Letërsi

Tri ditë te nxehta gushti - Tregim nga Sulejman Mato

Ana Sevranit iu duk sikur në krevatin e saj bashkëshortor i ishte futur një njeri i huaj. U ngrit me vrull dhe doli në korridor. I hodhi dhe një vështrim të shpejtë shtratit të saj, por nuk dalloi gjë, veç një gunge të mbuluar me jorgan. U hutua aq shumë, saqë hapi portën dhe doli në verandë pa frymë. Zbriti shkallët, kaloi përmes kopshtit të perbashket te dy vëllezërve Sevrani, ndarë në mes me një lesë druri dhe trokiti lehtë në derën e kunatit te saj.

E kunata, Eva Sevrani, kur e pa ashtu, me flokë të kërleshur, u çmerit. Dy vellezerit kishin dhjetë vjet që nuk flisnin me njëri-tjetrin. Edhe fëmijët i kishin rritur me ndjenjën e mërisë.

-Një burrë i huaj më ka hyrë në shtëpi..., - tha ajo me një pamje për t’u mëshiruar.

Ana Sevrani  pati një ndjesi sikur në atë çast po zgjohej nga gjumi. I ktheu shpinën së kunatës dhe iku...   Kunata e ndoqi me shikim të trembur. Ç’të kishte ndodhur? 

- I ka humbur kujtesa, - i tha të shoqit kur u fut brenda.

- Mirë t’i bëhet...- shfryu ai. - Kështu ndodh kur kërkon t’i bësh varrin tjetrit.

Vëllezërit Sevrani kishin disa vite që takoheshin vetëm nëpër gjyqe. Sipas vëllait të madh, Hito Sevranit, ish-oficer i lartë i ushtrise, pensionist, truallin rreth shtëpisë e kishin trashëgim nga i ati, Hodua, ndërkohë që vëllai i tij i vogël, me ca marifete hipoteke, e kishte hedhur në emrin e vet.

***

Gjithë ajo javë gushti kaloi nën një zagushi të paparë. Të enjten temperatura arriti shifrën rekord, 45 gradë... Sipas spikeres së televizionit shtetëror, kjo ndodhte një herë në njëqind vjet. Po atë mbrëmje “Nesër TV” dha një version tronditës: sipas një astrologu të njohur amerikan, në kozmos ishin konstatuar shpërthime diellore. Pra, po afrohej dita e parashikimit të fiseve maja: fundi i botës.  

Humbja e kujtesës së Anës nuk do merrte rëndësi, në se ato ditë nuk do të flitej dhe për një virus të çuditshëm, tepër të rrezikshëm për kujtesën njerëzore, që prekte cipën e trurit. Një ditë më parë urgjenca kishte regjistruar 24 raste. Një mjek bakteriolog kishte ardhur enkas nga Parisi dhe ishte larguar pa dhënë asnjë shpjegim. Magan Mishra, mjek indian, shef pavioni në Spitalin Amerikan të Tiranës,  kishte dalë në një stacion tjetër televiziv dhe kishte qetësuar qytetarët  duke i porositur që në këto ditë gushti të mos qëndronin  shume nën diell, pasi rastet në fjalë kishin lidhje me goditjen diellore.

Një ditë më vonë, në mesditë, mbi qytet u shfaq një dritëz e çuditshme e cila lëvizte me një shpejtësi të paparë. “UFO...UFO…!” kishin nisur te thërrisnin  ata  që e kishin parë këtë fenomen qiellor. Pamjet e asaj drite që lëvizte me shpejtësi të çuditshme, u panë në të gjithë kanalet televizive. Televizioni shtetëror dha një argument shkencor: “imazhe të përthyerjes së dritës diellore”.

Atë mbrëmje qytetarët e qytetit të përgjumur, pasi panë edhe njëherë sekuencat e asaj drite lëvizëse, bënë një gjumë plot ëndrra.

Ditën tjetër, gati në të njëjtën orë, mbi qytet u shfaqën jo një, por tri dritëza lëvizëse. Dukeshin e zhdukeshin me shpejtësi të paparë. Qyteti i cili gjer në ato ditë dukej sikur dremiste në një gjumë shekullor, ditën i mbante sytë nga qielli dhe natën para televizorëve. Vetëm Ana Sevrani nuk kishte marrë vesh asgjë. Lëvizte nëpër shtëpi si e shushatur, në mëngjes dilte gjer te marketi i lagjes për të blerë bukë e ushqime dhe kthehej, pa e vrarë mendjen për shenjat qiellore që paralajmëronin përmbysjen e botës. Nuk kishte as strese, as kujtime të së kaluarës, as ëndrra për të ardhmen. Asgjë. Asgjë. Në fund të fundit për çfarë i duhej kujtesa? Njeriu jeton dhe pa kujtesë.  

