Letërsi

E para mbetet fjala… - Nga Alban Bala

Unë mendoj se të mendosh është një mendim shumë i fismë

Të gjesh se të vërtetat janë të vërteta përgjysmë.

Të flasësh duke heshtur është një urti' perëndish

E të dridhesh nga dyshimi se të dish është shumë frikë...

Unë mendoj se të mendosh është një guxim pak i tepërt

Kur as vetja s'të pyet çfare do të bësh me veten…

Kur krejt bota të sheh si një pemë pa kurorë

Që lidh fryte në dimër e çel syth’ në tetor.

Por të mendosh në këtë mot është një lodhje e kotë

Humbje kohe pa grat', ves i mbetur, një modë

Dalëboje, kjo jetë nuk të pret as të rrosh, as të shkosh,

Ti veç mund të jesh

Si kalliri pabukë me kokën perpjetë.

Të durosh një mendim që të lodh ditë e natë

Si ta shmangësh gjykimin e botës përqark

Se atëherë je i zi, je cinik, firaun

Nuk bën dot vend për njerëz e do mbesësh kërcu'...

Dhe krejt bota mbi shpinë ta fshik si kamzhik

Gisht e fjalë, helm e vrer. Atëherë ku të ikësh?!

Kur dhe emri të le e fati t'braktis

Ç'ka t'u desh të mendoje? Fjalën ta bësh pis?

Se deshe një vend ku ta lesh zemrën peng

E të rrosh pa u dridhur, rritur shtat e mend

Të flijosh djersë e shpirt, të këndosh lavd për Zot

E njeriun ta shohësh drejt në sy pa pas' ndoht...

Ku ta çosh një mendim që dhe ashtin ta bluan?

Një dëshirë që e fsheh dhe një frikë që e druan

Se të mendosh është një krim përballë gjithë njerëzisë

Që ka gjetur rehat, që nuk do të lafisë

E ta vuajë dyfish: trup e shpirt, gjak e lot...

Dora që s’kafshohet ndoshta s’puthet dot

Por shtrëngohet. Shtrëngohet sa damarët t’i plasin

E fati si gjaku për fyti bëhet lak...

E sado që të them se të mendosh është virtyt

Përsëri une mbetem një njeri i arsyeshëm

Që heshtjen ka cak si qefinin e bardhë

Por fjala... fjala ishte e para... E para mbetet

Fjala…

© Alban Bala