Probleme të përkthimit poetik: Mbi një shqipërim të Nolit - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Mississauga, Kanada
Poezia ''Dashuria e Fundit'' e poetit rus F. I. Tjutçevit reflekton flirtin e poetit me aristokraten Elena Aleksandrova Deniseva. Marrëdhëniet e tyre ''të paligjshme'' në sytë e shoqërisë zgjatën për katërmbëdhjetë vjet, kur Elena vdiq nga tuberkulozi. Me Elena Aleksandrovën poeti pati edhe fëmijë jashtë martese.
Këtë dashuri Tjutçevi e përjetoi në mënyrë dramatike deri në fund të jetës së tij. Titulli profetik i vetë poezisë flet qartë për një pasion tokësor të patjetërsueshëm. Vetë poezia mbart, nga ana tjetër, dramën e heroit lirik midis lumturisë së pakufishme dhe dëshpërimit torturues, një fatalitet njerëzor; ajo sikur e parandjen destinin tragjik të kësaj dashurie. E gjithë poezia është një psherëtimë, një lutje dhe një bekim që del nga fundi i shpirtit. Psherëtimë për vitet që ikin pa u ndalur, lutje për ta zgjatur çastin magjepsës dashuror, një bekim i çasteve të lumtura dhe të dëshpëruara, që fal kjo dashuri.
Paralelizmi figurativ midis ligjit biologjik të jetës dhe alternimit të ditës me natën, nënvizon universalitetin e ndjenjës së dashurisë, përjetësinë e saj. Nisur nga ky këndvështrim filozofik, poeti na e përshkruan me dhimbje, por në mënyrë të qetë, këtë shndërrim ''kozmik'' dhe ''jetësor''. Tolstoi do të shkruante në ditarin e tij: ''Poezinë e Tjutçevit e përshkon ''alarmi i brendshëm'', ''ndjenja e katastrofës së pashmangshme'' dhe ''dashuria e çmendur''. Poeti e kundron me qetësi këtë muzg të mbrëmjes e të jetës, të ndjenjës, këtë tatëpjetë të viteve dhe këtë ''dritë lamtumire'' të dashurisë: gjysma e qiellit të jetës njerëzore është mbuluar nga hija dhe gjysmën tjetër po ai fat e pret, ''por s' varfërohet në zemër dhembshuria''.
Edhe fjalori poetik, metaforat, cilësorët, metonimitë janë të qeta: ''drit' e lumturisë'', ''muzg i mbrëmjes'', ''magjepsje'', ''dhembshuri'', ''lumturi e plotë'', ''dëshpërim''. Edhe foljet kanë një intesitet veprimi të përmbajtur: ''më ngadalë zgjatu'', me këtë përsëritje kemi një zbutje të mënyrës urdhërore të foljes.
Le të shohim edhe përkthimin e ''Dashurisë së fundit'' nga ana e Nolit. Ky përkthim është përfshirë në ''Albumin'' e Nolit krahas poezive origjinale të tij.
Por, më përpara, le të themi dy fjalë mbi filozofinë noliane të përkthimit.
Noli e shikon mjeshtërinë e përkthyesit si mjet edukimi dhe emancipimi shoqëror, si edhe si shkollë të edukimit artistik dhe estetik. Noli zgjedh jo vetëm kryevepra të artit botëror, por, midis tyre, ato që i përshtaten momentit historik e shoqëror të vendit, si edhe synimeve të luftës së vet politike. Kështu, në ''Jul Çesazi'' ai sheh problemin aktual të demokracisë në jetën e shtetit; në ''Don Kishoti i Mançes'' shembjen e sistemit feudal; në ''Rubairat'' rrezikun e fanatizmit oriental; në ''Otello'' tragjedinë e xhelozisë; në ''Kasollja'' shfrytëzimin e egër shoqëror; në ''Armiku i Popullit'' nevojën e edukimit qytetar të shtresave të shoqërisë; në ''Skënderbeu'' i Longfellout, përkushtimin patriotik e të tjera (V. Bala, Ll. Siliqi).
Kurse poezinë ''Dashuria e fundit'' duhet ta ketë zgjedhur, tërësisht, për vlerat e larta artistike.
Mjeshtërinë e përkthyesit Noli e krahason me mjeshtërinë e kopshtarit. Në hyrjen, që shoqëron përkthimin e ''Skënderbeut'', ai shkruan: ''Kam një shpresë të vogël që, lulja që mora nga kopshti i tij (Longfellout, shënimi im), nukë e humbi fare erën, as ngjyrën, as freskinë duke u mbjellur në gradinën e Shqipërisë''.
