Letërsi

Ligjërimi poetik i Mimoza Ahmetit, një mit i ri i shpirtit të lirë - Nga Vangjush Ziko

 

Vangjush Ziko - Mississauga

Ligjërimi poetik i Mimoza Ahmetit është një mit suigeneris si çdo mjet komunikimi. Ai pasqyron anën metafizike të gjendjes shpirtërore të heroit të saj lirik. Pasqyron psikologjinë dhe anën sensitive shpirtërore të njeriut kontravers të hapur ndaj vetes dhe ndaj botës. Njeriun, që ka humbur vetëdijën, i “thyer në pikën më të dobët/të të mbeturit vetëm”.

Mishel Fuko e përshkruan kështu këtë situatë: “Njeriu modern edhe nëse e konsideron veten të lirë, në përpjekje për ta ushtruar këtë liri, në mënyrë të pashmangshme ndeshet me nevojën për ta realizuar veten si qënie thellësisht të lirë shoqërisht, kuptimi i plotë i së cilës nuk mund ta zbulojë se ç'është ky njeri në momentin aktual.”

Kllapia që e ka pushtuar këtë njeri, është dëshmia më konkrete e kësaj gjendjeje jo plotësisht të qartë. Këtë na e dëshmojnë përfytyrimet e sëmura dhe dilemat tronditëse të tij: “Kaq i bukur dhe njëheresh i vdekshëm njeri/kaq i zemërt dhe prapë i vetmuar/kaq fuqi dhe po aq dyshime”.

Alarmante janë gjykimet dhe konkluzionet që nxjerr ky njeri nga kjo situatë e pashpresë, që nuk zgjidhet dot nga sistemi dhe shoqëria e kohës sonë:

“Përse ikni prej meje krijesa reale?

Në një përshkrim të ikshëm e sotmja

në të djeshme ndërroi

aq shpejt sa dot s'e konceptova

(thua ka jetë pa konceptim).

Dëshira uritet për një të nesërme

që nuk është imja.”

Hidhërimi i këtij njeriu të personalizuar në heroin lirik të poezive të Mimoza Ahmetit, është një pikëllim i thellë:

“O engjëll që rri lart në qiell

më thuaj, përse kujdesesh për mua,

përse të duhem...?”

Ky njeri vë në pikëpyetje bashkëjetesën e tij me këtë shoqëri të sëmurë.

Ai kërkon ngrohtësinë kozmike profetike të ndërgjegjes së vet mentore, që i sugjeron se shpëtimi është “të dish të jesh brenda” vetes sate, “të shkosh me gëzim brenda” sepse “bota të ngatërron”, të ecësh “pa e ditur ku”, ta gjesh vetë rrugën e mbijetesës sate në këtë botë të ngatërruar.

Konceptet e këtij heroi lirik mbi bashkëjetesën në shoqërinë bashkëkohore, me “turmën”, kanë lënë gjurmë dhe pasoja në shpirtin e tij. Ai i quan këto “nocione të shkreta” të cilat e bëjnë atë që ta ndiejë veten “si një qytet ku kanë ikur të gjithë... përgjithmonë/me një ndjenjë absolute moskthimi”.

Këtë gjëndje psikologjike të traumatizuar ai nuk mund ta harrojë:

“Ishte nje rrugë ku vazhdimisht kaloje,

ti, e dashur,

ti, e bukur,

ti, ekstravagantja ime,

e të tjerëve, ekstravagante,

e sharë,e poshtëruar, e komplimentuar,

si historia e një pikture të çmuar.

Dhe s'dije as vetë përse

të iknin flokët në liri,

ndërsa këmbët të shkelnin në morg

të dashurive kufomoide,

që gjithsesi patën mani

t’i ekzaminonin gojët e qytetit.”

Gjendja e këtij heroi është stresante. Realiteti, që e rrethon, e bën ndërgjegjen e tij të shpërfytyruar të flasë përçart, në kllapi. Ai e humbet vetëdijën e vet:

“Përse ikni prej meje krijesa reale?

Në një përshkrim të ikshëm e sotmja

në të djeshme ndërroi

aq shpejt sa dot s'e konceptova

(thua ka jetë pa konceptim).

Dëshira uritet për një të nesërme

që nuk është imja.”.

Viktima e parë e tij është ndenja “e bukur”, “e kthjellët”. Atë askush nuk e përfill më, nuk e do. Edhe vetë arsyeja e ftohtë, vetë truri e shtyn që të revoltohet, e ysht “për krim të pakapshëm nga ligji”. Zëri i ndërgjegjes së tij i profetizon ndjenjën neveritëse se “njerëzit janë si mizat-/të ndotin tortën e zemrës/ dhe më i miri ta menderos njëherë”.

Ky hero lirik mbetet i mbyllur në vetvete duke përjetuar lirinë e vetmisë së vet dramatike. Drama e tij konsiston në vështirësinë e konceptimit të realitetit në të cilin ai jeton. Ai kërkon të njohë veten e vet. Të njohësh vetveten nuk është aq e lehtë. Të njohësh vetveten, sipas Sokratit, nuk do të thotë të njohësh të mirën dhe të keqen, të dobishmen dhe të padibishmen për veten tënde. Thelbësorja është të njohësh shpirtin tënd, të arrish vetë përsosmërinë.

