VANGJUSH ZIKO: KËTU PRANË POLIT TË BOTËS
Cikël me poezi të nxjerra nga gjashtë vëllimet e autorit që janë publikuar pas emigrimit të tij në Kanada, nga të cilat e fundit është krijuar rishtaz. Siç shprehet ai vetë, ato skicojnë diagramën e mallit dhe të dilemave të frymëzimit ...
MALL
Po ngjite lart dy paralele,
Të puth ariu i Veriut.
Thinjët e mia të bardha dele
Era e Polit m'i lëpiu.
Më ngrinë flokët e dëborës
Mbi këto thinjë mesdhetare,
Ashtu si gjembat e kurorës
Përmbi një kokë mëkatare.
Ç'mëkate bëra, nuk e di,
Por duhet unë që t'i laj.
Më zbove, mëmë Shqipëri,
Më syrgjynose në ky skaj.
Nuk shaj ariun, as dëborën,
As ty, e gjorë, nuk të shaj.
I shkrij akujt e dëborës
Me këtë mall që ndezur mbaj.
2005
KËTU PRANË POLIT TË BOTËS
Kolombi zbuloi Amerikën,
Ajo mua.
Ky dhe' buzë Arktikut
i ngrohtë
dhe akulluar.
Mësova lundrimin e ajzbergut
me këmbët thellë në jetë
Të jem vetë
dhe bregu
dhe oqeni vetë.
Pranë ariut të bardhë
fole shqiponje ngrita,
Emigrant erdha,
Shtetas u rrita.
Torbën time të kripës
ende s'e kam mbaruar.
Akulli i frikës
s'ka shkrirë i tëri në mua.
Por aguliçe e Moravës
çeli te pragu i portës.
Pranverës i them:
Mirë se ardhe!
Këtu
pranë Polit të Botës.
2011
ËNDËRR E ÇUDITSHME
Mes absurdit të jetës së përditshme
Fle dhe zgjohem me një mendim të çuditshëm.
Me një hamendje. Me një dilemë.
Dallgët e shpirtit ato m'i ngrenë.
E braktisa atdheun a e mora me vete.
I shtriva kufijtë e atdheut mbi detet
Pa prekur kufijtë e shenjta të shteteve.
Kufijtë e shpirtit tim u zgjeruan.
Atdheu zgjohet dhe fle me mua.
Mes absurdit dhe jetës së përditshme
Fle dhe më zgjon kjo ëndërr e çuditshme.
2013
KJO SHTËPI
Flladi i mëngjesit
me pëllëmbën e freskët
ma fshin ngadalë ëndrrën
që më bën të vuaj.
Jetoj në kjo shtëpi
që bie erë mërgim,
borziloku i mallit
bleron në shpirt dimër-verë
bashkë me hithrën e hidhur
që s'di se si mbin,
librat në raft
bëjnë dialog absurd
me spikeren e televizorit
që ligjëron në gjuhë tjetër,
fotot e qytetit të lindjes
mërziten me sytë indiferentë
të këtij qielli gri
që më zgjon çdo agim
me ëndrrën
për një tjetër jetë.
2017
LULET E KAKTUSIT
E ngrita vetë
murin e qelqtë
të tejdukshëm,
memece lundrojnë retë
ngarkuar me vetëtima,
as shushurima pemësh
as ulërima të jetës
në vesh mos më vijnë.
Njerëzit ecin
të përhumbur
dhe indiferentë.
Më mbijnë mbi letër
lule me lëng të hidhur
lule mishi dhe shpirti
vargje me gjëmba,
si kurorë krishti.
Lulet e kaktusit
(jo rrufetë)
ma thërmojnë
burgun e qelqtë.
2018











