Dasma e Nase labit - Tregim nga Gëzim Zilja
Thoshnin se vajzë aq e bukur nuk ishte parë në shtatë fshatrat e Bregut të Detit. Nami për bukurinë e kishte kapërcyer me kohë gjithë Bregun dhe kishte mbërritur deri në malet dhe skërkat e Labërisë së thellë. Sa kishte mbushur 15 vjeç, kishin ardhur lajmës gjithandej madje edhe nga Janina, por i ati, Kolë Spirua, burrë i sertë dhe fjalëpak, i kishte kthyer të gjithë mbrapsht me fjalët:
- Nuk kam vajzë për të martuar. E kam të vogël. E vërteta ishte krejt ndryshe: Nuk mund ta jepte dokudo “dritën e sirit”, Fotinën.
Thanasi ishte lindur e rritur në Malet e Labërisë, trim dhe hokatar i madh, e djalë për kokën e djalit. I vinte ndoresh për çdo gjë. Dinte të milte dhitë e delet, të therte e rripte një qengj për dhjetë minuta, nishanxhi dhe sherxhi i lindur. Kurrë nuk e hiqte nga brezi koburen e larë në ar dhe kamën e madhe me dorezë sërmaje, dhuratë nga gjyshi i babës, që e kishte plaçkë lufte nga nizamllëku në Jemen. Vakti për t’u martuar i kishte ardhur se të njëzetat i kishte kaluar. Një ditë dëgjoi për Fotinën nga Bregu i Detit. Këngë në gjallje i kishin ngritur:
Mu te porta te ulliri/Del Fotina si illi/Fotinë moj kapetane/Të ka bërë mëma nishane/Si xhinde që rri në male/Qafëgjatë si sorkadhe/Qafëgjatë si bodile/Të tundet mesi si qime /Mu si flakë vetëtime.
Megjithëse vajzën nuk e kishte parë kurrë me sy, nga gjithë ato që dëgjonte vendosi: Ajo vajzë e rritur në breg të detit, nën hijen e ullinjve, aromës së luleve të limonit, portokalleve e qitrove është fati im.
Nuk u mendua shumë Naseja, megjithëse e dinte mirë që bregasit nuk i jepnin vajzat në krahinat e thella të Labërisë. Ku e ku Bregu i Detit me skërkat e malet e Labërisë! Një natë, ashtu i druajtur e nën zë i kërkoi t’atit të dërgonte lajmës te Kolë Spirua dhe t’i kërkonte dorën e së bijës, për djalin e vet, Nasen. Dulja, drodhi një cigare të trashë sa gishti, kapi me mashë një thëngjill dhe e ndezi.
- Mirë o bir, po nga të lindi ty kjo mëndje? Ti nga Bregu i Detit, nuk ke dalë ndonjëherë e ma merr mëndja nuk e ke parë as Fotinën?
- Nuk e kam parë o babë, por më kanë thënë njerëzia që venë e vinë. Pastaj i kanë ngritur edhe këngë, aq e bukur është.
- Po ti, e do për të bukur, apo për shtëpi e fëmijë? - e ngacmoi Dulja, të birin.
- Ngaqë është edhe e bukur, - pohoi djali i skuqur deri në majat e veshëve.
- Dre, dre! - bëri Dulja duke kruar kokën. - E dashke të bukur nusen zotrote?
- Po babë, po! - pohoi djali gjithë sinqeritet.
- Mirë, mirë, shko tani pa do t’a shikojmë edhe punën e nuses tënde, - e mbylli bisedën me të birin, i ati.
I erdhi mirë që i biri megjithësi i ri, kishte goditur në shenjë. Qoftë fisi, qoftë i ati vajzës nuk kishin të sharë. Fis i madh ishin, me prona e toka, por edhe shqiptarë të vërtetë. Sa herë e kishte lipsur puna ashtu si dhe fisi i Imerajve i kishin nisur djemtë në luftë kundër turkut e grekut, kur këta kishin guxuar të shkelnin në tokat e tyre.
