Letërsi

Skënder Rusi: Poeti, mëkati, dashuria - Nga Vangjush Ziko

Fjala "mëkat" është fjala më e anatemuar në Librin e Shenjtë. Adami dhe Eva bënë mëkatin e parë biblik, mëkat i cili i zboi ata nga parajsa dhe na bëri edhe ne trashëgimtarë të ferrit tokësor. Njerëzimi, njeriu i thjeshtë apo shoqëria njerëzore, ka mëkatuar në rrjedhën e kohërave dhe, ose është përpjekur ta fshehë mëkatin, ose i është lutur Perëndisë që t'ia falë.

Poetët, në përgjithësi, e kanë shpallur sheshit duke i kënduar mëkatit pa pasur ndroje dhe frikë.

Paradoksale!

Në përmbledhjen e zgjedhur "Digjen meteorë" të poetit Skënder Rusi, të perpiluar me kujdes dhe me dashamirësi nga poeti i mirënjohur dhe studjuesi i apasionuar dr. Moikom Zeqo, janë përfshirë edhe mbi tridhjetë poezi që i këndojnë "mëkatit". Fjala është për "mëkatin e mishit".

Ky mëkat është bir apo bijë e pasionit njerëzor. Është trill apo fiksion, një provokim i natyrës njerëzore, që lakmon atë që nuk e ka dhe i pëlqen ta ketë të tijën, qoftë dhe për një çast të vetëm.

Për poetin Skënder Rusi, ky mëkat vjen si një trill i moshës së thinjave, që kërkon të kompensojë defiçitet e paplotësuara të rinisë ("Tepër vonë", "Në atë mbrëmje studentësh"):

“Ke ardhur vonë. Tepër vonë.

Kur dimri krejt më ka pushtuar,

Kur vdekja firmën ma kërkon

Ndoshta në ferr për të më çuar.”

Në çaste të tilla njeriu e ndjen veten "një diell të perënduar" që i duket se nuk ka për të rilindur më dhe kërkon të jetë ndopak i çmendur “në këtë botë të trishtë”. Mëkati për të është një "rrebesh ndjenjash", që vjen rrallë, por të bën të mëkatosh, “të ndërrosh shtrat” ashtu siç ndodh me lumenjtë, që në kohë rrebeshesh “futen nëpër shtretër të tjerë”. Ashtu ndodh dhe me pasionet e papërmbajtura njerëzore, që shpërthejnë, mëkatojnë të penduar:

“Unë i dua lumenjtë,

se ata vetëm në det

pranojnë të vdesin.

Dhe tradhëtojnë rrallë,

shumë rrallë,

Jo çdo ditë si njerëzit”

Ky "mëkat" është dy llojesh: "i shenjtë" dhe "zgjedhje fatale". Shenjtëria e të parit justifikohet nga poeti me misionin profetik të krijuesit: "kush kryqëzohet me poetin/o bëhet Krisht, /o Perëndi" ("Kryqëzim").

I dyti është pasojë e vesit biologjik njerëzor që "dashurinë kërkon gjer tek e pamundura" ("Gruaja mëkatare").

Të dyja llojet e mëkatit, letrarisht, janë të njëllojtë, na japin të njëjtin produkt për poetin, i cili e ka emrin “poezi lirike”.

Për këtë poezi po flasim.                          

Poeti Skënder Rusi nuk i përket grupit të poetëve "bohemë", apo poetëve që u këndojne trilleve të dashurisë "pa dorashka". Ai është sa i përmbajtur, delikat aq edhe "i pacensuruar", spontan në ndjenjat e veta. Duke i kënduar "mëkatit", ai nuk harron për asnjë çast se, mbi të gjitha, mbi ndjenjat dhe pasionet njerëzore qëndron dashuria e vërtetë dhe e shumanshme.

Për heroin lirik të poetit dashuria është një formë e ekzistencës së qenieve njerëzore të dy të dashuruarve, që thithin ajër nga fryma e njëri-tjetrit ("Çuditërisht"). Ajo i ngjall ndjenjën pasionante të joshjes dhe të sakrifikimit ("Meditim"); ai dhe në dy varre do të pranonte të tretej, vetëm që femra, që ai dashuron, të mos kishte asnjëherë vdekje ("Që ti të mos vdesësh"):

“Fëshfërimë ere,

fjalët e tua.

