Tolstoi dhe mëkati biblik i Adamit dhe i Evës - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko
Leon Tolstoi më 16 Shkurt të vitit 1891 shkruan në ditarin e tij: “Për Atë Sergejin (është fjala për novelën me të njëjtin emër, V.Z.) nuk guxoj të mendoj. Në një farë mënyre nuk dua, nuk kam dëshirë, sepse ai, për mua, është i shenjtë”. Për novelën “Atë Sergej” Tolstoi punoi gjatë me një përkushtim dhe përgjërim të veçantë. Në qendër të saj ai vuri jetën shpirtërore të njeriut. Protagonisti i saj, Stepan Kasacki, është një i ri me aftësi të shkëlqyera për rrethin e tij (ai është komandant i Gardës Perandorake, pretendent për t'u bërë adjutant personal i carit), ai ka një sedër të rrallë, nuk pi, nuk është i dhënë pas veseve, është i drejtë, “një djalë për së mbari”, siç e quan autori. Natyra e princit Kasacki është impulsive, me shpërthime të befta gjaknxehtësie, që, shpesh, e bëjnë të humbasë vetëkontrollin. Pas idilit të tij të lumtur të dashurisë, që po shkon drejt martesës, me një vajzë të oborrit perandorak, ai, në mënyrë të papritur për familjen dhe rrethin shoqëror, kërkon lirimin e tij nga detyra dhe mbyllet në manastir, dorëzohet murg. Pa dyshim që karakteri i tij i rrëmbyer është promotori i kësaj sjelljeje të tij të çuditshme, por jo thelbi, jo shkaku.
“Shoqëria e lartë e të gjitha kohëve, - shkruan Tolstoi – përbëhet nga katër lloj njerëzish; Nga të pasur dhe oborrtarë, nga të pasur, por të lindur e të rritur pranë oborrit; nga të pasur, që hiqen si oborrtarë, nga as të pasur, as oborrtarë, por që e mbajnë veten për të tillë. Stepan Kasacki i novelës “Atë Sergej” futet në të dy llojet e fundit. Mania e tij është që të hiqet e të duket oborrtar, atij i pëlqen mburrja dhe lavdia personale. Zbulimi i papritur i lidhjeve intime të mëparshme të së fejuarës së tij me carin, lëndon për vdekje sedrën, krenarinë e tij mashkullore. Ai bëhet murg, hyn në rrugën e përkushtimit ndaj Zotit (të cilin e ka besuar që në vogëli) i shtyrë nga egoja e tij për të treguar se qëndron më lart se ata, që ishin mbi të, se oborrtarët.
I veshur me rason e murgut, ai zbulon dhe një mani tjetër të tij. Sado i përkorë që hiqet, e tundojnë femrat që i ndesh në kishë dhe në manastir; atij i duhet të bëjë një përpjekje të jashtëzakonshme që ta largojë mendjen nga tundimi. Pra, karakterin e tij të vrullshëm dhe impulsiv e shoqërojnë edhe këto dy stihi të tjera të natyrës njerëzore: epshi dhe etja për lavdi. Këto komplekse shpirtërore dhe morale përbëjnë thelbin tematik të novelës. Ndërsa, mesazhi i saj evokon problemin etik dhe filozofik, që lidhet me luftën e njeriut për një pastërti morale dhe rrugën e arritjes së kësaj prej tij.
Njeriu, sipas Tolstoit, duhet të mposhtë dy stihitë e natyrës njerëzore: epshin, dëshirën e madhe për të plotësuar kënaqësitë trupore, zjarrin e madh të mishit e të gjakut dhe etjen për lavdinë njerëzore, ëndrrën për t'u vlerësuar maksimalisht nga të gjithë për punët dhe bëmat e veta. Në ndeshjen me këto stihi qëndron edhe thelbi i dramës shpirtërore të protagonistit të novelës. Kjo është një ndeshje e natyrës psikologjike dhe etike; është një ndeshje me një trashëgimi gjenetike, që në gjuhën biblike quhet “mëkati i zanafillës” së qenies, mëkati i Adamit dhe i Evës i lënë trashëgim racës njerëzore. Për të mposhtur apo frenuar këto ndjenja mëkatare nuk është aq përgjegjëse vetë shoqëria se sa është vetë individi. Por, a është i aftë vetë individi me potencialin e vet biologjik t'i bëjë ballë kësaj drame, na shtron pyetjen Tolstoi. A mjafton vetëm forca e karakterit dhe vetëpërmbajtja?
