Diplomacia, si rregull, ia ngarkon barrën më të rënde palës më të dobët - Nga Klodi Stralla
Në një intervistë televizive për kanalin KTV, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, midis të tjerash tha: - Si mbritëm deri në këtë pikë, ku amerikanët i ushtrojnë presion kryeministrit të Kosovës, atij që është përballur dhunshëm me burgjet e Milosheviçit dhe nuk i ushtrojnë asnjë presion presidentit serb Vuçiç që ka qenë ministër i propagandës të tij?
Ky duhet të jetë një debat i hapur për gjithë hapësirën intelektuale shqiptare. Unë po i përgjigjem shkurt:
Ndryshimi i sistemit politiko-ekonomik në Bllokun lindor komunist (1989) u shoqërua, pak vite më vonë, edhe me shpërbërjen e tre shteteve federativë - Jugosllavisë, BRSS dhe Çekosllovakisë. U pranua që ndarja do të bëhej sipas kufijve ekzistues të republikave përkatëse, ndonse përbërja e tyre etnike nuk ishte homogjene (komisioni Badinter). Këtu ishte edhe thelbi i konflikteve të dhunshme që shoqeruan këto shpërberje në vitet që erdhën pas.
Shqiptarët e Kosovës, ndonëse ishin shumicë etnike, nuk gëzonin në Federatën jugosllave statusin e Republikës, por të Krahinës autonome, në përbërje të Republikës së Serbisë, megjithëse Tito, për ekuiliber, u kish dhënë të drejtën e përfaqësimit deri në Presidencën kolegjiale të Federatës, pas vdekjes të tij.
Ishte gjenocidi serb dhe ndërhyrja e NATO-s si përgjigje ndaj tij, që Kosova të kalonte nën administrimin ndërkombëtar të OKB-se (UNMIK-KFOR), në bazë të Rezolutës të Këshillit të Sigurimit 1244. Pakoja e Ahtisarit, që shërbeu si bazë për Kushtetutën e vendit, ishte një kompromis delikat mes interesave jo të njëjta të faktorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Në terren, pjesë të vendit (tre komunat e veriut) dhe manastiret mesjetare serbe, mbajtën lidhjet me shtetin serb, lidhje që vazhdojnë të fuqishme edhe sot.
Me dakordësinë e fuqive perëndimore Kosova shpalli pavarësinë (2008) dhe hodhi hapa njohjeje, me synim që të pranohej si anëtare e OKB-së me të drejta të plota. Kjo nuk u pranua nga Serbia por edhe nga fuqi të tilla të mëdha si Rusia dhe Kina, për interesa të tyre. Në përgjigje të saj, në mënyrë të njëanshme, u shkëputen Transnistria nga Moldavia, Osetia dhe Abhazia nga Gjeorgjia, Luansku dhe Donensku nga Ukraina dhe Krimea iu bashkua Rusisë. Lindën të ashtuquajturat konfliktet e “ngrira’”, që janë, në marrëdhëniet ndërkombëtare, ekuivalentet e ndërtimeve pa leje, që presin ose të prishen ose të legalizohen.
Këtu, mendoj unë, ka ngecur sharra në gozhdë. Europianët nuk dëshirojnë ndryshimin e kufijve në Europë, ku e pati burimin Lufta e Dytë Botërore; amerikanët dhe rusët shprehen me eufemizëm se, nëse palët e pranojnë (marrveshjen), ne nuk jemi kundra. Pra topi është, në rastin Kosovë-Serbi, tek vetë këto dy palë, tek marrëveshja mes tyre.
Në diplomaci ka një regull sipas të cilit, në çdo marveshje mes palësh, përfiton më shumë pala që ka pozita negociuse më të forta. Nëse shqiptarët e Kosovës, gjatë këtyre viteve pavarësi, do të kishin forcuar ekonominë, luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe bajraktarizmin, nëse Republika e Shqipërisë do të bënte hapa serioze, jo propagandë, për unifikimin e tregut mbarëshqiptar (heqjen e barrierave doganore), nëse shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi nuk do të ishin përçarë në dhjetra parti politike, faktori shqiptar në Ballkan do të ishte krejt tjetër nga ai që është sot. Prandaj të mos habitemi që çdo marrëveshje e pritshme shqiptaro-serbe do të anojë më shumë nga ana e më të fortit.
Për mua kështu duhet lexuar qendrimi amerikan për Kosovën por edhe për Shqipërinë. Të mëdhenjtë nuk kanë miq, por interesa, ndërsa të vegjlit kanë vetëm një rrugë, të fuqizohen për t’u faktorizuar, përndryshe janë të humbur!
P.S. Ky opinion mori shkas nga vendimi i djeshëm i Qeverisë të Kosovës për të hequr 100% taksën ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, por edhe nga reagimi i ashpër dhe i menjëhershëm i Ambasadës amerikane në Prishtinë si mospëlqim ndaj këtij kushtëzimi.