Shpirti yt sensibël,

si i asnjë tjetre.

Edhe në dy varre

do pranoja të tretesha,

Që mos kishe ti

asnjëherë vdekje”.

Largimi, qoftë dhe i përkohshëm, i femrës së dashuruar i ngjall trishtim dhe e bën të harrojë vetveten ("Natën buzë Nilit"). Kjo është një dashuri reciproke dhe e natyrshme, që nuk ka të bëjë aspak me dashurinë platonike. Sekretin e kësaj dashurie e ruan të shenjtë zemra e poetit, e cila e di sekretin e mëkatit:

“Ishte një vajzë,

Që qeshte e më thosh:

“Poetët janë të çmendur!”

Ngrita dorën ta godisja një mbrëmje,

E në të vërtetë e përkëdhela më ëmbël.

Janë ca gjëra

në këtë jetën timen.

Merrini ato e bashkojini të tëra,

Dhe keni për të gjetur sekretin

e shumë dashurive.”

Midis "poezive mëkatare", në vëllim gjejmë edhe poezinë "Gratë e poetëve". Gruaja e poetit, na thotë kjo poezi, është fillimi i çdo vjershe dhe fundi i çdo marrëzie të madhe, "ëngjëlli shpëtimtar". Më duket interesant fakti që kjo vjershë është shkruar në një vend të huaj, në një shtet evropian. Ajo me tingëllon si një "apologji" apo "autokritikë" e heroit lirik. Siç duket, bota e huaj, me shfaqjet e saj, e ka bërë të reflektojë për një çast. Ajo i ka nxjerrë përballë "modelin" e njeriut (dhe të krijuesit artist) që "unazën martesore" të vënë përpara altarit të Zotit dhe librit të Ligjit (opinionit shoqëror) e ka shkrirë me kohë në laboratorin e alkimisë martesore dhe përpiqet të nxjerrë në dritë "gurin filozofik" të lirisë individualiste, të bashkëjetesës së dashurisë dhe të mëkatit bashkëshortor.

Mbi heroin lirik të shqiptarit Skënder Rusi (dhe jo vetëm të tij), për heroin lirik të poezisë sonë, në përgjithësi, vigjëlon akoma hija e "herezisë". Kjo "bashkëjetesë", thotë poeti, është një dramë e cila mund të shkaktojë "rrënoja të një tradhëtie të mundshme" dhe "dimër ndjenjash bashkëshortore" ("Gratë e poetëve"). Ky hero lirik jeton me unazën e artë ne gishtin e katërt të dorës së majtë (ose të djathtë), kurse në ëndërr ai ve dhe unazën e padukshme të "dashurisë mëkatare"; në ëndërr dhe... në një çast "rebelimi" të pasionit...

Skënder Rusi në poezinë "Ndodhi një ditë" na përmend Seremben dhe Eseninin. Domethënë lirikën e tyre.

Poezia e Serembes është modeli i puritanizmit lirik dashuror.

Lirika e Eseninit është modeli i shkapërderdhjes së dashurisë tragjikisht andej-këtej nëpër mëkate fatale.

Poeti ynë përpiqet t'i gërshetojë që të dyja këto modele. Në poezinë e tij, pra, bashkëjetojnë "dashuria” dhe "mëkati".

Asgjë paradoksale. Edhe në jetë të kundërtat rrinë pranë e pranë.

Poezia e Skënder Rusit është midis më të lexuarave, ajo është joshëse për çdo moshë dhe seks. Ajo ka tërhequr me kohë vemendjen dhe pëlqimin e lexuesit. Është bërë e njohur në shkallë kombëtare. Në një miting poetik kushtuar kësaj poezie (unë kam pare video-kasetën) publiku, që mbushte sallën, duartrokiste poezitë "mëkatare" të autorit, që u recituan nga aktorë të njohur. Duartrokiste poezitë apo aktorët? Sigurisht, të dyja. Dhe, patjetër, edhe "mëkatin".

Paradoksale!