- Nuk ke çfarë mendon a derëzi, sikur do të nisësh luftën me turkun a grekun! Nashtinë nis lajmësin e të bënet qo punë! - guxoi e i prishi mendimet e shoqja.
- Ik a derëzezë, fshi oborrin, bëj drekën, e shiko pulat a kanë bërë ndonjë koqeve, se nuk janë punë për ty këto, - ia ktheu pa lëvizur kokën Dulja. Edhe mëndjen e gruas kishte mangët. Po të hynin gratë në këto punë, ters do të vente prandaj dhe u inatos. E shoqja nuk u ndje më.
Thirri të nesërmen vëllezërit e vet dhe ranë dakord të çonin lajmës te Kol Spirua por kërkesa derisa të vinte përgjigja, duhej të mbahej e fshehtë.
Kola e dëgjoi lajmësin pa thënë asnjë fjalë dhe pa i lëvizur asnjë muskul i fytyrës. Ai e njihte mirë fisin e djalit dhe ishin ashtu si i dëshironte, të besës, e të gishtit. Por edhe ekonominë nuk e kishin keq: dhën, dhi e stane plot. Zenelit, se kështu e quanin lajmësin, iu krijua përshtypja se ai, do t’a kthente duarbosh. Burrë i rreptë ky Kol Spirua, i heshtur si një kërcu. U gjend ngushtë Zeneli si rrallëherë dhe ndjeu që po dërsinte.
- Zot na ruaj! - mendoi për një çast. - Flet a nuk flet fare ky lloj njeriu? Po sikur të më përcjellë laneti, pa më dhënë fjalën? Mos vallë nuk kishte folur si duhet dhe nuk kishte nxjerrë si duhet cilësitë e fisit të Imerajve?
- Hiqu dreq! - tha për të larguar mendimin e keq, që i lindi papritur. Befas Kola, ngriti kokën dhe foli me zë të butë: - Grua, po ç’u bëre moj e uruar? Po na ka ardhur mysafir, moj. Si na le kështu me një kafe?
Sa mbaroi fjalën, e shoqja u shfaq sakaq me një sini të madhe në duar. Shtroi djathë, ullinj, qepë, disa kokrra vezë të ziera dhe një shishe me raki të pastër si qelibari. Zenelit, i shkriu gjaku e po priste gjithë sy e veshë përgjigjen. Kur e zonja e shtëpisë pruri edhe një zog pule të skuqur, Zeneli, u qetësua plotësisht. Zuri vend mirë atje te oxhaku dhe po priste të fliste i pari zotshtëpia.
- Gëzuar o Zenel dhe mirëseardhe! - përplasi gotën e rakisë, Kola. - Prishur mos qoftë! Çoju fjalë Imerajve, për të më kërkuar dorën e vajzës.
Ky mori frymë thellë, u krekos mbi shiltetë e buta, rrëkëlleu një gotë plot me raki, këputi një copë mish të bardhë nga zogu i skuqur dhe filloi ta përtypte plot kënaqësi. Kishte ende një merak: meqë erdhi donte ta shikonte Fotinën, nëse ishte e bukur sa thuhej! Kola, e kuptoi sepse Zeneli, po e vërtiste kokën sa andej këndej sikur diç kërkonte.
-Zenel vëllai, mos i vërtit sytë sa andej-këndej si ato pulat budallaqe. Puna jote mbaron këtu. Fotina po qe e thënë që krushqia të lidhet, do të dalë ta shohin njerëzit, kur është për të dalë dhe si është për të dalë.
E fjeti mëndjen Zeneli dhe i hyri nga e para mezes dhe rakisë.
- Falëmeshëndet Dule Imerit dhe i thuaj që e pres!
- Na qoftë e hajrit dhe me bereqet! - u përgjigj lajmësi. I hipi mushkës kuqalashe dhe fluturoi.
