Letërsi

Stenda e autografëve - Nga Dashnor Kokonozi

Ndërsa vizitoja atë sallon libri, u ndodha para një stende, ku kishte veç një turrë librash të vjetër. Afishja në krye e shpjegonte mirë varfërinë e saj. Ishte një stendë autografësh, më saktë aty shiteshin libra koleksionuesish të autografëve.

Nuk kisha parë gjë të tillë më parë dhe iu drejtova një burri që vetmonte aty, diku te pesëdhjetë vjeçët, me fytyrë të ngërdheshur në vazhdimësi, thua se kishte hyrë në vitin e krizës së ulçerës.

-Ka mbetur gjë? - e pyeta për kureshtje, edhe pse kurrë nuk kisha menduar ndonjëherë se mund të blija një libër me autograf, më saktë një autograf të shtrirë në një libër.

-Nuk ka nevojë të them unë se të mirët ikin që në orët e para, ia bëri ai si për të më përgatitur se tani mund të gjeja veç ndonjë shkrimtar të dorës së tretë. Pastaj ngërdheshi përsëri fytyrën, sa pata frikë se këtë herë dhimbjen ia shkaktoi pyetja ime e pavend.  

-Ju edhe blini? 

-Sigurisht, që i blej. - më thotë i habitur. - Kush të fal thesare të tillë?

U përkula dhe i thashë në vesh se kisha një libër me autografin e shkrimtarit D.K.

-Vërtet, - u ndriçua ai në fytyrë.

Vetëm sa tunda kokën ngadalë.

-Je i sigurt se është origjinal?

Tunda përsëri kokën, por në mënyrë më pak të dukshme, si të isha shumë i interesuar që një gjë e tillë të mos merrej vesh nga të gjithë. I bëra shenjë të priste pak dhe shkova te garderoba ku kisha lënë çantën. U ktheva te banaku dhe pa bërë gjeste shumë të dukshme, nxora librin e premtuar me autografin përsipër.

Ai që e kishte humbur shpresën se do të kthehesha përsëri, nxori menjëherë një lupë dhe e shqyrtoi me kujdes. Mbase më fort për të më shtënë frikën që të tërhiqesha në kohë, po qe se ishte fjala për një imitim të autografit të autorit në fjalë. 

-Cili është çmimi? - më pyeti ai

-Ti je i zanatit, - i thashë, - ka disa gjëra që cilindo çmim t’u vësh...

-E di, e di, - shtoi menjëherë, - po gjithsesi...

-Më shumë parapëlqej ta jap falas i thashë, kështu do të isha më i qetë me veten dhe me autorin. Nuk besoj se atij do t’i vinte mirë. 

-Kisha menduar se njerëzit si ju janë zhdukur me kohë, tha me sytë e përlotur, duke u kujdesuar ta fusë menjëherë librin poshtë banakut, sa pa m'u kthyer mendja.

I rraha supin, për t’i thënë se kurrë nuk duhej ta humbiste besimin te njerëzimi. 

I qetë, u ktheva të vazhdoj vizitën. Atë libër e mbaja prej kohësh në çantë, për dikë që ma kishte kërkuar falas, por nuk kishte ardhur kurrë ta merrte.

Isha në stendën e autorëve skandinavë, kur ktheva edhe një herë të fundit sytë andej nga koleksionuesi i autografëve. Kishte nxjerrë librin nga banaku dhe me faqen e hapur aty ku ishte autografi, po u shpjegonte diçka dy grave që e ndiqnin gjithë sy dhe veshë. 

Më bëri përshtypje se e mbante edhe ca larg tyre, si të kishte frikë sa gratë do të hidheshin dhe do t’ia rrëmbenin nga duart.

Njëra prej tyre, ajo më e moshuara, hapi çantën dhe nxori një çek që nisi ta mbushë menjëherë, por dukej, atij i kishte ardhur në majë të hundës nga çeqet fallco dhe tani parapëlqente para në dorë.

Ajo hapi menjëherë portofolin. Aty ku isha, qe e pamundur të kuptoja se për çfarë shume bëhej fjalë. 

Ajo që kuptova më mirë ishte se të dyja gratë, u larguan të kënaqura.

Kur nuk ishin larg meje, blerësja e lumtur nxori telefonin dhe thuajse me padurim njoftoi dikë.

Shkëlqente e gjitha dhe nxori librin nga çanta që t’ia shpjegonte më mirë bashkëbiseduesit të saj.

Dikur, në mesin e bisedës m’u duk sikur u turbullua pak. Bashkëbiseduesi i saj, në çastin e fundit e kishte pyetur kush ishte ky D.K.

Tani i kisha fare afër dhe nga shprehja e fytyrës kuptova se ajo u ndodh ca ngushtë. E dëgjova mirë kur i tha bashkëbiseduesit të priste pak dhe u drejtua menjëherë te stenda ku kishte bërë blerjen.  Pyetjen që sapo i kishin bërë asaj, ajo ia drejtoi personit që i kishte blerë librin, por pak më me shumë ankth. Ai e dëgjoi me vëmendje dhe mua m’u duk sikur iu kthye përsëri kriza e ulçerës. U përpoq ta qetësojë gruan dhe nisi të kërkojë me sy andej nga isha larguar unë. 

Kisha mbaruar së vizituari stendën e skandinavëve dhe hyra në atë të autorëve aziatikë, që kishin ardhur me autobus.

Atij do t’i duhej të paktën tri ditë të më gjente aty.

©Dashnor Kokonozi