E marta pushim e nji nane të dyjëzume - Nga Fabiola Marku
Gjumin e fundit përpara se me tringëllu alarmi i së martës, e baj pak e hiç rahat. Më bren nji si ndjenjë faji. Mes planesh të tjera që mirboll i zbatoj, kam edhe "Dita ime vetëm". T'martën. A me dal, a mos me dal...
Unë i le në gjumë të tre dhe e mbyll derën prej përjashtë para se me nxjerrë dielli kryet. E marr gjithmonë nji libër me vete, edhe atëherë kur shëtis fëmijet, tuj e ditë se nuk kam me e hap.
M'pëlqen fort transporti publik kur jam vetëm. Do stacione i kaloj me tren, mandej më teket me marr metronë e në ndalesën e dytë zbres me pushu në "Jardín de Turia", kopshti ma i madh urban në Spanjë, rreth dhjetë kilometra i gjatë. Ky vend me gjelbërim të përhershëm ma ka fitu krejt kollaj zemrën.
Kam nevojë ma shumë se kurrë me hekë shapkat e me pasë kontakt me tokën, barin. Më duket sikur shkarkohem. Vetëm çaste të paqta më kalojnë mendjes. E kjo, për nanat që prindërojnë me kohë të plotë, mundemi me thanë se asht nji farë luksi.
Nuk jam fort e ankesave, sepse unë fëmijët i pata ma se të dëshiruem, por kur mendoj se sa po më peshon me kriju një rutinë të shëndetshme për ta, e njikohësisht me rujt qetësinë e mendjes për veten, kam frikë. A po baj mjaftueshëm për ta? Po për veten?
Kam zgjedh nji babë fantastik për fëmijët e mi, kujdeset njësoj si unë, i lan e i vesh si unë, i ushqen edhe ma shijshëm, por vazhdoj mos me kuptu se përse dreqin kur s'jam unë me ta, m'duket sikur të dy i kam lanë n'rrugë t'madhe? A vetëm mu më ndodh?!
Dy orët e para të leximit, e kaloj me sukses sfidën për mos me i telefonu. Me siguri duhet të jenë zgju. Tundohem me i thirrë, por s'e baj. Asht e martë. Dita ime vetëm.
Zgjedh me ndërru vend e në nji bar të thjeshtë me karrige të bardha të pasistemueme buzë rruge, ha mëngjesin. Dy kore buke të thekuna me domate, mu më majnë të paktën deri para darke. T'martën kjo punë. S'më bjen sinjale as uria, as etja. T'martën unë ngopem me veten.
Në ijë të parkut me pemë shumë, asfalti i përvëluem prej temperaturave të nalta, të shtyn në nji realitet tjetër. Ka pafund makina që duket se nuk mbarojnë e ndërmjet semaforesh ndiz e fik, shumë pak kambësorë presin jeshilen. Ban aq nxehtë, saqë thu me vete se në k'to orë vetëm nanat e ditës së martë munden me lëviz aq ngadalë sa unë.
Mundem me qenë në cepin tjetër të qytetit, por unë të marten nuk kthehem pa ba pak ecejake në zonën Universitare. Ulem gjithmonë në të njajtin stol përballë Fakultetit të Gjuhëve.
Prejmend kam dy vjet në shpi që kujdesem për fëmijët, por në një të ardhme jo fort të largët, o kam me u ba mësuese në ktë vend, o plas. Shpresoj mos me plas.
Në pritje të metrosë, prej mbrapa më kërkon nji gru me karrocë me i ba pak vend. Për nji moment sa s'më plas zemra frike, se me duket sikur kam harru diku karrocën time me fëmijën, por mbas nji frymëmarrjeje t' thellë, m'vjen me qesh me veten se si mundem me pasë aq frikë të martën e ditës së lirë.
Të marten asht dita e vetme ku nuk përdor ashensor as shkallë elektrike. Mundem me ngjit e zbrit pafund shkallë të nëndheshme. Të marten jam tjetër njeri. Jam nji zog i lirë, me shumë mirënjohje për jetën, me vetbesim e andrra plot.
Kam edhe stacionin e fundit.
N'prag e mrendë, bahem prapë nana e dyjëzume: "A me dal sot java, a mos me dal".
©FabiolaMarku