***
U mblodhën njerëzit e Nases dhe vendosën të shkojnë te Kolë Spirua. Do të zinin nuse për nipin dhe sipas zakonit do të çonin dhurata për të dhe të afërmit e saj. Gjylua, e ëma, vente e vinte nëpër shtëpi dhe këndonte: Fotina si bijë valiu/Si pisqollë kujunxhiu/Kujunxhi të kam vëlla/Më pre një palë toka’/Të mira të bukura’/Të lyera me boja’/të shkruara anësë/ me kalem të gramësë.
Kur Naseja e pyeti se kur do të shkonin për nishanet, ajo iu përgjigj butë: - Bëj pak durim, bir i nënës. Nases i vlonte gjaku dhe nuk duronte sa të bëheshin gati njerëzit e vet. U la kopetë vëllezërve, ngjeshi kobure e kamë në brez, pushkën në sup, gunën e dhirtë krahëve, qylafin me antenë në kokë, i hipi kalit e u nis.
- Do shkoj të shoh Fotinën, nëno! - i tha së ëmës. - Ta shoh është aq e bukur sa thonë apo… Babës mos i thuaj gjë, se më qorton e nuk më lë.
- Nuk mund të shkosh te Kol Spirua, pa shkuar yt atë më parë e pa këmbyer nishanet. Të keqen mëma, mos e turpëro tët atë!
- Mos ki merak moj mëmë! As i afrohem, as fjalë do t’i hedh.
Nuk ishte dakord e ëma, por sekretin e ruajti. Natën vonë Naseja bujti te hani i fshatit. Në mëngjes hanxhiu i sajdisi me kafe e raki.
- Nga të kemi o djalë? - nuk iu durua pa e pyetur.
- Nga Lumi i Vlorës. Jam djali i Dule Imerit, - u përgjigj jo pa krenari.
- I njoh mirë ata të tutë. Po ç’ne në këto anë? - vazhdoi hanxhiu.
- Kam ardhur të shoh nusen time, kur të kalojë këndej.
- E kë ke zënë nuse ti këtu, o djalë? - e pyeti hanxhiu, jo pa habi.
- Fotinën, e Kol Spiros, - u përgjegj, serbes djali i ri.
Një tavolinë më tutje ndiqte bisedën pa folur një mesoburrë, i veshur me tirqe, me një fytyrë të thatë, mollëza të kërcyera, me ca mustaqe të holla, e mbi kokë festen e zezë mënjanë, si të gjithë bregasit. Sa mbaroi fjalën Naseja, ia priti me një zë të rëndë si bubullimë:
- Fotina, ka babë e mëmë o djalë, e nuk është bonjake. Nuk më ka ardhur njeri nga fisi juaj të më kërkojë vajzën mua dhe llaf nuk kam dhënë. Burri qëlloi të ishte vetë i ati i Fotinës. Ç’ishte ky birbo, ky fodull, që vinte në pikë të sabahut dhe fliste në mes të hanit se do të merrte për nuse të bijën, kur llafi nuk ishte dhënë ende? Me të vërtetë kishte ardhur lajmësi, por vetëm ishte hapur rruga për t’u fjalosur!
- Sa vijnë e kërkojnë vajzën, ohuu, po një do ta marrë.
- I ke dhënë fjalën lajmësit. Shpejt do të vijnë njerëzit e mi për të kërkuar dorën e Fotinës e të ndërrojnë nishanet…
Bregasi, kishte marrë zjarr e nuk e la të vazhdonte më tej. U ngrit në këmbë, iu afrua djalit, e pa në sy, sikur do e përpinte dhe iu hakërrua:
- Lajmësit i kam thënë se i pres Imerajt, në shtëpi, po llaf për vajzën nuk kam dhënë. Nuk i zë krushqitë në pazar unë!
- Ke dhënë llafin dhe unë Fotinën do ta marr! - ngriti zërin e nxitoi djali.
- Aha, e dashke me se s’bën? E ditke zakonin ti, që mollois ende pa lerë dielli, lart e poshtë për time bijë? Thuaj tyt eti të mos marrë mundimin e të dërgojë njerëz te unë, se nuk i pres! - thirri i ngritur në këmbë Kola. Djali tashmë i ngritur dhe ai në këmbë, i zuri rrugën:
- Mos e ha llafin! - donte t’i thoshte, por Kola vuri dorën në brez, nxorri koburen dhe ulëriti si i çmendur: - Hap rrugën se t’i hodha trutë në erë more zabërhan sokaqesh!