Botanika, së cilës i referohet Noli, na mëson se bimët, ku hyjnë edhe lulet, mbillen si me fidanin e vetë lules ose me farën e saj. Botanika na flet edhe për ligjin e aklimatizimit të bimës.
Le të shohim se sa kjo lule e ''brezit verior'', ''Dashuria e fundit'' e shkruar në gjuhën ruse, sa e ka ruajtur ''aromën'' e ''ngjyrën'' e saj e mbjellë në kopshtin tonë mesdhetar shqiptar.
Për përkthimin Noli përdor dy terma: ''kthim'' dhe ''shqipërim''. Me të drejtë mund të pyesim se me ç'kuptim i përdor Noli këto dy terma dhe a janë të barabarta në domethënien e tyre?
Në studimet e huaja termi ''kthim'' përdoret në rastet e kthimit të një vepre të prozës në vargje. Kurse te ne termi ''përkthim'', rëndom, barazohet me termin ''shqipërim'', gjë e cila nuk mund të pranohet si e barazvlefshme. Në çdo përkthim, sado mjeshtëror, diçka e origjinalit nuk mund të arrihet. Italiani thotë: ''tradutore, traditore''. Edhe Noli e pohon këtë të vërtetë kur thotë se trembet se a do ta ruajë dot ''erën'' e ''freskinë''.
Profesor Vehbi Bala në parathënien e botimit të ''Albumit'' të vitit 1958 bën një vërejtje të hollë dhe shumë domethënëse: ''Në përkthimet e Nolit kemi edhe përshtatje, por ajo që është esenciale, është ndërhyrja lirike e poetit''.
Sipas mendimit tim, profesor Bala me fjalët ''kemi edhe përshtatje'' bën diferencën nga termi ''përkthim''.
Unë fjalën ''përshtatje'' do ta barazoja me termin ''shqipërim'', që e përdor edhe vetë Noli, në dallim nga termi ''kthim'' (për mua ''përkthim'').
Kur lexoj poezinë ''Dashuria e fundit'' të Tjutçevit të sjellë në gjuhën shqipe nga Noli, kam përshtypjen dhe mbresën e plotë se po lexoj një poezi të shkruar drejtpërdrejt në gjuhën shqipe dhe nga një autor shqiptar. Ajo mund të cilësohet një nga lirikat më të fuqishme e më të ndjera në poezinë shqipe. Pra kjo ''lule e huaj'', ka lëshuar rrënjë në ''gradinën shqiptare'' ose, më saktë, në ''parcelën'' e Nolit. Noli i ka dhënë poezisë perlë të poetit të shquar lirik rus, bashkëkohës i denjë me gjeniun e poezisë ruse, A. S. Pushkinin, ''aromën'' e vet noliane.
Duke i krahasuar këto dy krijime në dy gjuhë të ndryshme dhe të largëta, unë vë re dy aspekte të ndryshme: emocionale edhe etike.
Kjo të bie në sy që në përdorimin e mënyrës së foljes, pra, të veprimit: Tjutçevi përdor foljen në një mënyrë lutëse: ''medli'' (vono), ndërsa Noli, urdhëroren e prerë: ''qëndro!''. Tjutçevi i lutet çastit të lumtur të dashurisë që të vonojë, të shuhet sa më ngadalë, ta gëzojë sa më gjatë këtë lektisje tragjike, që nuk është në gjendje, në pamundësinë e tij për ta ndaluar; ai e përjeton këtë çast tragjik me dhimbje, por qetësisht, pa kreshpërim, i nënështruar plotësisht ndaj këtij fataliteti: ''mos ik shpejt, vono, moj drit' e mbrëmjes/zgjatu, zgjatu ti magjepsje''.
Ndërsa Noli (shqiptari gjaknxehtë) nuk lutet por urdhëron: ''Qëndro, qëndro, moj mbrëmë plot me vrer'', edhe fjalën ''magjepsje'' e zëvendëson me ''vrer''.
Ndërsa në heroin lirik të Tjutçevit kemi Faustin e bindur ndaj kontratës, që ka bërë me Mefistofelin, te Noli kemi Faustin e dalldisur, që klith ''o çast i lumtur, ndalo!''
