Letërsi

Eja në Nju Jork - Roland Gjoza

eja në nju jork në orën që lind

dhe ora që lind është kur zogjtë cicërojnë

dhe grataçielave iu rrëshqet dielli foshnje

dhe oqeani është vendi ku pagëzohet

dhe një meshë fëshfërimash dëgjohet

mbi kapelet e grave

dhe pulëbardhat e mëdha të oqeanit mbi fashion avenju

iu bien tambureve të ajrit për psalmet

edhe këtu si kudo

veç madhështia të kujton perënditë

kur iu shfaqeshin njerëzve të zgjedhur

dhe ti je e zgjedhur

prandaj u shpikën grataçielat

se e dinin që ti do të vije

këtu një puthje është sikur ke vënë buzët në qiell

po më mirë ti eja kur ora rritet

dhe njujorkezët nxitojnë sikur marrin vrull të ngjiten për të pritur mesinë

po nga banka në bankë shkojnë, s'kanë rrugë tjetër

me fytyra jeshile si dollari i prerë freskët

ne të dy s'kemi punë me dollarin kërcitës

po me dashurinë

le të puthemi në cirkuid kolomb

duke provuar se edhe puthja është e rrumbullakët si bota

këtu puthjet rëndom janë me pagesë

po ne i paguajmë duke këmbyer zemrat

e dashur, më mirë eja kur ora vdes

atëherë kur heminguej bëri vetëvrasje nga depresioni i thellë

kur muzgu bie përmes grataçielave si një vajzë që hidhet nga kati dyqind e pesë

po nuk vdes

se e presim ne

ngaqë ti vjen me vetëdijen e jetës

dhe unë gjithashtu si një shkrimtar që s'gëzoi asgjë në kohën e vet

dhe bën vetëvrasje para syve të tu të zgjuar

duke ta përseritur shpesh si ide

se nju jorku nuk mund të shijohet pa dramacitet

po unë e di, ti do të vish kur ora lind

dhe diellit foshnje që pagëzohet do t'i vesh emrin tënd

dhe unë s'do të jem ky që jam

po ai djaloshi tetëmbëdhjetëvjeçar që të tha i pari; të dashuroj!

ti më mirë eja kur ora lind

se atëherë është koha e dashurisë

©Roland Gjoza