Letërsi

MEDITIM NGA BALLKONI

Nga: Vangjush Ziko

Kur do bëhet imi ky peizazh

gjer tej horizontit

ku vala e liqenit

rreh bregun si krah pulëbardhe,

pallatet,

mure kanioni

të prera me thikë më ngjajnë,

rruga mes tyre

me panja bufka anash,

shtëpitë,

guaska moluskësh

ngjitur pas kurorës së tyre,

zhurmon

lumi i gjallë i kanionit,

guaraleca ngjyra-ngjyra

shndritin në të veturat,

unë i menduar

(pemë pa rrënjë

nga një pyll tjetër),

bëj hije

në këtë ballkon

të huaj.