Ky qëndrim emocional i ndryshuar i Nolit ka sjellë edhe ndryshime të tjera në fjalorin poetik: ''shkëlqe, shkëlqe... muzg i mbrëmjes'' (Tjutçev), ''shkëndrit, moj dritë... shkrepëti nga zia'' (Noli); ''drit' e mbrëmjes'' (Tjutçev), ''mbrëmë plot me vrer'' (Noli); ''lumturi e plot' e dëshpërim'' (Tjutçev), ''helm e vrer'' (Noli).
Po të krahasosh strofën e tretë e të fundit të Tjutçevit me atë të Nolit, të bien në sy dy situata emocionale mjaft të ndryshme për nga intesiteti i ndjenjës. Poeti rus, aristokrati me sjellje delikate dhe etikë sallonesh, diplomati, që pjesën më të madhe e kaloi në sallonet europiane, e mbyll poezinë e vet me tonet karakteristike të një njeriu fisnik, që e pranon qetësisht si lumturinë edhe dëshpërimin që i sjell dashuria e fundit, duke krijuar një barazpeshë midis këtyre dy ndjenjave të kundërta, që bashkëjetojnë në jetën e njeriut: ''Le të hollohet në damarët gjaku,/por s'varfërohet në zemër dhëmbshuria''; ndërsa Noli, shqiptari, mërgimtari, luftëtari e patrioti i përkushtuar, kryengritësi i amplifikon emocionet, nuk i përmban ndjenjat, përdor paralelizma me nota shumë të thella, të përkundërta, duke vënë përballë dimrin e akullt të jetës me pranverën e lulëzuar, që akullojnë e përvëlojnë pleqërinë.
Tjutçevi e nënkupton, por nuk e përmend asnjë herë fjalën ''pleqëri''; ai përmend ''tatëpjetën që marrin vitet'', por jo stacionin ''pleqëri''.
Ndërsa, në planin etik, Tjutçevi, ashtu sikurse në jetë, e pranon dashurinë në ambiguitet me martesën; ai nga njëra anë, vuan për Elenën dhe në anën tjetër, gruan e ligjshme e quante ''ëngjëll''.
Kurse Noli, shqiptari i gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, fjalën ''dashuri'', në strofën e parë, e zëvendëson me fjalën ''dasmë'' dhe ''dashuri e fundit'' e Tjutçevit bëhet ''dasm' e fundit'' e Nolit.
Kështu, delikatesa e heroit lirik të poetit rus është tjetërsuar nga heroi lirik impulsiv dhe gjëmimtar i poetit shqiptar.
''Dashurinë e fundit'' të Nolit unë me bindje do ta quaja një rikrijim, Noli e quan ''shqipërim''. Shqipërimi poetik këtu barazohet me rikrijimin poetik. Këtu kemi të bëjmë me një pikëpjekje të dy talenteve të fuqishëm, që me bujari i marrin e i japin njëri-tjetrit nga frymëzimi i tyre.
Shqipërimi, si filozofi e rikrijimit, na kujton këtu traditën botërore të folklorit, kur krijimtaria gojore e një treve apo kontinenti kalon kufirin e vet etnik dhe inteferon reciprokisht duke krijuar modele të ngjashme dhe, njëkohësisht, të reja artistikisht mbi një brendi të njëjtë, siç ndodh, zakonisht, me eposet, ku ndërthurren bashkautorësitë, aq sa është vështirë dhe është mëkat t'i ndash apo identifikosh.
Shqipërimin nolian do ta quaja një bashkëautorësi, ku shqipëruesi është edhe krijuesi. Prandaj edhe ''Dashuria e fundit'' e Nolit, do të ishte e drejtë të quhej ''një krijim'' i Nolit sipas Tjutçevit, duke marrë shkas nga poezia e poetit rus.
Pushkini ka një poezi me titullin ''Profeti''. Për t'u bërë profet, duhet të shkulësh gjuhën tënde dhe të vesh gjuhën e Zotit.
Zot për përkthyesin është poeti që ka krijuar poezinë, përkthyesi duhet ''ta shkulë gjuhën e vet'' dhe të flasë me gjuhën e ''demiurgut'' dhe të artikulojë me materialin gjuhësor amëtar ligjërimin poetik nga gjuha e huaj, duke iu larguar, sa të jetë e mundur më shumë proverbit ''tradutore, traditore''.
©Vangjush Ziko











