Letërsi

Vangjush Ziko - Bisedë me poeten Luljeta Lleshanaku

-Cilat janë temat kryesore të poezisë suaj? Sa janë përjetime personale dhe sa nga bota që ju rrethon?

-Më kujtohet para disa vitesh, drejtoja një workshop në shkrimin krijues në një konferencë në Reno, Nevada, dhe një nga pjesëmarrësit, një zonjë në moshë, kishte shkruar diçka për luftën në Irak (me sa mbaj mend), nga pozita e një nëne, që humb të birin në luftë. Poezia tingëllonte disi artificiale, dhe e pyeta me delikatesë, se nga i vinte ky ngacmimim: a mos kishte pasur ndonjë bir apo të afërm ushtar? Ajo më tha jo, por thjesht nga televizioni. Dhe gjatë analizës, të dyja ramë dakord që poezia çalonte pikërisht në zgjedhjen e gabuar tematike, duke improvizuar një situatë të cilën ajo nuk e njihte nga brenda dhe se kjo zgjedhje e gabuar rezononte në të gjithë elementët e besueshmërisë në tekst.

Pra, me këtë shembull, desha të ilustroj edhe marrëdhënien time me realitetin, në tematikën që zgjedh. Bindja ime është që nuk mund të shkruash për gjëra me të cilat nuk ke një lidhje emocionale; mund të improvizoh rrethana, skena, situata, karaktere, por jo emocione. Ndaj temat e mia, burojnë kryesisht nga përvojat personale. Janë ato përjetime të cilat i kam kaluar një mijë herë në mendje, ato persiatje të vazhdueshme që vijnë si nevojë për të kuptuar por edhe shpjeguar natyrën e gjërave. Pasi akti i të shkruarit është një kureshtje e artikuluar me fjalë. Këto tema janë: liria në të gjitha nivelet, mbijetesa morale, identiteti, njeriu përballë natyrës, dashuria në gjithë komplesitetin e saj, njeriu përballë së panjohurës, humbja e pafajësisë, natyra e përkohshme e gjërave, dinjiteti, absurdi, roli i fatit në rrjedhën e ngjarjeve, etj. Por, ka edhe poezi të cilat duket se e marrin temën jashtë meje, siç është poema “Homo Antarcticus” e cila bazohet në një ngjarje historike, që është aventura fatkeqe e një grupi eksploratorësh në Antarktidë, të drejtuar nga Ernest Shackleton në fillim të shekullit të XX-të, poemë, e cila, megjithë informacionin e huazuar nga tekstet historike, ditaret dhe biografitë, në secilën pjesë të saj, ka improvizime, që nuk janë gjë tjetër vecse adoptim i përvojave personale brenda një konteksti tjetër, duke e veshur ngjarjen me kuptime të reja, duke krijuar nëntema dhe konkluzione të reja, siç janë: instikti i të mbijetuarit dhe sfida e të jetuarit në kushte normale, liria përballë identitetit, vetëmohimi, miqësia si një virtyt i nënvleftësuar në kohën tonë, pragmatizimi i jetës në shoqërinë moderne, kuptimi i jetës në tërësi, etj. E ku ka më mirë se të riciklosh një ngjarje të bujshme se kjo e cila ka hyrë në kujtesën njerëzore si modeli i lidershipit, për të folur për sensin e përgjegjësisë, për sakrifikimin e ambicjeve personale në emër të përgjegjësisë, në një kohë si kjo jona, që, për mendimin tim, karakterizohet nga një krizë e thellë politike dhe morale.

-Juve ju tërheqin provinca, bota e vogël, detajet intime të jetës njerëzore. Dy fjalë për strategjinë tuaj krijuese për të arritur përgjithësime estetike universale?

-Unë jam rritur në një qytet të vogël, qytezë, por e gjithë Shqipëria, në një farë mënyre, ishte një lloj provincë duke marrë parasysh izolimin fizik dhe kulturor të 47 viteve, periudhë që përkon edhe me formimin tim. Pra, unë mendoj se janë mundësitë e komunikimit ato që e konservojnë një vend, një kulturë, dhe jo shtrirja demografike. Dhe provinca si e tillë, krijon mikro-kozmosin e vet, me kodet, kufizimet, mitet dhe iluzionet e veta, krijon tablonë e vet unike. Tek ky lloj “provincialiteti” e gjej shpjegimin pse shumë nga shkrimtarët, edhe ata të brezit tim dhe më të rinj, preferojnë t’i kërkojnë subjektet në të shkuarën. Pra nisem nga nisem, dhe kthehem atje, në atë periudhë ku gjërat ishin të prera qartazi, të kodifikuara, madje bardhë e zi, si të përshkuara me rreze Rëntgen. Me atë lloj minimalizmi të detyrueshëm, stili jetese, marrëdhëniesh të zbërthyera në rrethana të pazakonta, me një sistem të gatshëm konvencional - për një shkrimtar përbën një skenografi të gatshme, por edhe dramë të gatshme.

Natyrisht që një arsye tjetër e tërheqjes drejt provincës, si pothuajse tek të gjithë autorët, është marrëdhenia e fortë me natyrën, që nuk ta ofrojnë zonat urbane. Në një nga poezitë e mia, “Njeriu pa tokë”, unë shkruaj: “Gjyshi im bleu tokë, bleu tokë pafund/ zgjodhi rrugën horizontale/ për të folur me Zotin”, duke nënkuptuar atë natyrë meditative / urtësinë, që të fal marrëdhënia e heshtur me natyrën.”

