Letërsi

Apofenia dhe të menduarit krijues bashkëkohor në poezinë e Moikom Zeqos - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Kanada

Në jetën tonë të përditshme shohim dhe hetojmë dukuri të shumëllojshme të cilat na duken krejt të palidhura midis tyre. Të gjithë kërkojmë kuptimin e jetës sonë, lidhjen midis ngjarjeve të ndryshme të papritura dhe befasuese. Evolucioni i personalitetit tonë synon që t'u afrohet të vërtetave të botës që na rrethon. Përpiqemi t'i kundërvëmë faktet e ndryshme, duke kërkuar lidhjen midis tyre, që të krijojmë një tablo të tërë për t'i dhënë një kuptim botës, për të arritur atë që Jungu e quan “sinkronizim”.

Këtij fenomeni psikologjik studiues të ndryshëm i kanë vënë emrin “apofeni”.

Apofenia (nga greqishtja e vjetër) ἀποφαίνω: shpreh një gjykim, e bëj të qartë) është një përvojë që konsiston në aftësinë për të parë strukturën ose marrëdhënien e të dhënave të rastësishme ose të pakuptimta.

Ky është një proces kompleks psiqik, që nuk ka të bëjë aspak me psikozën e sëmurë, por me një gjendjen psiqike të njeriut të shëndetshëm e të zhvilluar, veçanërisht te njerëzit krijues. Ky proces e bën gjykimin e krijuesit më të shkathët dhe më të mprehtë.

Krijimi poetik është një proces i gjatë dhe i thellë meditues. Ai, mbi të gjitha, është një pasqyrim artistik i realitetit objektiv dhe subjektiv, i mbresave dhe përjetimeve të mirëfillta estetike.

Ndodh ajo, që thotë Mishel Fuko-ja se, kur gjuha e humbet ngjashmërinë e drejtpërdrejtë të botës së sendeve, fjalët shndërohen në përfaqësuese të mendimit.

Mjeshtri i zen-it, Filip Valeni, mbështetur në meditimin budist. ka thënë: “-Poezia është diagrami i mendjes në lëvizje”.

Për ta konkretizuar mendimin mbi apofeninë dhe të menduarit modern krijues, po i referohem poetit Moikom Zeqo, krijimtaria poetike e të cilit përbën përvojën më moderne, avangardiste të poezisë sonë bashkëkohore.

Moikom Zeqo duke vlerësuar lart çastin spontan të frymëzimit, të cilin e quan “përbindësh inkadeshent”, çast i cili luan një rol të veçantë në krijimtarinë e tij, e shumëfishon emocionin nëpërmjet meditimit.

“Çdo metafore, -thotë ai, - është si Gishtoja, që jeton bëmat e një gjiganti”.

Për poetin krijimi është një “unitet fantastik i gjërave që s'lidhen”. kurse “mendimi lëviz pa paralele dhe meridianë”.

Poezia e Moikomit është një kaskadë metaforash konceptuale e alegorish. Me anën e tyre poeti na krijon artistikisht tablonë e botës materiale dhe të asaj shpirtërore të shekullit tonë. Ajo nuk është një poezi monotematike, por një kaledioskop shumëngjyrësh i meditimit të tij të thellë. Poeti sendërton një mozaik sinkretizues të dukurive të kundërta të realitetit objektiv dhe të atij subjektiv, të mbresave dhe të përjetimeve të mirëfillta estetike dhe filozofike.

Për ta konkretizuar, po marr nga cikli i tij “Stina e pestë”, këtë poezi:

ZGJIMET E MËDHA

Se fluturimi i Diellit është tatuazhi im!

Ngashërehet mermeri si kafshët, a njerëzit!

Ku po shkoj kështu me agimet si çelësa në xhepat e mi?

Lëkura ime është ujë, por zemra zjarr.

Dhe lëvizja e mendjes është fryma e shpirtit që fryn trumbetën e artë të Zgjimeve të Mëdha!