Naseja u bë limon. Bëri të nxirrte koburen e vet, por ndërkaq fshatarët me gjithë hanxhiun kapën Kolën dhe e larguan.
- Do ta shohim atë punë, dota shohim, - mërmëriti Naseja, nëpër dhëmbë sikur t’i jepte përgjigje më shumë vetes se dikujt tjetër.
Kola arriti në shtëpi shi e furtunë, hapi derën e oborrit, e qëlloi fort me shqelm dhe bërtiti: - Ka njeri apo e ka marrë rrokullima çdo gjë këtu?
E shoqja dhe e bija, dolën menjëherë përpara pa kuptuar pse ai u kthye aq i nxehur dhe aq shpejt në shtëpi.
- Oj, do nuse me pahir i biri i botës. Dëgjove more Zenel llafazani, që nuk theve të dyja këmbët por erdhe e më gjete në shtëpi. Ah more…! - nuk qetësohej dot, tashmë i ulur mbi divanin e vetëm të shtëpisë.
- Çfarë të ka ndodhur, po thuaje more burrë se na i bëre gjakun ujë? - pyeti e shqetësuar e shoqja, duke i hequr opingat.
- Sytë që të pëllcasin ty dhe mua bashkë. Do të m’i heqësh ato opinga, apo do të rrish gjithë ditën këtu nën këmbët e mia.
Marika, që e njihte mirë të shoqin, nuk e zgjati më tutje. Mori opingat dhe i vendosi te pragu i derës. Fotina, e ngrirë rrinte qiri më këmbë.
- Dhe dëgjo këtu ti Fotinë, por dëgjomë mirë! - iu drejtua së bijës me emër. - Po të pashë të dalësh më nga shtëpia, more majën e gishtit të nxjerrësh, do ta këpus kokën si të zogut! More vesh? - ngriti zërin.
- Po babë, si urdhëron babë! - u përgjigj vajza pa kuptuar përse bëhej fjalë.
Dy ditë Kola nuk doli nga shtëpia. Të tretën doli si zakonisht...
- Jepe Kolë, vajzën, se i ke dhënë llafin dhe djalin kot e ngave. As në shtëpi të erdhi, as vajzën ta ngau. Derisa i the lajmësit të vijnë e ta kërkojnë kjo punë quhet e mbaruar, - e këshilluan miqtë. Po ku flitej me Kolë Spiron? I kishte hipur mushkës së prapthi dhe nuk hiqte dorë nga e tija.
- Shikoni punët tuaja ju, se të mijat i di vetë unë. Nuk kam vajzë për ta degdisur nuse në malet e Labërisë.
- Jepe vajzën Kolë e mos i shaj Imerajt, se janë protoderë, - e ngisnin muhabetin miqtë.
- More flori nuk pjellin? Nuk kanë ç’më duhen mua fodullët e Labërisë, - e zbuti tonin Kola, por duke e quajtur çështjen e mbyllur.
Ndryshe qëndronin punët atje mes maleve, ku dëbora në majat e tyre fillon e shkrin aty nga fundi i prillit. Djali, pas sherrit me Kolë Spiron, mbërriti në shtëpi aty ndaj të ngrysur dhe as hëngri, as foli. E ëma që e kishte ruajtur sekretin e pyeti mënjanë:
-Po pse më rri helmuar, more bir? Nuk të pëlqeu keçja, a ke bër sherr gjakundi? I biri nuk u përgjigj.
- Ka ngjarë më të atin, - mendoi Gjylua. - Edhe ai ditëzi, kur ka ndonjë hall rri me ditë pa folur. Të nesërmen porositi t’ëmën t’i bënte gati ndërresat dhe ndonjë gjë tjetër që i duhej.
- Do të shkoj në stan, - i tha. - Mos më prisni deri sa të çelë gjethi i ri!
