dëgjuar gabim, tha rishtazi ajo, pasi ia dorëzoi dosjen. Shefi iu duk në formë. Shpesh burrat e mëdhenj mendojnë me zë. Burrat si shefi janë të rrallë.

Sekretarja erdhi prapë një ditë më pas, në të njëjtën orë. Shefi po bënte të njëjtën shetitje përmjedis të njëjtëve ullinj. Vetëm qielli nuk qe i njëjti. Qiellin e kish mbuluar një lëpé e shpërlarë, pa shije. Vransinë, pa hije ullinjsh. Shefi nuk po nxitonte. Nuk po e priste ajrin me thuprën e hollë. Nuk e shqiptoi atë fjalën e pahijshme. Kushedi me kë e ka pasur dje, tha sekretarja. Shefi mendon me zë. Burrat e mëdhenj mendojnë me zë.

Kur erdhi në nesret, me dosjen plot, shkëlqente dielli.  Shefi vijonte shetitjen nëpër rruginën e përmbytur me rreze. Përpara shkonte hija e tij e gjatë. Shefi shpejtoi hapin. Rrahu me fiskël barin përpara dhe shqiptoi atë fjalën e pahijshme. Po grindet me dikë, tha sekretarja. Dhe ky dikush është femër. Në gji i lëvizi një ndjesi e përzier.

Katër ditë rresht skena u përsërit pikë për pikë.

Ditën e pestë u shtua një ndodhi. Përskaj vilës së shefit kalonin çdo mbasdite do të rinj të zhurmshëm, dukeshin si studentë. Kthenin kryet kah vila për kërshëri, i thoshin ndonjë fjalë shoqi-shoqit, duke e këqyrur me bisht të syrit shefin me pantallona të shkurta me ngjyra të ndezura, që bënte tifo për skuadrën italiane, dhe merrnin nga deti. Njëri prej djemve nuk u turr nga deti. U ndal dhe hodhi në feisbuk një video tri sekonda. Në video shefi ecte me hap të shpejtë dhe i mëshonte me thupër rruginës para vetes, sikur donte me vra një hardhucë. Se ç’murmurinte. Nga tërë çka shqiptonte, në video kuptohej vetëm fjala kurvë.  Kujt po ia lëshon ky zotnia atë fjalë çnderuese? Kaq qe videoja. Një fakt dhe një pyetje.

Të nesërmen sekretarja erdhi me dosjen nën sqetull, pa ditur ç’qëndrim me mbajtë. Me u shti sikur nuk dinte për videon? E kishin botuar portalet. Gjithfarë komentesh, nuk numroheshin. Ndoshta shefi do ta ketë thirrur komandantin e gardës. Kapterr në prapavijë do të shkosh, more vesh?! Pse lejon me u afrue njerëz pranë vilës e me ba këso montimesh të pafytyra? Njerëzit që i shohin kanë nivelin tënd, e ndajnë dot ata çka është e njëmendtë e çka e sajuar?

Videoja tri sekonda paskesh qenë vetëm antipasta. Pjata kryesore erdhi fill mbrapa. Pa kaluar njëzet e katër orë portalet gëlonin me një video tjetër. Kësaj here regjistruar me dron. Në video shefi duke u kthyer rruginës kryesore të oborrit. Me hap të shpejtë. Përpara, hija e tij e gjatë. Ai e ndjek hijen e tij të gjatë. Nuk e mbërrin dot. I mëshon me thupër fort, sikur po mbyt tashmë jo hardhucë, por gjarpër. Kot e ke, nuk më ik dot, moj kurvë, i thotë hijes së vet. S’ke të gjallë pa mua. 

Videoja përfundonte me një pyetje: ky që kemi mbi krye është një i mençur apo një i marrë? Kush e gjen, fiton një biletë falas për të parë ndeshjen me Realin në Barcelonë!

©Mehmet Elezi