Letërsi

Një fjalorth për të kuptuar më thellë poetin Arthur Rimbaud, zanafillën e poezisë moderne - Nga Luan Rama

Luan Rama - Paris

Vargjet e Arthur Rimbaud krijojnë gjithnjë një lloj magjepsje, edhe pse ndonjëherë, figura të veçuara qëndrojnë si ndriçime më vete, me një lloj hermetizmi që i bën akoma më tërheqës. E megjithatë, kur poeti i ri i ka shkruar ata, secila fjalë ka qenë e lidhur dhe organike me të tërën, brënda vargut dhe poezisë së krijuar. Ja pse për të kuptuar poetikën e çdo fjale të këtij poeti të jashtëzakonshëm, shumë fjalë të tij kanë patur nevojën e një shpjegimi, të cilin nuk e ka bërë vetë autori, pasi ai nuk kishte nevojë për shpjegime. Ishte koha për të qenë modern dhe për të shkruar një tjetër lloj poezie. Shpjegimet i kanë bërë historianët e letërsisë dhe kritikët, kohë më vonë, pasi ata kanë dashur të deshifrojnë çdo varg të poetit dhe domethënien e tyre. Madje edhe sot, disa fjalë poetike të Rimbaud ende nuk janë deshifruar, pasi në fjalën e tij shpesh ishte imazhi, ajo çka ai shikonte apo përfytyronte, dhe shpesh përfytyrimi është abstrakt dhe tepër personal.

Shumë fjalë, Rimbaud i ka marrë nga mitologjia dhe literatura biblike, të cilën e njihte mjaft mirë. Njohës i latinishtes, greqishtes dhe i gjuhëve të tjera, madje dhe i gjuhëve të indigjenëve etiopianë, ai kishte hyrë në gjenezën e kulturës që bazohej në dy themele të fuqishme: Testamenti i Vjetër dhe Testamenti i Ri. Edhe pse jofetar, literatura biblike i jepte mundësi të shprehej për të kapur thelbin e qenësisë dhe të natyrës njerëzore, meqë ajo literaturë ishte vetë historia e njerëzimit. Kështu, kur ai shkruante se do të bëhej një poet “Voyant”, nuk është fjala për një poet “Parashikues” siç është përkthyer në ndonjë vend, por “Profet”, fjalë çka e ka marrë nga libri Mbretërit I, të Testamentit të Vjetër. Fjala “Miserere” që ai përdor, e ka marrë nga shprehja e psallmit 50: “Miserere me, Domine!” (Ki mëshirë për mua, o Zot!); fjala Ad Matutinum që ai përdor, e ka marrë nga shprehja biblike “ad matutinum, gallo canente spes redit”, (Në mëngjes, me këngën e gjelit, shpresa lind!); fjala “ange blanc”, (ëngjëll i bardhë) është marrë përsëri nga proza biblike. Po kështu dhe fjala “vespre”, fjalë të cilën e ka përdorur Ronsard më parë, por që në latinisht nënkuptonte për fetarët fundin e ditës dhe pragun e muzgut. Në fjalët “credo in unam” që është dhe titull poezie, (I besoj Zotit), ai është nisur nga “Credo in unum Deum!” Në poezinë Një arësyeje, shprehja një “hapi yt” është në kuptimin dhe imazhin biblik, pasi është sinjali i dhënë nga hyjnia e Marsit “gravidus”, (Zot i Luftës), i cili ecën përpara me një hap të tendosur.

Mjaft interesante është përdorimi i termit “Vierge folle” (Virgjëreshë e çmendur), apo dhe “Epoux infernal”, (Bashkëshort i tmershëm), në poezinë kushtuar marrëdhënieve të tij me Paul Verlaine. Kush është “bashkëshorti infernal”? Ai? Sigurisht! Përse “La Vierge folle”, siç e cilëson ai Verlaine-in? Nga vjen kjo fjalë dhe përse e ka përdorur autori. Por deshifrimi i kuptimit të figurës na vjen nga historia biblike, nga Ungjilli i Shën Mateut, i cili tregon historinë se “Mbretëria e qiellit do të jetë e ngjashme me ato dhjetë virgjëreshat që me llampat në duar duhet të shkojnë para gruas dhe burrit. Pesë nga ato ishin të urta dhe pesë të tjerat, të çmendura. Por në mes të natës, u dëgjua një klithmë: “Ja ku po vjen burri, (Dhëndërri). Shkoni para tij! Atëherë të gjitha virgjëreshat u ngritën dhe përgatitën llampat për të shkuar drejt errësirës. Por të çmendurat u thanë virgjëreshave të urta: “Na jepni vaj sepse llampat tona u shuan. Ato u përgjigjën: - Meqë kemi frikë se nuk do na dalë për gjithë rrugën që do bëjmë as për neve e as për juve, atëherë shkoni tek ata që shesin vaj dhe blini nëse ju duhet. Dhë “të çmendurat” u nisën. Ato shkuan ngadalë për të blerë, ndërkohë që burri, (Dhëndërri), erdhi. Kur u kthyen, ato vunë re se burri kishte hyrë dhe porta ishte mbyllur. Dhe ato thanë: “O Zot, na e hap portën!” Por Perëndia u përgjigj: - “Tu them të drejtën, unë nuk ju njoh, pasi ju nuk dini as ditën dhe as orën”...