I dogji nënës! - Nuk të lë të ikësh pa më treguar. Të ka dritë syri mëma. Ku do më shkosh kështu i mërzitur, e zëmëruar e të më lësh në merak?
Iu dhims e ëma. Edhe këtë herë që do të gëzonte e do të merrte nuse, e ndoshta do të lehtësohej nga punët e shumta, dreqi e di si u rrokullisën ngjarjet aq keq. Ishte hera e parë që e kishte dëgjuar të këndonte nëpër shtëpi, gjithë dashuri, këngën e Fotinës…
I tha shkurt se ç’kishte ngjarë atje në fshat dhe zënkën me Kolë Spiron. E ëma mbeti e shtangur, po shpejt e mori veten: - Hë se e ndreq yt atë atë punë. Po edhe po nuk e ndreqi ka vajza plot se nuk është vetëm Fotina, në këtë dynja, - donte të qetësonte veten dhe të birin.
Por derisa punët kishin arritur aty ku i tregoi i biri, nuk mund të rrinte më pa i thënë të shoqit se çfarë kishte ngjarë. Dulja, gati sa nuk lojti nga mendja. Ashtu si ishte i ulur pranë oxhakut, pa mbaruar ende së foluri e shoqja që rrinte në këmbë, u zgjat, kapi mashën dhe i ra me të, me gjithë forcën e krahut. Gjylua, që ia dinte inatin dhe po ndiqte me kujdes lëvizjet e tij, u shmang në kohën e duhur. Nuk ishte hera e parë që ai e bënte këtë veprim. E dinte mirë tashmë, që gjithë inati do të zbrazej mbi të.
-Po si moj, do më mbash sekrete ti? Po pse, gur varri jam unë në këtë shtëpi? Po ç’borxh të kam, që më fut në gojë të bregasve e më bën armik me Kolë Spiron? Në shtëpinë tënde kam për të dërguar, tani në pleqëri. I bëtë bajgat me atë buzëqumështin dhe tani m’i latë mua që t’i laj.
Atij burri, që mezi ia nxirrje fjalët me çengel nuk iu mbyll goja deri në mesnatë, duke bërtitur e ardhur rrotull nëpër shtëpi. Thirri vëllezërit për ta pleqëruar se ç’do të bënin më tej. Dërguan njeri që të fjaloseshin me Kolën, por ky ia kishte prerë drutë shkurt: - Të vijnë po të duan se unë derën shyqyr zotit hapur e kam. I pres, e i përcjell me ato që të më ndodhen. Po unë çupë për ta, nuk kam. Nuk ia falte dot atë sjellje prej fodulli, Nase Labit. Dules nuk i erdhi fare mirë, por fajin ia kishte i biri dhe sidomos e shoqja. I dha karar dhe e quajti të mbyllur atë muhabet.
***
Atje lart në malet dhe luginat, ku bari rritet me bollëk, ku era e rigonit dhe e trëndelinës kundërmojnë gjithë vitin, Nases, që kur u kthye në stane i kish ikur humori dhe gjallëria e dikurshme. Se nga kishte gjetur një dyjare, dilte më të në një pllajë, ulej mbi një shkëmb dhe ia merte me të qarë. Gjethi kishte çelur me kohë, u poqën kumbullat e po piqej rrushi e ftoi, po Naseja nuk u kthye në shtëpi. Nuk e hiqte dot nga mendja atë që i kishte ngjarë. Jo më shumë për Fotinën, se as e kishte parë e as e kishte prekur me dorë, por për llafin e ngrënë dhe fjalët që dëgjonte lart e poshtë. Flisnin të gjithë edhe ziliqarët edhe dashamirët edhe miqtë. Flisnin sipas qejfit. Të rënda fjalët e ziliqarëve dhe llafazanëve, melhem të dashamirësve po Nasen nuk e shëronin dot.