Nëse vërtetë ia dal të përcjell mesazhe universale ashtu siç thoni ju, kjo mendoj se vjen si rezultat i një procesi të gjatë mbivendosjeje përvojash dhe analizimi i të përbashkëtave, duke u përpjekur të deshifroj “pse”- në pas secilës prej tyre. Në momentin që unë e kam përgjigjen (madje edhe për ato imazhe e metafora, që vijnë në mënyrë krejt intuitive dhe jo si rezultat logjik), atëhere e organizoj logjikisht lëndën në një argument poetik, ku edhe strehohet ideja.

Një nga gjërat që kam arritur të kuptoj nga puna ime gjatë gjithë këtyre viteve, është që universalja nuk mund të vijë kurrë si qëllim në vetvete, dhe në mënyrë paradoksale. Sa më modeste të jenë kërkesat për audiencë, sa më personale dhe unike të jenë detajet, aq më shumë e gjen veten në to lexuesi, çdo lloj lexuesi dhe kudo në botë. Me sa duket, në thelb jemi shumë të ngjashëm, arketipe, dhe mjeshtëria e shkrimtarit mbetet gjetja e atij shtegu primtiv drejt këtij thelbi.

-Kritikë të shquar ju kanë quajtur “një krijuese e talentuar e krahasimit”. Krahasimi ka të bëjë me psiqikën, me shoqërimin e ideve. Sa vend zënë subkoshienca dhe fantazia në krijimtarinë tuaj?

-Mendoj se ndryshimi midis metaforës dhe krahasimit është thjesht formal. Me pak punë, një krahasim, mund të kthehet lehtësisht në metaforë, gjë që kam filluar ta bëj kohët e fundit. Por rezistenca ime me krahasimin, ka qenë një element stilistikor, si një analogji më direkte, edhe më e papërpunuar, por që jep efekt të menjehershëm atëherë kur është e goditur. Metafora, parabola, janë forma më të rafinuara, por që qëllimisht nuk i kam zgjedhur shpesh, edhe pse krahasimi, njëlloj si këto të fundit, vjen vetvetiu, në një mënyrë të pakontrolluar. Kjo është intuita artistike, të cilën e kemi të vështirë ta kuptojmë. Është njëlloj si të futesh në garderobë, e të zgjedhësh ato veshje dhe aksesorë që kombinohen e alternojnë me njëri-tjetrin, pa pasur një shpjegim se pse. Thjesht e ndjejmë që janë gjërat e duhura. Por vetëm në një reflektim të mëvonshëm, arrij të kuptoj se pse imagjinata, në një moment të caktuar të sugjeron njërën apo tjetrën, pra, arrij të zbuloj thelbin e përbashkët. Lidhur me raportin midis subkoshiencës dhe fantazisë, unë mendoj që subkoshienca është pjesë e fantazisë, por e vështirë për t’u identifikuar. Fjala vjen, unë fantazoj shpesh tokat e bardha, akullnajat, dhe jo rastësisht imazheve të tilla u kam dhënë mjaft vend në poezinë time. Simbolizojnë asgjënë, zhdukjen, hiçin, paqen sterile. Mendoj se ka të bëjë me shpirtin tim të trazuar, me ngarkesën që kam pasur që në fëmijërinë time për shkak të identitetit.

-Çdo vepër letrare ka strukturën e vet. Ju përdorni kryesisht vargun e lirë. Cilin element të strukturës poetike vlerësoni më shumë: ritmin, gjatësinë e vargut apo tekstin në tërësi?

-Mbase nuk do të më besoni po t’ju them, që unë as edhe një herë, as në fillimet e mia, nuk kam menduar për strukturën paraprakisht, pra asnjë zgjedhje e tillë nuk është bërë me vetëdije. “Çfarë”, ka qenë më e rëndësishme se sa “si”. Dhe kur kjo “çfarë” eshte e fuqishme dhe bindëse brenda meje, ajo e krijon vetë shtratin e vet, dmth, formën e vet. Tamam si një lumë. Kjo madje më ka shërbyer herë pas here, edhe si një lloj testi me veten. Kur poezia filloi të bëhej më narrative, sidomos në poemat e gjata që kanë subjekt madje edhe karaktere, atëherë edhe vargjet u bënë më të gjatë, dhe më prozaikë. Rima e fortë, tërheq vëmendjen drejt melodicitetit të poezisë dhe jo përmbajtjes, çka nuk është as synimi dhe as pika ime më e fortë, dhe natyrisht të kushtëzon edhe në leksik, ndaj përfundoj në një rimë të butë. Idetë që komunikon poezia, brendia e gjërave, toni, ritmi logjik, kanë qenë elementët e rëndësishëm për mua, ndaj edhe aktorëve, gjatë prezantimeve, u kërkoj thjesht ta asmilojnë mirë poezinë më parë dhe ta lexojnë ngadalë.

-Çfarë roli i jepni lexuesit dhe si e realizoni?

-Mendoj se e para është sintaksa ajo që ndihmon shumë në intonacionin, dhe si e tillë, edhe hapësirën që i lë lexuesit. Mënyra se si renditen fjalët në një varg, ose të fton (pra lë një shteg të hapur për lexuesin), ose të lë jashtë, dhe unë synoj të parën. Besoj se kjo është edhe një nga tendencat e poezisë së sotme kudo në botë. Futja e stilit bisedimor, sikur ndihmon në krijimin e një dialogu me lexuesin. Ndërkohë, përdorimi i imazhit si mjeti kryesor në poezinë time, është ndoshta elementi më eficent në komunikimin me çdo lloj lexuesi, pasi imazhi flet vetë, imazhi është universal, dhe i jep hapësirë e liri më të madhe lexuesit në perceptimin e veprës, duke u bërë në një farë mënyre pjesë e saj me imagjinatën e tij. Imazhi sugjeron, nuk imponon, dhe unë pikërisht këtu e shoh sekretin e një leximi të mirë.