Gazetari shqiptar - Nga Ndue Dedaj
Të tjerëve për udhëtime iu duhen bagazhet plot,
Kurse mua aq pak - një letër e një laps.
Nuk di të vizatoj mbi rrashtin e gurëve kaproj,
Të hedh nota muzgu mbi pentagramin e lumenjve,
Thjeshtë kompozoj mbi perimetrin e fjalës
Ndodhi dykrenore ndër gazeta shqipnore,
Që vijnë hareshëm si nuset
E ikin pazëshëm si vejushat...
Kur të më mungojë letra në Alpe,
Do shkruaj mbi lëkurën e Cemit leopard,
Lumit që tash njëqind vjet e shoh në ëndërr
Si shkumëzon brenda vetes e brenda meje;
Shkruaj mbi kurrizin e gjithë lumenjve
Ndarë në dysh prej kufijve të shteteve!...
Rroj për të germëzuar në letrën e bardhë
Pa asnjë medalje, pa asnjë honorar,
Nga asnjë redaksi nuk marr urdhëra,
Shkruaj pa tesër për të gjitha redaksitë!
Rri në këmbë vetëm para gazetashitësve,
Me tridhjetë qindarka në dorë çdo mëngjes,
Gazetave u lexojnë veç faqen e parë,
Statuja prej germash në trotuar.
Do shkruaj gjersa letra endemike një ditë
Të më ketë ikur nga duart e të jetë bërë re
E lapsi - degë frashëri, që nuk çel më....
© Ndue Dedaj