Mund edhe ta harronte Fotinën dhe t’i thoshte të atit, t’i zinte një nuse tjetër edhe më të bukur se vajza e bregasit, por njerëzia njëlloj do të vazhdonin. Do t’ia kujtonin gjithë jetën, si e turpëroi Kola, që nuk ia dha të bijën për nuse, si i nxorri koburen dhe si ky ia mbathi me bisht në shalë. Edhe të bukurën e dheut t’i zinte i ati për nuse, emri i tij do të mbetej i njollosur. Në kokë po i ngulej mendimi me të cilin ngrysej e gdhihej: Kolë Spirua, e kishte turpëruar. Prandaj o me hir, o me pahir do ta merrte Fotinën për nuse. Dërgoi e thirri disa djem, vërsnikë me të nga fshatrat pranë. U preu një qëngj pirës, e poqi dhe u shtroi meze e raki. Për herë të parë pas aq kohësh e mori këngën vet. Ishte çelur në fytyrë, bënte shaka, hante, pinte e qeshte. Ishte kthyer Nasja i parë, i këngës, shoqërisë dhe zijafeteve.
- Ju more shokë ma dini hallin! Unë në këtë botë nuk jetoj dot më, pa vënë nderin në vënd. Kola ma dha llafin e ma ktheu. Dua të vini me mua e të rrëmbejmë Fotinën, nusen e taksur për mua. Me hir nuk ma jep ai maskarai i bregut, kështu që do ta marrim me pahir. Ma thoni tani nëse nuk doni…
Djemtë e kuptuan shumë mirë, se ç’donte të thoshte Naseja, me fjalët me hir a me pahir: Do të shkonin të grabisnin me armë një vajzë, për ta marrë nuse për shokun e tyre.
-Me atë që ka bërë Kola, na zë turpi të gjithëve si krahinë, - arsyetuan gjithë seriozitet. E morën me qejf të madh djemtë punën që do të kryenin. Ishte një rast i artë, të tregonin zotësinë dhe trimërinë e tyre. Ndoshta s’i dihej, nesërdej, mund t’u ngrihej një këngë, për atë që do të bënin. Nase Labi, vet i dhjetë, të gjithë sorqeth mali, zgjedhur me dorë, të armatosur me kobure e dogra, me qylafët e bardhë me antena në kokë, e brucat e zeza me lëkurë deleje krahëve, u hipën kuajve dhe u drejtuan në fshatin atje në Breg të Detit. Natën e kaluan duke ngrënë mish qengji të pjekur, duke pirë raki, duke hedhur valle e duke kënduar.
Nga mesdita, fshati u ngrit më këmbë nga krismat u pushkëve, kobureve dhe britmat e njerëzve. Shtëpia e Spirojve ishte rrethuar dhe kishte krisur lufta. Djemtë e Bregut të Lumit, të paduruar, duke menduar që Kola, nuk kishte djem, në fillim u sulën drejt shtëpisë të rrëmbenin vajzën, por bregasi ishte bërë gati me kohë. Tetë pushkë krisën njëherazi dhe katër djem ranë në mes të oborrit si kallinjtë e pjekur nga drapri i bujkut. Katër shokë iu vranë Nases, që në sulmin e parë
- Nuk ta jap vajzën, more qën i maleve, more soj hajduti. Këtu ke për ta lënë edhe ti kokën! - sokëllinte Kolë Spirua.
- Nuk kthehem në shtëpi pa Fotinën unë, ngule mirë në kokë! - ulërinte si i tërbuar nga krahu tjetër, Nase Labi. Aty në të perënduar të diellit pushkët rreshtën.
Me të pestët që i mbetën dhe ai vetë gjashtë, hynë në shtëpi. Gjetën vëllanë dhe të shoqen e Kolë Spiros, e nja katër të tjerë, gjallë e keq, mbuluar në gjak. Hataja ishte bërë në dhomën tjetër. Në mes të shtëpisë gjendej i vdekur Kolë Spirua, me dy plumba në gjoks. Pak më tej te dritarja në një pellg gjaku, shtrihej e bija, Fotina e bukur. Shamia i kishte shkarë anash dhe flokët i ishin derdhur në dysheme. Edhe ajo e vdekur. Gjithë ajo bukuri ishte shuar.
