Letërsi

Testi i filxhanit të kafesë - Tregim nga Dashnor Kokonozi

E kisha ndihmuar si përkthyese kur paraqiti kërkesën e qëndrimit në Prefekturë. Nuk dija asgjë për të, por atë ditë më preku vullneti që kishte për të filluar jetën nga e para. Kur u ndamë i thashë se mund të më telefononte kur të kishte nevojë, gjë që nuk e bëja shpesh. Ishte natyrë e shqetësuar dhe sytë i shprehnin ankth të përhershëm.

Duhej të kishin kaluar shumë kohë kur më telefonoi për të më thënë se ishte mjaft e shqetësuar sepse të nesërmen do të paraqitej në një zyrë punësimi. Kishte shpresë të kapte diçka më të mirë, sepse deri atë çast kishte punuar si pjatalarëse nëpër restorante.

Këtë herë do të përpiqej për një post ndihmës-mësueseje në një shkollë fillore.

Mendova se ajo e bënte fare mirë një punë të tillë. Qe fjala për t’u gjendur pranë mësuesve në klasat që kishin nxënës me problematikë të ndryshme, kryesisht autistë apo me aftësi të kufizuara lëvizjeje.

Kabineti ku do të paraqitej për të kaluar testimin e njihja mirë sepse kisha përgatitur e shoqëruar me dhjetëra të tjerë më parë. Njihja të gjitha metodat që përdornin për të kuptuar natyrën e thellë të njerëzve që rekrutonin në punë të tilla delikate.

Kjo qe arsyeja që kur u ulëm në një kafe nisa t’i shpjegoj kurthet që duhej të shmangte. I shpjegova në fillim kurthin e “recepsionistit”.  Kur të hynte në kabinet i thashë që të ishte mjaft e sjellshme dhe t’ia shpjegonte recepsionistit me hollësi përse kishte ardhur. Po qe se do t’i dukej se ai nuk e kishte kuptuar, duhej t’ia shpjegonte edhe një herë me shumë durim. Edhe nëse ai do ta pyeste nga e para për emrin, ditëlindjen etj., ajo duhej t’ia thoshte përsëri pa u nervozuar. Kjo sepse kishte të ngjarë që “recepsionisti” të ishte vetë rekrutuesi që provonte aftësinë e saj për t’u sjellë me të tjerët. Më e vogla shenjë arrogance do t’i kushtonte shumë.

Ajo mbante shënim dhe unë isha e sigurt se do të bënte gjithçka që i thosha.

Pastaj i fola për testin e filxhanit të kafesë.

Ka shumë të ngjarë, i thashë që ai t’ju propozojë të pini një kafe bashkë. Në atë kabinet ka shumë zyra rekrutuesish dha ai do të shkojë te aneksi i përbashkët dhe do të kthehet me dy filxhanë kafeje. Por kujdes. Do t’ju duket se qëllimi është për të krijuar një mjedis të çliruar e pa tensione që ju të shpreheni sa më lirshëm. Është vetëm dukja. Kurthi është gjetiu. Ai do të shohë se çfarë do të bësh ti pasi të kesh mbaruar së piri kafenë. Po qe se do ta lësh filxhanin mbi tavolinë, si të jesh ti zonja e shtëpisë, kjo në mos do t’ju djegë, do të shënojë një minus të madh.  Është shenjë se mësohesh kollaj me një mjedis jo të përshtatshëm për të punuar

Kur u ndamë, nuk dinte si ta shprehte mirënjohjen.

Më telefonoi përsëri nga fundi i javës. Ishte e zhgënjyer. E kishin marrë në punë, por jo në postin që kishte dashur. 

Më tregoi se sapo kishte hyrë në kabinet ishte drejtuar nga recepsionisti dhe e kishte përqafuar, duke e lënë pa mend. Madje edhe e putha në faqe, më tha, por kur më ftuan të hyja në zyrë pashë se recepsionisti kishte qenë thjesht recepsionist. Personi me të cilin bëri intervistën ishte tjetër.

Me të gjithçka kishte shkuar mirë, madje kishte ndodhur që ai vërtet e kishte ftuar të pinin një kafe. 

Më tha se i isha kujtuar unë dhe me të mbaruar kafetë i kishte marrë të dy filxhanët dhe i kishte shpënë në aneks. Për të qenë më e sigurt, ishte vënë të lante jo vetëm dy filxhanët e tyre por të gjithë filxhanët e kabinetit të rekrutimit që ishin mbledhur kapicë prej një jave...

Më erdhi keq. Por e kisha më të qartë përse në vend të postit të ndihmës-mësueses i kishin propozuar atë të pjatalarëses së kantinës së shkollës. Mëkati i zellit të tepruar, thashë me vete…

© Dashnor Kokonozi