Letërsi

Të gjithë burrat e saj - Tregim nga Dashnor Kokonozi

E vuante çdo ditë e më shumë pafuqinë të dilte shëtitje në parkun e madh të qytetit. 

Të kërkosh të jetosh më tepër, do të thotë të abuzosh me jetën, thoshte me vete. Ishte çasti të ikte nga kjo botë.

Kur fikte dritën në darkë shpresonte se nuk do të ngrihej më. I ishin dukur mjaft të privilegjuar ata që e kishin patur një fat të tillë, të iknin në gjumë. Si një ndërrim stacioni, pa atë thyerjen brutale...

Një mbrëmje pati ndjesinë se vërtet edhe ajo bënte pjesë te klani i ngushtë i atyre që vdisnin në gjumë. Dhe të binte të flinte pa asnjë ankth, madje me kureshtjen se si do të ishte atje matanë. Mbase do të shihte edhe një herë të gjithë ata që kishte dashur në jetën e saj.

Kur hapte sytë mëngjes, qeshte me veten. Kishte kohë që nuk zemërohej më me të metat e veta.

Atë mëngjes qeshi me pasinqeritetin e saj. Vërtet kishte qenë e pasinqertë me veten. Gjithmonë kishte dashur të mos vdiste pa i parë edhe një herë të fundit burrat të cilëve u kishte thënë jo.  Dhe këtë ia kishte fshehur vetes.

Iu duk se së fundi e kuptoi përse nuk po vdiste.

I telefonoi taksistit të saj të zakonshëm dhe u ul të pijë kafenë.  

Kur zuri vend te ndenjësja e pasme e makinës, hapi ngadalë çantën dhe i zgjati shoferit një listë të gjatë adresash. 

Në darkë ndihej e lodhur dhe taksisti e ndihmoi të ngjitej lart në apartamentin e saj.

Kur u shtri ndjente ngazëllimin e një pune të bërë mirë.

Në të gjitha rastet kishte patur të drejtë që u kishte thënë jo. 

Mbylli sytë dhe nuk u ngrit më.

©Dashnor Kokonozi