Alban Bala: Armiku i vetes
Poezi: Armiku i vetes
Kam qëne e shpesh mbetem armiku i vetes.
Sa isha i vogël doja të rritesha.
Më flihej, por zemra më mbante zgjuar dhe netëve.
Zemrën shpesh e braktisja ditëve.
Armiku i vetes ... Sa herë unë kam zgjedhur
Të bëj gjëra që kurrë s'do t'i doja
Kam ecur në drejtimin e lumit, i bindur
Se deti është një përralle boshe.
Kam preferuar të zvarritem, kur mund të fluturoja.
Kam qeshur me dhimbjen, kam tallur heronjtë
Ata që i mbijetuan çdo libri historie a zezone...
Unë isha gjithnjë më i fortë.
Isha armiku, armiku i vetes sime.
Isha një betejë ku mendja sfidohej
Në një rrëfenjë me zemrën peng dhimbjesh
Por jeta mbetej një lojë.
Doja të rritesha. Shpesh dua akoma.
Në perqafime gjej lotët si letra iluzionesh
Që nuk arritën kurrë në porten time.
Të dorëzohesh është hyjnore. Por unë nuk dorëzohem.
Kam qenë e shpesh mbetem armiku i vetes.
Para se të shtrihem tani vë në gjumë ëndrrat
Ashtu si femijët, me një përrallë të ëmbël
Dhe kthehem i pagjumë tek zemra...
Të jetosh është të ecësh plot shpresë shkretëtirës
Pa u trembur se do të mbytesh në dallgët e etjes.
Armiku i vetes, të pakten jam një armik i denjë...
Hero
I asnjë beteje veç heshtjes...











