Vangjush Ziko - Bisedë me Rudolf Markun
-Mendimi i Bergsonit mbi perceptimin e kohës nga ana e njeriut si rrjedhë brenda nesh, ky botëkuptim i ri, solli dhe ri-interesimin për mitologjinë, për të krijuar një model të ri mitologjik mbi botën. Si dhe sa ka ndikuar në krijimtarinë tuaj ky koncept?
-Nga Bergsoni kam lexuar vetëm “Matter and memory” - më duket se është dhe vepra e tij më e rëndësishme. E kam lexuar vetëm pasi u njoha për herë të parë me poezitë e T. S. Eliotit, në vitin e hershëm, 1972. Ishte koha kur isha i etur për të lexuar sa më shumë poezi. Kisha filluar të shkruaja dhe të botoja te Zëri i Rinisë krijimet e para. Kisha përkthyer poezi të Evgeni Jevtushenkos, nga librat Jablloko dhe Njezhnost, dhe, më duket, edhe nja 10 poezi të Aleksander Bllokut, poezi të cilat qarkullonin dorë më dorë në rrethe miqsh dhe krijuesish, natyrisht duke mos guxuar të shënoja emërin tim si përkthyes. Është leximi i “Waste Land” i T. S. Eliotit ai që ma ndryshoi krejtësisht përceptimin për poezinë. Mësova se Bergsoni kishte ndikuar te Elioti, dhe vetëm kjo më bëri kurreshtar të lexoj Bergsonin. Por nuk është se kjo la ndonjë gjurmë te poezitë që shkruaja… Interesimi im për mitet dhe historinë ka një burim tjetër, një arsye tjetër, jo letrare dhe jo filozofike. Dhe burimi është fëminija ime.
Kam lindur në Lezhë dhe jam rritur në Lezhë. Qyteti i Lezhës ka një sens historik të dukshëm, të gjithgjëndshëm, të cilën mund ta prekësh kudo. Shtëpia ku kam lindur dhe jam rritur, ishte nja 300 metra larg vendvarrimit të Skënderbeut. Muret ilirike dhe mesjetare rrethonin qytetin. Ne, fëmijët, luanim Luftërash me heshtat romake që i gjenim në rrënojat arkelogjike. Me monedhat e Filipit të Dytë të Maqedonisë, babait të Aleksandrit të Madh, që i gjenim mes gërmadhave, blenim akullore te shitësi ambulant i akulloreve, duke pretenduar se i jepnim monedhat e kohës. Monedhat e antikitetit, dhe ato romaket të Jul Cezarit, për feminine tone ishin monedha që shkonin, valid currency… Një shoku im i fëminisë, kur desh ta impresiononte vajzën me të cilën kish rënë në dashuri, i dhuroi asaj një lakrimore romake të cilën e kish mbushur me ujë, duke e gënjyer se e kish mbushur me lotët e vet nga dashuria e madhe që kishte për atë vajzë… Mësuesi im i letersisë në shtatvjecare, kur ishim trembedhjetë vjeçarë, na tha një ditë në klasë - …Më kujtohet një herë se si mësuesi im, Ndre Mjeda… Kur e dëgjova, nuk po i besoja veshëve, se mësuesi im i letersisë paskësh qënë nxënës i Ndre Mjedës, i cili më dukej shekuj i vjetër. Fëminija lë gjurmë të madhe në modelimin e mëvonshëm psikik të njeriut, e sidomos të krijuesit. Ne, fëmijët, në qytetin e Lezhës, jetonim me historinë, luanim me historinë… Të vegjël, nuk arrinim ta kuptonim. Vetëm vite më vonë e kam kuptuar se sa e rëndësishme paskësh qënë ajo periudhë e fëminisë për formimin tim të mëvonshëm, dhe sidomos për krijimtarinë time. Aty, në ato vite të fëminisë time, i gjej arsyet e interesimit tim subkoshient për mitet dhe historinë.
-Cilëve elementë të vargëzimit u jepni rëndësi parësore: ritmit, metrit, rimës, grafikës, ngjeshjes së mendimeve, rrymës inkoshiente të përjetimeve, ndjenjave, mendimeve, pasazheve, sintaksës gjuhësore apo tropeve dhe përse?
-Më duhet të them, se kur shkruaj poezi, as që nuk më shkon ndërmend se si do të shkruaj, dhe cilës do t’i jap rëndësi parësore a dytësore. Forma vjen vetvetiu sapo fillon të shkruash vargun e parë. Kjo besoj se u ndodh të gjithë atyre që shkruajnë poezi. Vetëm pasi disa ditëve, rilexoj ato çfarë kam shkruar, dhe jam në gjëndje të mendoj dhe për formën me të cilën ajo poezi është shkruar. Kam vërë re se më pëlqen të shkruaj me vargun e lirë, por dhe me strofa të rregullta dhe me rima. Vargun e lirë e kam admiruar kur kam lexuar, që në gjimnaz, Walt Whitman-in. Më është dashur kohë të kuptoj vështirësitë e disiplinës së vargut të lirë, dhe sidomos rëndësinë e ritmit të brendshëm bisedor, të cilën fare mirë mund ta ngatërrosh me intonacionin e bisedës prozaike. Poezia për mua është një akt përjetimi inkonshient i përvojave të mëparshme (qoftë dhe e një dite më parë), një sublimim në vargje i ca emocioneve të përjetuara që kanë lënë gjurmë, përmes një inbalance tonaliteti. Një preokupim personal imi është, që kur shkruaj poezi, përpiqem të krijoj intonalitete të ndryshme, sepse shpesh lexoj libra poetikë të autorëve të ndryshëm, librat e të cilëve të krijojnë përshtypjen se 100 poezi a 50 poezi përfshirë brenda një libri tingëllojnë shpesh si një poezi e vetme…
Duke u kthyer përsëri te pyetja juaj. Poezia është mbi gjithçka art gjuhe, kështu që është e natyrshme që përkujdesi kryesor është gjuha. De Rada, Naimi, Fishta, Mjeda, Lazgushi, Migjeni, Prenushi janë mjeshtra të gjuhës. Poetë shqiptarë të viteve ’60 të shekullit të kaluar e pasuruan poezinë shqipe me intonacion modern, me një leksik të afërm me të folurën e përditshme, me forma të reja prozadike. Kjo ishte përpjekja për ta demokratizuar poezinë, gjuhën poetike dhe mjetetet shprehëse të poezisë. Me gjithë të metat dhe mosrealizmet që ka krijimtaria poetike e asaj periudhe.
