Opinione

Një replikë në distancë!

Nga: Artan Gjyzel Hasani

Ka 30 vjet që lexoj artikuj të tillë dhe, pas leximit te tyre, jam mjaftuar veç me një psherëtimë. E kam fjalën për artikullin “Paradoks gjuhësor dhe letrar” të studiuesit Behar Gjoka botuar në portalin Flasshqip.ca.(http://flasshqip.ca/opinione/1894-paradoks-gjuhesor-dhe-letrar)

Më pëlqeu si shtjellim interesant dhe i motivuar bindshëm, por që ngelet në nivel konstatimi dhe denoncimi kur vjen fjala te zhvillimet e sotme letrare dhe gjuhësore. Nuk e di nga kush e pret autori këtë ndryshim e përmirësim për të arritur në qasjen e duhur ndaj këtyre realiteteve letrare. Përtej vullnetit të tyre të mirë, kanë një mangësi të përbashkët të tillë konstatime: Janë konkretë dhe e materializojnë bukur idenë e tyre me emra reale kur flasin për të shkuarën, por i kompromenton e folura me gjuhën e Ezopit kur cekin realitetet bashkëkohore. "Kemi shkrimtarë tepër, kemi shkrimtare mangut", shkruan me të drejtë autori, por pa emra konkretë. Cilët jane këta, zoti Gjoka? Makineria letrare dhe gjuhësore funksionon me shumë ingranazhe që fillojnë me autorët, botuesit, promovuesit, studiuesit, kritikët, mediat kulturore dhe shkon deri lart te institucionet që ndërmarrin politikat rreth problematikës së zhvillimeve letrare e gjuhësore shqipe, deri në momentin kur produkti i kësaj makinerie vihen në një tavë dhe i ofrohet publikut. Unë mendoj se, me dashje apo padashje,  jeni të gjithë në një tavë, zoti Gjoka, për sa kohë që askush prej jush nuk ka dëshmuar KONKRETISHT të kundërtën. Dhe deri atëherë do të vazhdojnë të dalin tepër apo mangut, jo vetëm shkrimtarë, por edhe studiues e kritikë dhe pikërisht këtu është nyja gordiane. Sa më mangut të na dalin studiuesit, aq më shumë do të  na teprojnë shkrimtarët. Bisturia e artikujve të tillë ndalon te autorë që nuk u përkasin këtyre 30 viteve të fundit. 30 vjet tallava studimore e kritike, 30 vjet hierarki të rreme dhe artificiale letrare e gjuhësore, 30 vjet llogjesh, qokash, pseudovlerash. Heshtja e studiuesve për këtë 30 vjeçar është  kompromentuese dhe i bën ata bashkëfajtore. Natyrisht që verdiktin e jep Koha, por edhe ju si studiues dhe kritikë të letërsise mund të ndikoni në fitimin e kohës së humbur të lexuesit.

Cilin shkrimtar të tepërt keni rrëzuar nga hierakia e rreme letrarogjuhesore, zoti Gjoka dhe të gjithë  ju  që merreni profesionalisht me problematikat e letërsie dhe gjuhësise në trevat shqptare? Cilin autor të munguar kanë evidentuar një milion studimet, kritkat, artikujt, hartimet, promovimet tuaja dhe të qindra të tjerëve që në këto 30 vjet kane nxirrë faqet kulturore të mediave dhe hapësirat televizive të studiove kulturore?

Sepse në këto 30 vjet është shkruar edhe letërsi e mirë, krahas surrogatove. Më është krijuar bindja se lexuesi është shumë më i përditësuar me realitetet letrare, se sa studiuesit dhe ata që pozojnë si kritikë letrarë.

Pse heshtet? Sepse bëhet fjalë për autorë të gjallë dhe, në një shoqeri hipokrite qokash, studiuesit u afrohen me ndershmëri vetëm autorëve të vdekur, por kurrsesi të gjallëve me të cilët i lidh e përditshmja dhe ai institucion që prej kohësh e kam pagëzuar me termin e huazuar  "Banka e Favoreve". Ndërkohë që studiuesit e sotëm merren me shqyrtime të së shkuarës, e keqja e sotme vazhdon e ngjizet, kalçifikohet dhe bëhet e patundshme, dhe të tjerë studiues pas 30 vitesh do shkruajnë  të njëjtin artikull si ky i zotit Gjoka, duke iu referuar realiteteve të sotme gjuhësore dhe letrare.

Ky është paradoksi dhe absurdi i vërtetë.