Kodi i poezisë së Luljeta Lleshanakut - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Toronto
Poeti dhe eseisti nobelist Josif Brodski shkruan: “Thurja e vargjeve është procesi i njohjes, i cili nënkupton lidhjen midis fjalëve, proces që shkakton një pështjellim përshpejtues tronditës”.
Është, pikërisht, procesi i vendosjes pranë e pranë jo vetëm të fjalëve, por edhe ngjarjeve, mendimeve, karaktereve dhe mentaliteteve të ndryshme, gjeneratori kryesor i krijimtarisë poetike të Luljeta Lleshanakut.
Tematika e këtyre krahasimeve në krijimtarinë e saj është nga ajo kohë të cilën ajo e quan “pothuajse dje”, kohë e cila i ka lënë ndijime të pashlyeshme në kujtesën e saj “të mefshët” të fëmijërisë.
Nga ballafaqimi i tyre me kujtesën e saj të maturuar, lind tek poetja procesi përshpejtues “tronditës” i cili e çon atë drejt zbulimit artistik krejt të veçantë. Pa këtë produkti poetik do të ishte, thjesht, një rrëfim i zakonshëm në vargje.
Tematika e poezisë së Lleshanakut është marrë nga jeta. Spektri i saj është mjaft i pasur: tema e vetmisë, instikti i verbër i jetës, meskiniteti, fataliteti, vazhdimësia gjenealogjike, mëkati, frika dhe stepja përpara botës së madhe përtej malit, zbulimi i kësaj bote të munguar për breza të tërë, babëzia apo indiferentizmi ndaj pronësisë së tokës, etika familjare dhe ajo kolektive etj.
Është, gjithashtu, kjo figurë letrare, krahasimi, i cili përcakton edhe kompozicionin e poezisë së saj lirike mbresëlënëse.
Këtë e pohon shprehimisht edhe W. N. Werbert: “Ajo është një krijuese e talentuar e krahasimit... Ky mjet shfaqet shumë unik tek Lleshanaku”.
Poezia e Luljeta Lleshanakut ka një kompozicion të veçantë dhe të papërsëritshëm. Kjo, zakonisht, fillon me një sentencë aforistike, e cila është lakonike dhe me fuqi të madhe shprehëse, një mendim ose gjykim i mprehtë me fjalë të zgjedhura dhe me një kuptim të qartë. Në të gjejmë të shprehur një përvojë intime personale apo shoqërore, një shprehi apo zakon të ngulitur nga një pësim, një rit, një ves, një traditë, një lajm i vonuar etj.
Sentenca që paraprin, zakonisht, poezinë e Lleshanakut, përcakton lëndën e poezisë dhe objektin e krahasimit. Ky “prolog”, si pjesë kompozicionale e kësaj poezie, është hapi i parë i procesit analitik.
Zakonisht, faktorë kryesorë kompozicionalë të poezisë metrike janë: metri, rima dhe ritmi. Janë, pikërisht këta, që krijojnë unitetin kuptimor dhe artistik të krijimit.
Lleshanaku ka zgjedhur jo vargun metrik, por vargun e lirë. Ky varg bazohet tërësisht në procesin analitik, i cili bën shpërndarjen dhe vendosjen e materialit artistik në bazë të logjikës krahasimore. Ky proces përcakton edhe ritmin poetik.
Krahas këtij procesi dhe paralelisht me të, zgjohen kujtimet, zgjohet intuita artistike dhe fillon procesi intuitiv, i cili ka lidhje me gjuhën, me semantikën, kuptimin e figurshëm të fjalëve. Rrjedhimisht dhe, krejt natyrshëm, poetes i vjen në ndihmë tropi i krahasimit.
Që nga poezitë e para të Lleshanakut më ka mbetur në kujtesë një krahasim i ashtit të kraharorit, klavikulës së malësores, me purtekën e një gardhi. Duke lexuar poezinë e saj në vite dhe, kryesisht, vëllimin “pothuajse dje” e them me bindje se tropi i krahasimit është ashti i vargut të Lleshanakut.
Në krahasimet e Lleshanakut, siç pohon John Bradley vërejmë “zhvendosjen nga e zakonshmja tek e thella”.
Ajo “fundin e heroit të filmit” e krahason me “apokalipsin e parë të diellit”; “kureshtjen e mefshët” (të fëmijërisë) me “togjet e dëborës” hedhur pa kujdes në njërën anë të rrugës; njeriun e “vulosur me mbijetesë” e krahason me “ariun polar”, që “ushqehet me këlyshët e tij” etj.
Lleshanaku bën krahasime të zgjeruara dhe paradoksale, befasuese, me elementë mistikë kur krahason qivurin me kallëpin e mumjes, qivur që është i veshur me “mëndafsh safi nga brenda, pala-pala” i cili “mund të tresë edhe një buldozer”. Një përqasje kjo fizike dhe metafizike e sendit me një organ të trupit të njeriut, stomakun, duke ia kaluar sendit pa jetë atributet funksionale të këtij organi të gjallë dhe më tej duke na yshtur me krahasimin asociativ: stomaku mban gjallë trupin, jetën e qenies, “qivuri pala-pala të mëndafshta” “ushqen” vdekjen.
