Poeti Michel Houellebecq dhe poezia e tij - Nga Vangjush Ziko
Vangjush Ziko
Michel Houellebecq është një nga shkrimtarët francezë më të lexuar. Krijimtaria e tij artistike dhe ajo eseistike prek dhe trajton problemet e sëmura të jetës bashkëkohore duke bërë edhe diagnoza paradoksale.
Bota për atë është një “diskotekë” që grumbullon diziluzione dhe sa më shumë që të mbledhësh nga këto, aq më mirë është për poetin. Poeti duhet të gërshetojë urrejtjen ndaj vetes (që e shtyn ndaj jetës idilike) dhe të të tjerëve, që, si sirenat, duan ta ndjellin dhe mashtrojnë me ëndrrën e një jete iluzore. Për të, mund të bëhesh poet, vetëm duke harruar të jetosh si një njeri që e shikon botën me syze rozë. Rruga e krijimtarisë poetike kalon, pikërisht, nëpër këtë kalvar torturues të plagëve të njëpasnjëshme që na shkakton jeta; duhen njohur “dinakëria dhe ashpërsia” e jetës, duhen njohur mirë këto, që të arrish të kuptosh kontradiktat e jetës, të depërtosh në thellësinë e tyre që të mund t’i pasqyrosh realisht.
Atë nuk e preokupon shumë kërkimi i formave të reja stlistike; ai pranon format klasike të vargëzimit, me kusht që ato të përdoren pa u sforcuar, por të jenë adekuate me ndjenjat dhe mendimet e poetit, pa i gjymtuar këto.
Poezi nga Michel Houellebecq, përkthyer në shqip nga Vangjush Ziko
* * *
Spikeri me dorën e tij të verbër
Zbraz mbi miliona krerë
Lajmet si hala të thata pishe,
Mbaj mendjen e kresë, mos më lerë,
Tetë orë veç ulëritje
Dielli saç mbi kokën e mjerë.
Si ujë pishine qielli jeshil
Me një ndriçim të lehtë fare,
Komi i kafesë në grykë m’u ngjit
Si hije gërmadhash e varresh
Një lajmërim në gozhdë ndrit.
* * *
Nga e para nis dita
Kur futesh mëngjesit në dush,
Nata nuk do të të shqitet
Indiferente në zverk të shfryn.
Po filloj nga zero atëhere
Kruspull duke u mbledhur,
Kërkoj në koshin e plehrave
Kanaçet bosh hedhur.
Mosekzistenca, pellgjishte,
Rrjedh jeta indiferente
Dhe unë mes gishtash drite
Si hije mosekzistente.
* * *
Vajzat ecin qetë në metro,
Valë stresi dhe dehje ndjej unë,
Aq joshëse janë sot ato
(Pa portofol po shkoj në punë).
Vallë, dashuri kërkoj këtu?
Apo aventura kërkon mishi?
Gjërat unë i shoh esëll me sy,
Ndryshimet e stinëve më prishin.
Shenjës “stop” në vagon sytë s’ia heq
(Gjatë itinerarit Balar-Kretej)
Këtu e ndjeva veten keq
Ishte ditë maji mrekullisht me diell.
Dhe bëra zbulimin e pranverës,
Më shokoi baleti i minifundeve,
Kohën nuk e kisha aq të tepërt
(Zjarr’e mishit si ta qetësoj unë).
* * *
Si fugë në dhomë vërtitem.
Në kujtesën time kufoma përleshen
Pa lënë asnjë fije shprese.
Në “Monpri” mbuluar nga dimri
Gratë zëlarta grinden.
Ajo ditë ngriu nga frika,
Periferia iu dorëzua bandave,
Kishte vdekur.
Vinte era napalm dhe plumb të tretur.
Në orën gjashtë s’kish më lajme.
Ia ndieja zemrës sime rrahjet.
Bota si guri hesht,
Vdekja me hapat e saj
Mat lagjen e zbrazur që në mëngjes.
Atë ditë shiu ra me rrebesh.
* * *
Të shkruash:
Askush s’të gjegjet,
Aq larg janë njerëzit!
Vetëm të lumturosh vetveten.
(Dhe të shkruash përsëri).
Të nisesh
(Larg e më larg të degdisesh).
Ka një vend ku çdo gjë është pranverë,
Ku pangjashmëria s’e prish fqinjësinë,
Një vend ku qetësia të mban në prehër
Bot’e përtejme: vetëm dhe pa fëmininë.