Në këtë poezi kemi disa shtresa meditative:

-kozmike (“fluturimi i diellit”, “agimet”)

-tokësore (mermeri, kafshët, njerëzit)

-fiziologjike (lëvizja e mendjes dhe shpirtit)

-biblike (heroi lirik, Kryeengjëlli që i fryn trumbetës së artë)

Dukuri këto, të largëta midis tyre, pa lidhje fizike apo logjike, të “trupëzuara” në metaforën konceptuale dhe në figurën e heroit lirik, të Kryeengjëllit me “tatuazhin e diellit” në trupin e tij, i cili paralajmëron, jo vetëm Apokalipsin biblik. Heroi lirik i poezisë e ka fjalën për shumë “zgjime të mëdha” kulturore dhe shoqërore. Ai navigon me “agimet - çelësa” në xhepat e tij, për të lajmëruar epoka të reja, që ngashërejnë “mermerin” (alias statujat e epokave të kaluara) si “kafshët, a njerëzit”!

Poezia e Moikomit e shmang përshkrimin e detajuar, jo vetëm të sendeve apo të meditimeve dhe të ndjenjave, të panoramave të natyrës, ai e shpreh hapur devizën e vet:

“S’më prekin detajet e përditshmërisë”. Ai abstragon detajet, abstragon veprimet, abstragon proceset biologjike duke arritur në deduksione “abstrakte” për logjikën normale analitike.

Përkthyesi i poezisë së Moikomit, poeti amerikan Wayne Miller shpjegon: “Zeqo përpiqet të artikulojë për hir të pasardhësve, shtrirjen e tij të plotë në rrënjët e kulturës shqiptare dhe mesdhetare - ashtu si dhe shtrirjen e plotë të rrënjëve të kësaj kulture në të”.

Eseistja dhe poetja Kathryn Nuernberger, duke folur për “poetikën e pazakontë” të Moikom Zeqos, shkruan: “Poezia e tij të bën që të ndihesh në një pafundësi...Është kjo ndjenjë e ekstazës tjerrëse që të jep kënaqësi të vërtetë hipnotizuese kur e lexon.”

Metafora konceptuale dhe alegoria e Moikomit e pranojnë bashkëjetesën e racionales me iracionalen, të mitologemës dhe të historikes; të fenomeneve kozmike, tokësore dhe biblike.

Në kontekstin kulturor kjo metaforë përfshin kuptimin e disa përvojave kulturore të njohura: budiste, perënditë antike, biblike, zarathustriane, nga mospohimi i egzistencës së Hyjnisë te pranimi i ekzistencës së Mesisë, deri te mohimi i Perëndisë dhe pohimi i vetë njeriut si zot.

Është pra “diagrami i mendjes në lëvizje”, që krijon lidhjen midis shtresimeve të ndryshme kulturore të lidhura apo të palidhura midis tyre edhe në ato raste kur, jo vetëm që mungon kjo lidhje, por edhe kur nuk mund të ekzistojë ajo,

Poeti rendit përbri njëra-tjetrës dy dukuri të kundërta: “lëvizjen e mendjes” dhe “frymën e shpirtit”, konceptin materialist dhe gjykimin idealist. Dhe jo vetëm kaq. Është logjika tokësore që frymëzon logjikën qiellore!

Kjo lidhje e koncepteve krejt të ndryshme është thelbi i apofenisë në poezinë “Zgjimet e Mëdha”. Apofenia i lidh e i bën një “të palidhshmet”.

Kemi kështu një zgjerim dhe pasurim të vërtetë, jo vetëm konceptual, por dhe emocional të poezisë. Përmasat e poezisë bëhen kështu sa universale, po aq dhe tokësore, abstrakte dhe reale, edhe objektive edhe subjektive.

Apofenia rezulton një fenomen psiqik dhe krijues, i cili dëshmon mundësinë e evolucionit të procesit krijues përtej caqeve të njohura, duke i hapur shtigje të reja krijimtarisë artistike bashkëkohore.

Dhe jo vetëm poezisë!

Apofenisë i detyrohen edhe shumë zbulime shkencore kur truri njerëzor kërkon lidhjen midis fenomeneve të ndryshme dhe i gjen ato “lidhje”...

Në një farë mase, apofenia i përket çdo njeriu, sepse nuk ka individ që të mos synojë njohjen e botës dhe qëllimin e jetës.

© Vangjush Ziko