Dy fjalë mbi procesin krijues - Nga Vangjush Ziko
Dihet se krijimi nuk është një proces komunikimi i zakonshëm i një mendimi a emocioni, i një veprimi apo ndodhie të çastit. Nuk është një aktivitet i jashtëm, përkundrazi, ai është një proces i brendshëm, është krijimi i një figure të botës që na rrethon, një tjetërsim, një largim nga realiteti dhe nga vetvetja. Krijimi nuk është një shkrim informues apo shpjegues, një vargëzim i thjeshtë dhe i kuptueshëm, i drejtpërdrejtë, por një përcjellje e figurshme e objektit të poezisë.
Figurshmëria letrare dihet që është një dukuri komplekse dhe shumëdimensionale. Ajo është një bashkëveprim organik i materiales dhe shpirtërores. Teoricienët e artit, duke veçuar disa shenja, simptoma të veprimtarisë krijuese, nënvizojnë pandërgjegjshmërinë e spontaneitetin e këtij procesi krijues, i cili është e pamundur të kontrollohet nga vullneti dhe gjykimi apo ndryshimi i ndërgjegjshëm. Në procesin krijues letrar realizohet kërkesa thelbësore e njeriut për t'u vetëshprehur. Me interes është mendimi i Frojdit mbi këtë proces, se në të, veçanërisht në prozë, shprehen tendenca të ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes së vetë autorit, të mishëruara në personazhe të ndryshme, krahas realitetit objektiv.
Në poezinë lirike shprehet qartë Uni poetik. Vendin e autorit e zë heroi lirik, ndjenjat e të cilit përbëjnë përmbajtjen e poezisë lirike.
Po sjell disa thënie të krijuesve të ndryshëm mbi procesin krijues.
Alfred de Vinju (“Unë nuk e bëj veprën time, ajo vetëkrijohet”); Viktor Hygo (“Zoti ma diktoi, kurse unë e shkrojta”); Agustini (“Unë nuk mendoj vetë, por mendimet e mia mendojnë për mua”). Lapidare është shprehja: “Ndërgjegjja është “ekrani” pasiv, në të cilin pandërgjegjshmëria, nënndërgjegjja pasqyron veten”, Bajroni besonte se te njeriu futet “djalli”. Mikelanxhelo besonte se dorën e tij e drejtonte Zoti.
Për poetin Josif Brodski: “Shkruesi i poezisë, para së gjithash, shkruan sepse vargëzimi është një përshpejtues i ndërgjegjes, i gjykimit, i perceptimit të botës... Duke filluar poezinë, poeti, si rregull, nuk e di se si ajo do të përfundojë dhe shpesh ai çuditet me atë që u krijua, sepse shpesh del më e mirë se ajo që ai mendonte, shpesh mendimi shkon më tej sesa ai e parashikoi”.
Përderisa aktiviteti i pandërgjegjshëm krijues shoqërohet me një gjendje të veçantë të ndërgjegjes, akti krijues shpesh kryhet si në ëndërr, në gjendje të dehjes apo të narkozës.
Krijues të ndryshëm kanë shfrytëzuar stimulues të ndryshëm për ta nxitur procesin krijues. Kështu Romen Rolan pinte verë; Shileri i mbante këmbët në një legen me ujë të ftohtë; Bajroni përdorte gjëra aromatike; Rusoi qëndronte me kokën të zbuluar në diell; Miltoni dhe Pushkini shkruanin në divan; Balzaku pinte kafe pa pushim; Edgar Poe ishte narkoman.
Një veçori tjetër e procesit krijues është spontaneiteti.
Procesi krijues, gjithashtu dihet, se nuk varet nga arsye të jashtme. Poetit i ndodh që t'i lindë befasisht një motiv frymëzues. Në këtë çast dhe në këtë gjendje surprizuese, atij i lindin mendime dhe figura befasuese, të cilat i duken reale. Gjykimi i autorit merret me thelbësoren, për t'i dhënë krijimit formën e dëshiruar, duke ndjekur në mënyrë të pandërgjegjshme frymëzimin e vet.
E padiskutueshme është, që procesi krijues shoqërohet përherë me tension nervor.
Më lart përmenda arsyetimin e shkrimtarëve të ndryshëm botërorë mbi natyrën hyjnore të krijimit. Epoka të ndryshme kanë interpretime të ndryshme mbi burimin e procesit krijues.
Shkrimtari bashkëkohor francez Michel Houellebecq në esenë e tij “Të mbetesh gjallë” ai rrëfehet dhe mediton, sjell përvojën e tij mbi filozofinë e krijimit poetik. Duke folur mbi aktin e krijimit, ai e shmang trajtimin hyjnor të krijimtarisë poetike si profeci; ai e trajton atë si një akt të subkoshiencës, të natyrës së fshehtë të ndjenjës, të pasionit të madh i cili e përfshin poetin në kalvarin torturues, që i ngjan atij të dashurisë, i përfton pastërtinë dhe qartësinë e çastit të krijimit, “transparencën e së vërtetës”, “besoni”, vazhdon ai, në identitetin e së Vërtetës, të Bukurisë dhe të së Mirës”.
Pavarësisht nga pikëpamjet e diferencuara filozofike dhe estetike ndaj procesit krijues dhe interpretimit që i bën secili krijues, është një fakt i pamohueshëm që sa më i mundimshëm që të jetë procesi i krijimit të poezisë, aq më tepër emocion dhe vlerë estetike ngërthen e përcjell ai në vetvete.
Spontaneiteti i aktit krijues, pasiviteti i vullnetit dhe gjendja e ndryshuar e ndërgjegjes së krijuesit në momentin e frymëzimit, aktivizimi i nënndërgjegjes, flasin për raporte të veçanta të ndërgjegjes me nënndërgjegjen, por të gjithë puqen në atë, që procesi krijues është subkoshient. Koshienca dhe subkoshienca janë pjesë e personalitetit të autorit. Pandërgjegjshmëria ia paraqit ndërgjegjes së vet, siç paraqitet në ekran një film i përfunduar.
Krijimin e vërtetë nuk e lind kurrë as arsyetimi i kulluar, as logjika racionale dhe aq më pak kapriçioja, hobi pa vlerë për të kënaqur një ego naive apo një shije të rreme krijuese në emër të thjeshtësisë dhe të të kuptuarit sa më lehtë të krijimit nga ana e lexuesit.
Krijimi i njëmendtë, pa diskutim, synon të pasqyrojë një realitet të figurshëm dhe emocional, i cili e ngre lexuesin në lartësinë e vetë krijuesit, e ndërgjegjëson për vlerat e artit të vërtetë.
Procesi krijues në letërsi, si dhe në sfera të ndryshme të aktivitetit artistik, shënjohet nga një ndriçim i brendshëm, nga frymëzimi, talenti dhe është një proces sakral, i cili nuk presupozon kontroll të rreptë. Procesi krijues është një shtytje e fuqishme, e cila shoqërohet me një shndërrim të autorit. Shpesh herë, pas krijimit të një vepre, merr një drejtim tjetër përvoja e tij.
©Vangjush Ziko











