Opinione

Papa Françesku, martesat dhe bashkimet civile të të njejtës gjini - Nga Endrit Mullisi

Deklarata e Papa Françeskut mbi mbështetjen për bashkimet civile të çifteve të së njejtës gjini, si çdo gjë tjetër pritet që të marrë reagime dhë kundërshtime. Në një shoqëri globale në të cilën ne sot jetojmë, lajmi në çdo cep të botës bëhet lajmi ynë. Por a ka ndryshim deklarata e Papës nga deklarata e një individi tjetër qoftë aktor Hollivudi apo politikan, lidhur më mbështetjen e lidhjeve homoseksuale? Patjetër që po. Si drejtuesi shpirtëror dhe politik i katolikëve globalë dhe si dikush që del më shumë në media se çdo drejtues fetar, deklarata të tilla pritet që do të kenë reagime. Por interesi im nuk është tek reagimet, por te ajo që po ndodh, arsyet dhe detyra jonë.

Para 20 vitesh unë u martova më 1 Tetor dhe gjithmonë kam festuar këtë datë për martesën tonë. Por në dokumenta zyrtarë unë jam martuar 4 javë përpara. Na duhej për punë pashaporte, meqenësë pas dasmës do dilnim jashtë kufijve për një javë. E kishim harruar dhe herë pas here na duhet të gërmojmë dokumentet të kujtojmë datën e martesës në sytë e ligjit. Pra unë kam dy data martesash, njerën përpara një nëpunëseje zyrtare në praninë e 2 dëshmitarëve njerëzorë dhe tjetrën përpara Zotit, pastorit, familjarëve dhe rreth 200 personave që morën pjesë në ceremoninë që u bë në Teatrin Skampa të Elbasanit. Kjo e dyta është martesa ime, ndërsa ajo që bëra 4 javë më parë ishtë bashkimi civil në sytë e ligjit.

Në Kanada, si në vendet e tjerë me traditë të krishterë, priftërinjtë dhe pastorët mund të marrin licensën për të martuar, të aprovuar nga organizmi përkatës qeveritar. Pra, kur njerëzit martohen në kishë, pastorët hartojnë edhe një dokument shtesë që firmosin dhë çifti ia paraqet zyrës shtetërore si deklarim i bashkimit të dy personave.

Në shoqërinë ku ne sot jetojmë, marëdhëniet midis njerëzve kanë marrë forma të ndryshme që nuk janë si 100 vjet, apo 1000 vjet më parë. Krishtërimi në Evropë dhe aty ku misionarë dhe emigrantë shkuan, krijoi një stardart të marrëdhënieve që të paktën publikisht ishtë uniform. Marrëdhëniet jashtëmartesore, që quhen shkelje, ishin të dënueshme. Marrëdhëniet paramartesore ishin po ashtu të dënueshme, por më të pranueshme, sidomos kur çifti lidhej më pas. Marrëdhëniet homoseksuale ishin më të rralla dhe më të dënueshmet. Ky standard nuk është më.

Më kujtohet në rininë time që nuk ishte normale që çiftet të flinin në shtëpinë e njeri-tjetrit ende pa u martuar. Tani është bërë normalë që çiftet martohen (edhe në kishë) ndërsa femrat janë shtatzënë. Sot të krishterë do të bërtasin dhe reagojnë ndaj asaj që thotë Papa Françesku, por kur fëmijët e tyre martohen me jobesimtarë (ndryshe siç thotë shkrimi) kërkojnë bekimin e Zotit në atë gjë që ai nuk e bekon. Të krishterë të tjerë, ndërkohë kanë mbyllur sytë për shkeljet ë marrëdhënieve të tjera siç përmenda më sipër.

Fatkeqësisht ne kemi përcaktuar një hierarki të atyre që janë mëkate shoqërore dhe e kemi vendosur homoseksualitetin në krye. Ky është perceptimi im të paktën. Kur erdha në Kanada më dhimbnin sytë kur shikoja meshkuj të kapur përdore me njeri-tjetrin. Por pashë poashtu njërëz që flinin rrugës, vajza të reja që lypnin mëqë ishin larguar nga shtëpitë, të droguar, pijanëcë. Pastaj në festa vura re një mëkat që nuk e shihja shumë në Shqipërinë e varfër: grykësinë. Për shkak të begatisë materiale, përveç birrave me shumicë, njerëzit hanin shumë. Por nuk kam dëgjuar dikë që të flasë kundër grykësisë, pavarësisht se është një nga mëkatet e neveritura në sytë e Zotit. Po ashtu, si thashethemet, ata që flasin pas shpine dhe mbjellin përçarje, etj. etj.

Përpara ca kohësh, pyeta një grup shqiptarësh pse ishin kundër praktikës së homoseksualitetit; ishte jo e pranueshme për shoqërinë shqiptare, apo sepse ishte kundër asaj që thotë Bibla? Përgjigja në shumicë ishte: konservatorizmi dhe jo pastërtia. Herë pas here më kanë pyetur a do të pranoja homoseksualë në kishë. U jam përgjigjur PO! Si çdo njeri tjetër, ata janë të mirëpritur të vijnë në takime dhe të mësojnë e të përkushtohen në rrugën e Zotit. Por unë nuk kam për të thënë asnjëherë që homoseksualiteti nuk është mëkat. Por si shumë zakone të tjera, të konsideruara mëkat, që njerëzit i kanë dhe vijnë edhe në kishë, nuk mund të bëj një vijë ndarëse veç për këtë lloj mëkati.

A do të martoja unë në kishë një çift homoseksualësh? JO! Por sot në Kanada ata martohen në sytë e ligjit. Unë nuk përgjigjem për ligjin, që u ka dhënë hapësira njerëzve që kanë opinion të ndryshëm për mënyrën e të jetuarit.

Të gjithë miqve të mi të krishterë unë u sugjeroj dy gjëra: 1) Bëni një listë të mëkateve biblikë dhe shikoni cilat praktikoni, toleroni apo mbështesni - pastaj shikoni nëse Përëndia ju pranon më kollaj kur jeni të ndërgjegjshëm për gjithçka që ju bëni që nuk i pëlqen Atij. 2) Fokusohuni të bëni atë që ju ka thënë për të bërë Krishti. Kur jemi të zënë duke bërë të mirën, do të kemi më pak kohë të merremi me veprat e errësirës.

Së fundmi, paçi paqen e Perëndisë që ia kalon çdo llogaritjeje njerëzore dhe bëjini gjërat me dashurinë që vjen prej së larti.

©Endrit Mullisi