Ngërdheshje djalli - Cikël poetik nga Zhaneta Barxhaj

Zhaneta Barxhaj është një poete e afirmuar prej kohësh. Poezia e saj rreket dhe bart e transmeton me sukses të plotë dramacitetin, lirizmin, dashurinë dhe filozofinë e jetës. Nëpërmjet një arsenali të veçantë ajo na bën t'ju shkojmë nga pas vargjeve të saj dhe të ndjehemi brenda tyre si në anijen tonë. Pavarësisht se në çfarë dallgësh e detesh na çon. Kjo ngjan për arsye se ato vargje e ato poezi janë frut i përjetimeve të thellë, janë të shkruar nga një njeri i vetëm, por që klith shpirtin e të gjithëve.
Gjama
E madhe asht gjama e mëkatit,
që bjen e nuk ndalet kso ane.
U ndryshk e u shkërmoq hekuri i kobshëm
nën tingujt e mbramë.
E madhe asht gjama e pushtetit,
që sillet e kcen kso ane.
Herë ha mishin e shpesh shpirtin
nën trysnin e P-së së madhe.
Sa lehtë bjerret shpirti këtu,
sa lirë kushtoka jeta!
Po liria ku asht vallë?!
Ku shkoi e u zhduk ajo marroke?
Turra e drurëve përkundruall
ngroh turrmën që e dogji të gjallë.
Cibun përjetësie
Erdha dje pranë teje
me sytë tek e nesërmja.
U mbështolla rreth parzmores,
si cibun përjetësie.
Vesha fermelenë pa mëngë
të vdekjes së vajzës.
Torra në bobina zjarri
fijet e arta të vetes.
Sot, përpëlitem…
mes ngjalljes dhe vdekjes
Ngërdheshje djalli
Ti po fle.
Ke mbyllur sytë ëndrrave të tua,
dhe nuk e di çfarë sheh.
Të vjedh prej meje gjumi
dhe ma bën natën gri.
Më fiket drita, shikimi më venitet,
hojeve të pritjes.
Dhe pres mëngjesin,
me sytë e enjtur nga lotët e mallit,
me buzëqeshjen e mekur
nga ngërdheshjet e djallit.
E di çfarë më tha ai teksa flije?!
Më tha, se përgjuar kish ëndrrat e tua.
Se ti lozje dhe qeshje me një dritëhije,
se bëje dashuri me një kumrie.
Se aty, mbi lulediellin e vargjeve që më dërgove u përqafove.
Tani dielli po lind,
do kthehesh prapë tek unë,
është rradha ime për gjumë.
Por, ti mos dëgjo djallin, ai nuk ma sheh ëndrrën.
Por, dhe po e pa,
ti dëgjo zemrën.
Dromca
Dromcat e shpirtit të tij,
shkëputen nga toka e më arrijnë.
Më kapin prej flokësh
e duan të më heqin xarrë.
Mu në fyt më fusin thonjtë
e më mekin frymën.
Uh! Nxirë e sterosur,
marr ngjyrën e duhmës së hukatjeve të tij,
mbi qelqin e syve të fikur.
Ah! Jam ulur mbi një kokë.
Rastësisht, padijeni, por pikërisht
në vertikalen time,
dergjet thellë koka e prerë...
Të dy jemi bërë si skaje drejtëze.
Tërheqim e tendosim
me dhunë njëri- tjetrin.
Ah! Më shemb kjo dijësi,
por s’kam ç’bëj,
do vazhdoj të ulem mbi kokën e tij.
Do kacafytemi gjatë mik,
ndaj, pak mëshirë.
Nuk është faji im,
që ti le kokën nën mua
e unë ulem mbi...
Ndaj, ma liro pak fytin.
Mblidhi dromcat e tua,
ngecur fijeve të mia
dhe më ler të frymoj.
Pak ajër mik... të lutem pak ajër!
Është koha ime…
Qava
Qava.
Mezi prita të qaj si vjeshta,
kur dera u mbyll pas meje.
Ashtu qetë, shtruar,
si çapitjet e takave
mbi trotuarin e lagur.
Eca ngadalë,
njësoj si kjo stinë pa stinë
ditëve të mia.
Ndala me sytë përdhé.
Qorrazi shkela mbi dërrasat e vjetra,
të barit vetmitar.
U ula dhe porosita kafe.
Ndoshta kafen më të gjatë
të kohës boshe.
Atë po pi ende...
Si? Ti nuk e beson?!
Eja pra, në rrugën e askundit,
në barin e dytë djathtas.
Nuk ngatërrohesh mos ki frikë.
Nëse nuk më gjen mua,
do të gjesh vetveten...
Arna
Kokla-kokla peri
bërë nga këputje duarsh,
gjilpërës shkoi sërish.
Tërhiq e mos këput,
mbi buzë ma qepi puthjen.
E pastaj me majën e mprehtë
shtynte brenda plasave
koklat që mbeten sipri,
duke më kërcitur dhëmbsh.
Buzë qepur puthjesh
i bluajta ndër dhëmb sa i treta.
Mbylla sytë e hundët,
që mos t’i ndjeja hidhësinë
kaptimit të kafshatë koklës...
Tash,
puthjes nuk i duken má arnat,
madje... quhet krejt e re.
©Zhaneta Barxhaj