Atë mbrëmje, teksa kthehej për në banesën e saj, ndaloi në trotuar. Kishte harruar shtëpinë e saj dhe nuk orientohej dot...  Pyeti me mirësjellje një kalimtar qe kalonte andej pari duke iu lutur ta ndihmonte për të gjetur shtëpinë e saj. I panjohuri qëlloi një kushëri i të shoqit.

E quanin Bilal. Tre vjet më parë Bilali u kishte trokitur Seranëve në derë, së bashku me presidentin e firmës së ndërtimit “Bogova” për ngritjen e një pallati shumëkatësh në truallin e tyre.

- “Ta gjej unë shtëpinë. Si jo...”, - i tha ai... “Ku më ra ky fat”, - mendoi ai i gëzuar. Ku më erdhi ky rast.

U nisën së bashku përgjatë bulevardit. Te sheshi pranë shatërvanit dredhuan djathtas dhe morën rrugën e ngushtë anash me shtëpi private. Në fund të rrugës ishte vila e vëllezërve Sevrani, të cilët ishin betuar se nuk do ta pranonin njëri-tjetrin as në varreza. Më pas Bilali mori në celular presidentin e firmës: “Dëgjo, - i foli i emocionuar. - Tani po kthehem nga Sevranët.... Na ka dalë një fat i madh... Një fat shumë i madh, o Zot! Ajo zonja që nuk donte të  nënshkruante kontratën ka humbur kujtesën.”

Presidneti i firmes “Bogova” Zylyftar Myrdari, kur e dëgjoi këtë lajm sa nuk luajti mendsh nga gëzimi.

- O Zot i madh! O Zot i madh! Nga më erdhi kjo e mirë tani... - belbëzoi me vete. Në çast nisi  të bënte llogaritë e fitimit. Tetë mijë metra ndërtim në zonën më të preferuar të qytetit, herë kaq... hiq koston e ndërtimit... hiq përqindjen e pronarëve të truallit... i mbetej të fitonte rreth 2 milionë euro...

- Do të ketë pësuar ndonjë goditje diellore, - belbëzonte Bilali nga ana tjetër e telefonit.

- Hala s’ka pësuar goditje hëne, - ia ktheu Zylyftari. - Nuk duhet të humbasim kohë. Dëgjon! Me degjon apo jo...?! Duhet t’u shkojmë qysh sonte në shtëpi. Kur t’i kthehet kujtesa zonjes kemi mbaruar punë?!

Zylyftar Myrdari do të kishte mbaruar punë qysh në takimin e parë, sikur Ana Sevrani, ish-ekonomiste, të mos ishte tahmaqare për të përfituar një përqindje të lartë. Pale... zonjës nuk na i paskishte pëlqyer as emri i tij, Zylyftar!? Pika që s’i bie! Siç i paska rënë.

***

Polemika rreth UFO-ve dhe ekzistencës së tyre zgjati vetëm tri ditë. “Ekzistenca e trupave qiellorë ka marrë fund, - tha një prej analistëve të TV Klan.  Një tjetër analist i atij emisioni përhapi një panik edhe më të madh kur përmendi relacionin e astrologut kinez, Cen Hai Hi, për një shpërthim diellor. Spikerja e emisionit atë mbrëmje bëri një lidhje tjetër me urgjencën spitalore, për të saktësuar pasojat e ngrohjes diellore. Ate ditë kishte pasur 122 raste me goditje diellore.

- “Rroftë dielli!” - thirri një firmë farmaceutike spanjolle, e cila sa kishte hyrë në tregun shqiptar dhe e kishte kapur menjëherë situatën duke reklamuar medikamentin e saj kundër sklerozës.

- “Rroftë dielli!” - thirri dhe televizioni shtetëror, i cili e shfrytëzoi këtë rast për t’ia hedhur të gjithë fajin diellit, për mungesën e ujit të pijshëm në zonat e periferisë së Tiranës.

- “Rroftë dielli!” - thirrën atë mbrëmje edhe çobanët nëpër harca malesh, duke u vënë zjarrin kullotave për të siguruar ushqimin dimëror për bagëtitë e tyre.

- “Rroftë dielli!” - thirri atë mbrëmje edhe presidenti i firmës “Bogova”, Zylyftar Myrdari, duke u kthyer në apartamentin e tij i qetë dhe ëndërrimtar, me një kontratë të majme në çantën prej lëkure.

©Sulejman Mato