Që në rini të tij, nga leximet e shumta dhe inteligjenca e jashtëzakonëshme, ai fitoi një kulturë të madhe, çka reflektohet në poezitë e tij që edhe pse jo të shumta, përfshijnë epoka arti dhe të historisë të gjithë njerëzimit. Në fjalën “sommeils”, (përgjumje), tek poezia Villes, (Qytete), ai i referohet “portës së ëndrrave” tek Eneida e Virgjilit; po kështu, shprehja e tij “caverne de forgerons, (shpella e farkëtarëve), është një referencë nga Eneida. Kur shkruan për Mabs, ai ka parasysh mbretëreshën Mab tek Romeo e Zhuljeta. Po, Rimbaud nuk kishte nevojë të shpjegonte fjalët dhe simbolikat e tij. Ato duhet t’i dinin lexuesit dhe ja pse poezia e tij ishte një poezi e nivelit të lartë ku ngërthehej kultura e botës, studimet e gjata, pasionet e zbulimit të teksteve të vjetra e të reja, vetë atmosfera e shekujve të mëparshëm dhe të aktualitetit. Jo rrallë, Parisin e quan Parmerde, çka është bashkim i fjalëve Paris dhe “merde” (fëlliqësirë). Fjalën “candor” që ai përdor në imazhin e të bardhës perfekte si pastërti e shpirtit, na vjen nga latinishtja “candeur”. Për fjalën “Përtej detit”, (Outre-Mer), ai përdor “ultramarin”.  Kur shkruan për “Muse verte”, (Muza jeshile), po ta përkthenim fjalë për fjalë, është “muza e absintit”, të asaj pije në ngjyrë jeshile që pinte kabareve të Parisit me mikun e tij Verlaine. Në poezinë Anija e dehur, (Bateau Ivre), për detin ai përdor ngjyrën “azur verts”, çka janë dy ngjyra, që duket se e kundërshtojnë njëra-tjetrën, por nëse shikon një anije të mbytur nën det, pikas realisht atë përzjerje të ngjyrës së kaltërt me jeshilen... Vargun e tij “boulevards de cristal”, (bulevarde kristali), ai e ka nga imazhi i “Crystal Palace” të Londrës, që në atë kohë ishte një vend tërheqës për gjithë të huajt. Madje në poezitë e tij, veçanërisht në Përshndritjet, (Illuminations), ai përdor shumë fjalë me origjinë angleze, madje dhe si tituj poezish si Botoom, Fairy, Being Beauteons, etj. Kritiku francez Pierre Brunel shkruan se fjalën “being” ai e ka marrë nga një roman i Shelley-t ndërsa “bottom” e ka huazuar nga Shakeaspeare.

Rimbaud duket sikur luan shumë me fjalën, duke i dhënë një kuptim dhe simbolikë të veçantë. Madje ai krijon neologjizma, fjalë të reja që nuk ekzistojnë në fjalorët e kohës. Ai përdor fjalën “ilune”, në kuptimin “i larë nga drita e hënës”, ndërsa në poezinë Mëngjes dehës, (Matinée d’ivresse), fjala “chevalet”, (kavalet), përdoret për instrument torture, siç thuhej në ato kohë në zhargonin e torturuesve. Po kështu, kur shkruan vargun “fumer de roses”, është fjala “të pish cigare të paketave ngjyrë rozë që ekzistonin atëherë në Paris, dhe jo “trëndafila”, siç mund të përkthehej normalisht fjala “rose”. Ai është një qëmtues i fjalës, duke kërkuar tek ajo koloritin e vetë kohës. Kur shkruan për “vieux de la vieille”, nuk është “plaku i plakës”, por “ushtari i Perandorisë së Parë franceze”. Enigmatike duket dhe poezia “H”, në vëllimin Përshndritjet. Për Rimbaud, “H”, është vetmia (solitude), është momenti i masturbimit, akt që bëhet në vetmi... “Sa solitude est la mécanique érotique”, shton Brunel. Po kështu, tek e poezia e tij Un cœur sous la soutane, fjala “cœur” nuk është në kuptimin zemër, por në kuptimin e seksit, (një seks nën rasën e priftit). Por le t’i lexojmë poezitë e dy vëllimeve kryesore të Rimbaud-së, Një stinë në ferr, (Une nuit d’enfer) dhe Përshndritjet, (Illuminations), ashtu siç na i ka lënë të shkruara autori, pra pa shpjegimet e mëpasme të kritikëve dhe studjuesve të letërsisë, veçanërisht, specialistëve të Arthur Rimbaud, shpjegime që mund të gjehen në botimin e Gallimard, Pleiade, apo botime të tjera...

©Luan Rama