Brenda njeriut ekzistojnë njëkohësisht dy ndenja antonime: Dashuria dhe Urrejtja. Fuqia e lidhjes midis tyre dhe kushtet e kalimit të njërës te tjetra varen nga kultura e njeriut, nga shkalla e emocionalitetit të njeriut.

Shpirti i këtij heroi lirik është “uria” për një të “nesërme” ndryshe.

Përsosmërinë ai e kërkon brenda vetes së vet, te relativizimi i këtyre dy ndjenjave antonime…

Një fjalë e urtë thotë: “S'ka dashuri pa dhunim, por s'ka as urrejtje pa dashuri”.

“Armiku im,

shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,

shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,

armiku im.

E ç'do të ish jeta ime pa ty

dhe e jotja pa mua?

Autorja e ka fjalën për urrejtjen ndaj cënimit të së bukurës dhe adhurimin e së drejtës në jetë.

“Armiku im.

Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim

të asaj që kërkoja,

prej teje gjallëroi jeta ime, u zgjua,

u përbetua,

dhe ngashëreu,

kur vrasja shpirtat ngërtheu.

Oh, në të vërtetë ti je dashuria

dhe urrejtja ime,

armiku im.”

Përvoja e jetës dhe ajo e krijimtarisë e kanë mësuar poeten që të ecë e mbështetur në karakterin e saj dhe në bindjen se në jetë nuk duhet të biesh në melankoli dhe as të jetosh me ëndrra romantike. Në jetë do ecur me këmbët në tokë duke mbetur gjithnjë e re me shpirt:

“O rini,

Ti fillon kur ecën rishtas njeriu në këmbë,

më në fund i ikën sufokimit të qytetit

numëron qindarkat në xhep pa frikën për nesër

(Mishi rrudhet ndërsa shpirti shtrihet në një liri nudo

jashtë rrobës sociale plakjes racionale…)”

Për këtë “liri nudo” të heroit lirik na flet botimi më i fundit i saj me poezi, “Libri i Lumturisë”:

“Ka shumë lule të fjetura në njerëz

të zgjuar,

nën një diell të brendshëm

të një horizonti të pafolshëm-

të gjalla lule, të ngrohta,

ermuese,

nën gjethet dhe lulet e shfaqshme

të diellit të zakonshëm.”

Në “Libri i lumturisë” të bie në sy se nuk ka vetëm një qëndrim ideal. Personazhi i saj lirik vjen me një këndvështrim të esëllt ndaj humbjes së identitetit të vet. Duke zgjeruar lirinë personale, imagjinatën dhe ëndrrën e vet, ai është duke u larguar nga jeta, nga funksoni social.

Ajo shkruan: “Unë mund të them se “Libri i lumturisë” është i tillë, jo se unë kam gjetur lumturinë, por se për herë të parë kuptova se ato ishin të fundme. Kuptova që vuajtja më vinte nga identifikimi i një bote finale, e cila megjithatë procedon. Më ka ndihmuar shumë filozofia, gjuhët e huaja, ndoshta deridiku edhe marrëzia. Kam pasur edhe naivitetin, që çdo gjë negative ta ktheja në margaritar. Nuk rrija te llumi që më fuste negativiteti. Kurrë s’kam ndenjur, s’kam çetuar dhe kurrë nuk m’u bë shpirti i keq, për arsyen se më bënë keq. Gjithmonë kam dalë prej kësaj, kam gjetur arsyen e arsyes, e arsyes së tjetrit që ta justifikoja atë, ta ktheja në pozitivitet për vete dhe të vazhdoj përpara.”

Poetja bën përpjekjen e saj për t'i dhënë një përgjigje asaj gjëndjeje psikologjike të hamullt në të cilën ndodhet njeriu, që e quan veten të lirë. Ajo synon t'i japë një kuptim, asaj situate psikologjike për të cilën na flet Fuko: “të zbulojë se ç'është ky njeri në momentin aktual”. Poetja u drejtohet “lule(ve) të fjetura në njerëz të zgjuar,/nën një diell të brendshëm/të një horizonti të pafolshëm”.

Mimoza Ahmeti është një poete e sinqertë, heroi i saj lirik vuan bashkë me të. Ai përcjell gjykimin e vetë autorit. Ai shpalos me sinqeritet psiqikën e saj poetike. Ligjërimi poetik i Mimoza Ahmetit trajton filozofinë e jetës sonë në këtë etapë të re historike të kësaj Bote pafundësisht sugjestive. Poezia e saj na përcjell sinkretizimin e reales me idealen, pasqyrimin sinkretik të koshiencës dhe të subkoshiencës. Mimoza Ahmeti është individualitet krijues i spikatur. Ajo na sjell tema të tilla, që kanë të bëjnë me ndjenja intime dhe probleme të mprehtë të psikologjisë shoqërore, raportin midis konkretes e së përhershmes dhe besimin e saj në ringritjen nga stanjacioni të një shoqërie të sëmurë shpirtërisht. Krjimtaria poetike e Mimoza Ahmetit përbën një fenomen kompleks artistik në rrugëtimin e poezisë sonë të re drejt modernizimit të letërsisë. Një nga tiparet kryesorë të saj është thellimi në pasqyrimin e botës shpirtërore, duke u larguar nga pasqyrimi sipërfaqësor i saj. Ajo na ka sjellë Mitin e ri të Shpirtit të Lirë.

©Vangjush Ziko