Krahasime të tilla shtrihen edhe në krahasime me dukuri sociale, me kode intime, familjare dhe shoqërore.
Në poezinë “Duhani” është jeta familjare ku zhvillohet “dueli i heshtur” midis gruas së nënshtruar dhe burrit “sovran”, është jeta në mjedisin kolektiv, në kafene, në mjedisin e “dëshpërimit vjollcë” ku tymi i cigares është “shiriti i zonës së aksidentit” që “nuk lejohet ta shkelësh” nderin, kurse “tavlla” është “kërthiza” e mbushur me fibrat e rrobave (zakoneve patriarkale), që kalben në trup”. Pulsimet e zjarrit dhe tymi i duhanit, shpirti i trazuar i burrit autoritar dhe “fibrat e rrobave që plaken në kërthizë, në fund të ditës”, janë simboli i një “lufte pa lavdi” brenda familjes dhe në mjedisin shoqëror.
Krahasimet e Lleshanakut e vënë theksin në ngjashmëritë, jo thjesht të një sendi, të një frymori, por edhe të dukurive të ndryshme, të ngjarjeve, përjetimeve intime, të situatave psikologjike, apo të veprimeve të ndryshme njerëzore, në ngjashmërinë e tyre me dukuri të tjera morale, etike, mendore, botkuptimore brenda vetes dhe përvojës kolektive njerëzore, krahasime të gjera dhe të hollësishme, shpesh herë krahasime abstrakte dhe paradoksale. Ajo guxon të bëjë krahasime edhe me nuancat më të holla psikologjike të shpirtit të njeriut, me sekretet e qenies njerëzore, në atë që e quajmë intimitet enigmatik, në surprizat fiziologjike të trupit, të befasive të tij edhe për vetë personin, dhe, konkretisht, për femrën.
Në poezinë “Vonesa e trupit” krahasimi kalon midis etapave të jetës: të rinisë së shkujdesur, të mëmësisë dhe të moshës “të ngecur në trafikun arterial”, sepse “trupi nuk ka nostalgji”, ai, tashmë, është shndërruar në një “tempull” dhe “nuk i ka mbetur më asgjë tjetër për të besuar”.
Poetja ndërton edhe krahasime disaplanëshe brenda një poezie, si tek poezia “Me fatin e shkruar në fytyrë” ku krahasohen personazhe dhe karaktere të ndryshme, të gjithë me një vulë të njëjtë tragjike: djaloshi me një vrimë blu në zemër, princi i lindur para kohe nga një mitër e sëmurë, gruaja që ka pritjen të vulosur në fytyrë, djaloshi me sy të trishtë i prerë për listat e rekrutimit, i vulosuri me mbijetesë, që ushqehet me këlyshët e tij si ariu polar, të gjithë “të mbyllur si teorema”, u ngjajnë shokëve të Odiseut me veshët e zënë me dyllë në shtegun e sirenave, “në pritje të një urdhri të dytë/të cilin do ta injorojnë gjithsesi”.
Lleshanaku i kapërcen kufijtë e krahasimit të zakonshëm. Ajo përdor me mjeshtëri të rrallë krahasimin e gjerë dhe të pasur me shumë hollësira, që arrin shpesh te kufiri i metaforës, Similitudën (Përngjasimin).
Arsyeja e kësaj zgjedhjeje është objektive dhe thelbësore për autoren. Kjo diktohet nga koncepti i saj artistik dhe estetik mbi pasqyrimin e realitetit, të palimpsestit të një realiteti konkret, realitet me të cilin është e lidhur me shumë fije shpirtërore, me shumë kujtime të pashlyeshme, të dashura e të dhimbshme, por me të cilin nuk pajtohet plotësisht në planin moral dhe atë etik. Këtë realitet mund ta pasqyronte vetëm Similituda, e cila na jep vetëm ngjashmërinë, por jo pohimin, përputhjen e plotë me të.
Similituda ndryshon nga metafora. Metafora krijon një identifikim të plotë me vetë sendin apo fenomenin e krahasuar, ajo është një tejmbartje. Similituda është tropi që vulos të veçantën në poezinë e Lleshanakut, është kodi i krijimtarisë së saj në vëllimin poetik me titullin “pothuajse dje”.
Për ta mbyllur, po perifrazoj vargjet e saj sintagmë:
Kaq munda të thosha për këtë të veçantë mbresëlënëse të mjeshtërisë së poetes Luljeta Lleshanaku poezia e së cilës është vlerësuar dhe çmuar, jo vetëm në vend, por edhe në të tjera gjuhë ku është përkthyer dhe ka fituar çmime të merituara.
©Vangjush Ziko