Në Bibël thuhet se kush është tunduar, qoftë edhe vetëm mendërisht, është mëkatar. Pra, kufiri i mëkatit kalon nëpër kufirin e padukshëm të shpirtit. Atëhere, si mund të zotërohet kjo dramë me karakter biologjik, gjenetik, kaq eterike për syrin njerëzor? Për Tolstoin ka vetëm një rrugë, rruga e mësimeve të shenjta, rruga e besimit te Zoti dhe te fuqia e fjalës së Tij. Të besosh, thotë Tolstoi, nuk do të thotë të veshësh rason e murgut apo zhgunin e asketit, të falesh pa pushim e të agjërosh, të predikosh mësimet e shenjta. Vetëm besimi nuk është hajmalia që të shpëton. Përkorja dhe përdëllimi janë vetëm shfaqje të jashtme. Besimi ka nevojë për përkushtimin shpirtëror dhe fizik të njeriut, ndaj asaj që i besohet, ka nevojë për sakrifica shpirtërore e fizike, ndaj asaj që i përkushtohet.
Stepan Kasacki, që ka marrë emrin murgëror Atë Sergej, mundohet t’i sundojë me forcën e vullnetit të tij ndjenjën dhe epshet, mundohet ta largojë mendjen, të qëndrojë larg, të mënjanojë çdo kontakt me femrat. Kjo vendosmëri e tij stoike arrin kulmin në guvën e eremitit kur, për t'i shpëtuar tundimit të papërmbajtshëm të vejushës së përdalë Makovkina, që i hyn në qeli në mes të natës me dhelpëri, Atë Sergej pret me sopatë gishtin e dorës dhe me gjakun e tij platit kështu zjarrin e epshit. Por ai nuk mund ta shuajë atë përfundimisht. Pas disa vitesh, kur ai është shpallur eremit çudibërës, nuk mund t'i qëndrojë tundimit të vajzës së tregtarit, i cili ia ka sjellë në qelë për t'ia shëruar. Atë Sergejt i qe dukur se e kishte mposhtur mëkatin e epshit duke iu lutur dhe falur Zotit, duke agjëruar dhe lavdëruar emrin e Zotit, por pat gabuar.
Apostull Pavli në letrën drejtuar bashkësisë së Romës u shkruan: “E pranojmë vërtet Ligjin e Perëndisë, përsa i përket arsyes sonë, por me sjelljen tonë zbatojmë ligjin e mëkatit”. Kështu veproi dhe Atë Sergej. Tolstoi shkruan në ditarin e tij: “Lufta vetëm me epshin është vetëm një episod ose, më saktë, një shkallare, kryesorja është ndeshja me tjetrën, me lavdinë njerëzore”. Tolstoi pohon kështu të vërtetën biblike. Adamin dhe Evën i shtyu drejt mëkatit jo bukuria dhe shija e mollës, e frutit të pemës së njohjes dhe të mosnjohjes. Ata i shtyu në këtë rrugë egoizmi i tyre për t'u barazuar me Krijuesin, me Perëndinë. Egoizmi është promotori psikologjik që nxit dhe ushqen etjen për lavdi personale të vetë njeriut. Përkëdhelja dhe mbivlerësimi i vetvetes janë ndjenja që e dehin dhe e verbojnë njeriun dhe e shtyjnë drejt mëkatit. Dhe me të vërtetë, cili shpirt njerëzor, që nga mbretërit dhe gjer te njerëzit më të thjeshtë, nuk është mikluar nga ëndrra për t'u nderuar nga të gjithë për veprat e veta!