Poeti, tek shkruan, kalon përmes rrymës inkonshiente të perjetimeve, dhe kthimit të këtyre përjetimeve në vargje. Secili nga ne mund të jap përcaktimin e vet për poezinë. Dhe po ashtu mund të citojmë me mijëra autorë se çfarë kanë thënë për poezinë. Një përcaktim që e kam për zemër dhe që do doja ta thoja këtu, është ajo e poetit W. B. Yeats, të cilit i pëlqente të thosh se “kur grindem me të tjerët, bëj politikë, kur grindem me veten, shkruaj poezi,”
Poezia, ashtu si çdo krijim artistik në këtë botë, duket se është një grindje e përhershme me vetveten.
-Ç'mendim keni për raportin Poet-Lexues?
-Është raporti më i rëndësishem për krijuesin. “Të shkruash pa lexues është si të vallëzosh në terr” - kam shkruar në poezinë “Nata e fundit e Ovidit në Romë,”. Është një concept Ovidian. Kur Ovidi u internua në qytetin Tomis të Rumanisë së sotme (për shumë studjues, Konstanca e sotme) prej Perandorit Octavian, ai u gjënd në një qytet ku flitej një gjuhë e pakuptueshme. Në letrën që i shkruan të shoqes në Romë, Ovidi ankohet për mungesën e lexuesit të vet. Ai arrin deri aty, sa t’ia lexonte zëlartë turmave të njerëzve poezitë e tij, duke e ditur se asnjëri prej dëgjuesve nuk arrinte të kuptonte as dhe një fjalë të vetme latinisht! Ka shkrimtarë që ngulin këmbë se nuk e çajnë kokën për lexuesit, detyra e tyre është vetëm të shkruajnë vepra! Më duket një pohim i guximshëm arrogant. Më tepër simpatizoj me Ernest Sabaton, i cili thoshte nëse marr vesh se një banor i vetmuar i një ishulli të humbur diku, në Paqësor, po lexon një libër timin, do të isha njeriu më i kënaqur në botë! Sepse kjo do të thosh se jam duke komunikuar me shpirtin e një njeriu! Është ndryshe pastaj këmbëngulja e disa studjuesve që e masin vleren e një libri me numrin e madh të lexuesve! Një libër me vlerë nuk është e nevojshme të jetë lexuar nga turma lexuesish. Borhes u ankua një herë se një kritik, duke dashur ta lavdërojë poetin argjentinas, kish thënë se vepra e tij është botuar në tirazhe të mëdha, mbi 10,000 kopje. Borhesi e akuzoi kritikun si një njeri që donte ta shante Borhesin, duke thënë se vetëm një letersi e keqe dhe pa shije mund të ketë kaq shumë lexues. Unë për vete - shkruan Borhes - kam vetëm 36 lexues. Madje dhe kaq më duken shumë!
-Ju keni shkruar jo vetëm poezi të frymëzuara, por edhe prozë të suksesshme.
Cilët janë planet tuaja të ardhshme?
-Kalimi nga poezia në prozë vjen natyrshëm një ditë. Kam botuar deri sot romanet “Allahlend”, “Kësulkuqja vjen me trenin e orës dhjetë”, “Tre divorcet e zotir Viktor N.”, - të cilit i është dhënë dhe Çmimi Kadare për vitin 2015, si dhe romanin e fundit “Pritja”. Romanet e botuar janë pritur shumë mirë prej lexuesve, por jo aq mirë nga disa kritikë, të cilët nuk duan të besojnë se një poet mund të shkruajë dhe prozë. Flisja një ditë me një kritik të tillë, i cili më lavdëroi poezinë, duke nënkuptuar se romanet nuk ishin dhe aq të mira. I thashë - Dua të më tregohesh i sinqertë. Ke lexuar ndonjërin prej romaneve të mia? Dhe përgjigja e tij ishte ajo që unë e dija - Jo - më tha. Nuk kam lexuar!
Ja, kjo është Shqipëria! Kritikët dhe studjuesit të japin mendime për krijimtarinë tënde, duke të lavdëruar apo duke të sharë (nuk ka rrugë të mesme) pa të lexuar librat! Shpresoj se ky kanun i keq i pashkruar një ditë do të marrë fund dhe në vendin tonë!
Përsa i përket planeve të së ardhmes, sapo kam përfunduar librin e ri poetik, i cili shpresoj të botohet së shpejti, dhe do të filloj të shkruaj një roman, fantazma e të cilit më vërtitet në kokë prej disa muajsh!
©Vangjush Ziko