Kjo, për mua, do të thotë se kjo poezi pasqyron një raport publik të ri midis këtyre dy të kundërtave edhe tek ne. Kodi i etikës sonë morale, si komb, nuk e ka pranuar hapur tradhëtinë bashkëshortore. Atë e ka dënuar Kanuni. Siç e pat dënuar edhe Dekalogu i profetit Moisi dhe Testamenti i Ri. Bile, shqiptari nuk e ka praktikuar në jetë lirinë kuranore për t'u martuar me më shumë se një grua. Ndërsa kultura mijëvjecare e qytetërimit europian e ka sfiduar me kohë këtë, ka përqafuar “revolucionin seksual”. Sistemi i vlerave morale, siç duket, po lëkundet edhe tek ne.

Edhe Skënder Rusi, poezia e tij, nuk mund ta anashkalonte këtë dukuri. Edhe poezia lirike jeton me kohën e vet. Sigurisht, vetë poezia nuk e ndryshon botën, ajo ndihmon për ta kuptuar dhe për ta duruar këtë botë të mbushur me më shumë mëkate se sa me dashuri.

Joshja poetike e poetit ndaj "mekatit" nuk është gjë tjetër veç se një ritual sinqeriteti përpara Muzës, perëndeshës virtuale të poetëve. Pra, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe dhe me poetin tonë. Vetëm Hyjnisë nuk ia fsheh dot asgjë. Dhe jo vetëm kësaj. Edhe përpara idhujtarëve (lexuesve) poeti nuk mund të shfaqet veç se me fytyrën e tij të vërtetë. Ndryshe nuk të beson, nuk të adhuron askush. Arti i vërtetë fillon me sinqeritetin. Dhe veçanërisht dhe, ekskluzivisht, Lirika.

Skënder Rusi është poet i mirëfilltë dhe i pastër lirik. Është poet që del me zemrën në dorë përpara lexuesit të vet, siç del përpara llauzit predikuesi me kupën e kungimit. Poeti del me kupën e Poezisë të mbushur me gjakun e zemrës së tij, qoftë ky gjak i përzjerë edhe me... "uthullën e mollës së Evës". Ç'kuptim do të kishte po ta mbushte vetëm me "verën e shënjtëruar"! Tempulli i tij (Poezia) do të mbetej bosh pa besimtarë (lexues)…

Dhe, për ta mbyllur këtë meditim rreth lirikës së Skënder Rusit (ai trajton dhe tema të tjera të rëndësishme, si raporti midis jetës dhe vdekjes, miqësisë dhe pabesisë, smirës), për të qenë i sinqertë dhe i saktë plotësisht (jo për një "happy end").

Poeti jo vetëm na dëshmon që kjo botë është e mbushur me mëkate, ai e dënon këtë "marrëzi të bukur", që e shtyn njeriun gjer në ekstrem sa të kërkojë "dashurinë" edhe atje ku nuk mund të gjendet, në "zanatin më të lashtë në botë"... Është e kotë dhe e turpshme, na thotë ai, që ky "mëkatar" apo "mëkatare" të kërkojë falje për një gjë që do ta përsëritë.

Poeti e ka fjalën për gruan, që burrin “s'e bëri dot “të dashur” dhe “dashurinë” e kërkon tek e pamundura:

Grua që ke bërë

zgjedhjen tënde fatale,

unë s'të them, mos shko në kishë

të lutesh.

Por them se është e shëmtuar

të kërkosh falje,

Kur e di që prapë

do shkosh të puthesh...”

Kredon e tij të vërtetë morale poeti na e shpall natyrshëm në poezinë "S'dua të të humb":

"Nuk jam perëndi

siç më ke ditur.

as kam qenë ndonjëherë Krisht...

“Në se do më ndodhte

që ndonjërës,

T'ia fal gjysmën më të mirë

timen,

Kjo do të jesh ti

që ke kuptuar,

se mëkati vdes

prej dashurive".

Po!

Në qoftë se mëkati lind atje ku ka vdekur një dashuri, mëkati vdes në çastin kur lind dashuria e vërtetë.

©Vangjush Ziko (Nga libri “PËRSIATJE”, 2017)