- Do luftosh me mua të mbrojmë nderin e shtëpisë, a do të bësh sehir si do të të vrasë babën, i biri Dule Imerit, e pastaj të të rrëmbejë e të çojë në stanet e tij, - i kishte thënë, Kola, së bijës, kur shtëpia u gjend e rrethuar.
Vajza rrëmbeu pushkën nga muri dhe zuri vend te dritarja.
- Ashtu moj bijë! Djalë s’më dha zoti me të vërtetë, po të kam ty djalë e shkuar djalit, - tha, kur pa të bijën të rrëmbente pushkën. Naseja, pa vajzën e vdekur, shtrirë në dysheme: - E bukur qënia, e bukur! Paska qënë xhinde me të vërtetë! Edhe e vdekur nuk ke ç’i thua, dritë lëshon, - mendoi.
- E paç më qafë o Kolë Spirua, o babë i pashpirt! Si do ta hajë dheu gjithë këtë bukuri, o zot i madh? - hoqi në zemër, djali i pikëlluar. Por puna nuk e priste. U kërkoi katër mushka fshatarëve, që e kuptuan pse i donte dhe ia sollën menjëherë.
- Hajdeni tani! - u tha shokëve. - Ngarkoni djemtë e vrarë në mushka dhe o burra të nisemi të çojmë xhenazet në shtëpi dhe t’i varrosim siç e do zakoni. Nga plumbi u vranë, nuk vdiqën në shtrat duke lënguar.
Bregasit, burra, gra e fëmijë, shikonin si Naseja me shokët e vet, mbështollën me batanie të vrarët, i ngarkuan dhe i lidhën mbi mushka. Para se t’i ngarkonte, Naseja, mbytur në lotë, i puthte në ballë dhe u thoshte: -Ma bëni hallall, o vëllezër! Kështu ishte e shkruar, - sikur të vdekurit të kishin veshë e të dëgjonin. Asnjë nuk i trazoi, nuk u tha qoftë edhe një fjalë të vetme. Troku i kuajve dhe mushkave u dëgjua një copë herë të mirë, pastaj pllakosi errësira. Në fshat ndërkohë kishte filluar kuja e grave, që qanin trupat e të vdekurve, babë e bijë dhe të afërmve të tyre. Gjëmë e madhe kishte ndodhur! Gjak nuk kërkoi asnjëra palë, as e atyre të Malit, e as e atyre të Bregut të Detit. Një rast i tillë nuk kishte ngjarë e nuk ishte dëgjuar kurrë në ato anë. Po kënga u ngrit dhe u këndua nga vet bregasit:
Gushtovjeshta trembëdhjetë,
Në fshat briti kujeja
E ku e gjetnë sebepnë?
S’e pat fajin Naseja.
Ç’u ngre Nase Labi vetë,
Vate Kolës e i tha:
-Do ma japç a ta marr vetë?
Nëma, mos m’u bën bela’!
-S’e jap se e bëre vet
Ta di në shtëpi ta mba...
Ç’u ngre Nase Labi i shkretë,
Vate në miq e u tha,
Që në Cmokthinë e përpjetë,
Nga dy djem për fshatëra....
Nëntë shokë e Nasja dhjetë
Gjithë trima me dogra.
Të mërkurën më pasdrekë,
Spirojve baskëm u ra.
Fotina në penxheretë
Dy rovole bashkë i dha.
I shkreti Duro Bolena
U godit në ballë e ra.
Seç i briti Nase Labit
Merrmë hakun o vëlla’!
S’më vrau Kapetani i detit,
Po më vrau Fotina’....
U vranë burra edhe gra
Gjasht’ muaj gjaku s’u tha....
Këtë gjë bëri Fotina,
Që s’qe bërë në dynja.
Ç’e bë Nase Labi vetë
Për një grua që s’iu dha...
© Gëzim Zilja
*Marrë me pak shkurtime nga libri me tregime “Çështje familjare”. Poezia është marrë dhe kjo me pak shkurtime nga “Këngë popullore të Labërisë 8.” (Mbledhës i paharruari Fatos Mero Rrapaj).