Atë Sergej, pas njëzet e tre vitesh murgërimi, u shpall çudibërës. Lumi i të sëmurëve nuk rreshtte në derën e qelës së tij. Ata e falenderonin dhe e lavdëronin për veprat bamirëse. Atij i dukej se e kishte arritur qëllimin e jetës së vet, i kishte sfiduar, kështu, ata që qëndronin më lart në hierarkinë shoqërore. “Bëjnë qindra kilometra rrugë për të ardhur këtu tek unë, - filloi të mendonte ai, - shkruajnë dhe gazetat për çuditë që bëj, deri lartmadhëria vetë është në dijeni, edhe në Europë, Europën jo besimtare, kanë dijeni për namin tim”. Atë Sergej është emri i murgërisë së tij, i dorëzimit të tij në manastir. Por, ky është vetëm një raso e hedhur mbi egoizmin e tij; egoizëm që në këto çaste feston apoteozën e lavdisë së vet. Tundimi i tij arrin kulmin. Ai po mëkaton edhe në besimin e tij te Zoti. Atë Sergej harroi kështu një gjë, se ai nuk po i shërbente Zotit, por lavdisë së vet. Ai vazhdonte të mëkatonte duke ëndërruar për lavdinë njerëzore. Ai tashi falej me buzë, por jo me shpirt, shpirti i tij nuk merrte pjesë në falje. “Dëshirat egoiste, u shkruan Apostull Pavli romakëve, nuk mund të mënjanohen pa praninë e Shpirtit të Shenjtë”.
Në çastin e mëkatit fatal, që përmendëm më sipër, Atë Sergej kupton fajin e tij. Ai, po të perifrazojmë Dostojevskin, nuk iu bind urdhrit të Perëndisë nga krenaria, nga xhelozia, mungesa e mirënjohjes së përulshme ndaj Perëndisë (“Doktrina”, f. 87). Ky është çasti më tragjik i jetës së Atë Sergejit. Dhe, kur ai e kupton këtë, nuk pret që ta zbojnë nga manastiri, ashtu siç i zboi Perëndia Adamin dhe Evën nga parajsa. Ai qeth flokët, pret mjekrën e eremitit, vesh kaftanin e endacakut dhe nis shtegtimin e tij të vetëndëshkimit dhe të vetëpastrimit. U deshën plot njëzet e tre vjet (nëntë vjet murg dhe trembëdhjetë vjet eremit, asket) që nga braktisja e guvës së asketit, për të gjetur, më në fund, rrugën e vërtetë të shpëtimit nga mëkati. Kjo, na thotë Tolstoi, është rruga e ngritjes mbi çdo interes të ngushtë egoist, mbi çdo dëshirë lakmitare, mbi smirën dhe krenarinë personale, është rruga e një ideali sublim që bëhet shpirti, gjaku dhe mishi i çdo njeriu, është rruga ku lavdia personale shkrihet brenda lavdisë sublime hyjnore.
Tolstoi e mbyll novelën e tij me një episod kuptimplotë kur në një udhëkryq të Rusisë së paanë një francez i fal Kasackit endacak njëzet kopejkë, jo për qirinj, por për t'u ngrohur me një gotë çaj, e mëshiron, pra, si një varfanjak. Dhe vetëm në këtë çast Kasacki arrin të përbuzë opinionin e huaj, heq shapkën dhe i përkulet disa herë francezit duke tundur me mirënjohje kokën e thinjur. Mendimi i të tjerëve për të nuk kishte më vlerë, krenarinë e tij tokësore ai e kishte mposhtur, ai fillon, kështu, të ndiej brenda vetes Zotin. Ai vetëm tashi e meritonte emrin Atë Sergej.
Atë Sergej, për Tostoin, ishte “shumë i shtrenjtë”, mbase, personazhi më i dashur i krijuar prej tij. Ai është sozia letrare e vetë Tolstoit të Madh. Që dyzet vjet më parë, para se të krijonte këtë novelë, Tolstoi shkruante në ditarin e tij më 17 Shtator 1854: “Qëllimi im është lavdia letrare. Kjo është një e mirë, që unë mund ta arrij me veprat e mia”. Kurse më 3 Dhjetor 1897 ai shkruante: “Në qoftë se Zoti më urdhëron të shkruaj vepra artistike, ato do të jenë krejt ndryshe. Dhe ato do të shkruhen më me lehtësi dhe pa vështirësi”.
Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë çifligu i tij në Jasnaja Poljana u bë “Manastiri letrar” i Tolstoit, Ai, i zvetënuar nga rrethet zyrtare të shoqërisë së kohës, le mënjanë letërsinë e madhe, i përvishet shkrimit të “Azbukës” (Abetares), u bën mësim fëmijëve të fshatit me librat dhe tekstet e këndimit të shkruara prej tij, i jep kështu “lavdisë së tij letrare” një domethënie dhe një kuptim të ri, bëhet edhe vetë një Atë Sergej i Rusisë dhe i Botës.
© Vangjush Ziko











