Opinione

Çështje fokusi e interesash… - Nga Vangjush Saro

 Vangjush Saro - Vancouver

MEDITIM

Fotoja që ilustron këto shënime, është e një gazetari të huaj, marrë në ndonjë zonë të humbur aty nga vitet ‘30 të shekullit të shkuar. Çfarë sjellim në fokus, kjo është një temë shumë e rëndësishme. Në ato kohë, Shqipëria kishte edhe ndonjë fabrikë birre, duhani a lëkurësh; (Korçë, Durrës, Shkodër). Kishte shkolla si “Liceu i Korçës”, “Tregtarja e Vlorës”, pedagogjiket në Tiranë dhe Elbasan; kishte fshatra si Dardha, me disa vetura e kafene, etj. Por gazetarit të huaj (e kushedi kujt tjetër) i ka interesuar ky grup fshataresh të mjera; çështje fokusi e interesash. (Sado që, në një moment, pavarësisht luksit e shkëlqimit të rremë sot, të duket sikur ai (snobi) ka goditur në shenjë për... shumë kohë.)

Ani. Në vitet ‘80 e ‘90, por edhe më pas, gjithë po në këtë temë, ndonjë gazetar i huaj fotografonte një karrocë copë-copë mbushur me njerëz, diku në fshat. Nuk fotografonte hidrocentralet (që po e mbajnë atë vend me dritë edhe sot); as Teatrin e Operas dhe Baletit; as Stadiumin Kombëtar; as trenat, autobuzët e taksitë (ashtu, me ato problemet e tyre e të rrugëve të asaj kohe). Jo, ai e kishte gjetur Shqipërinë tek ajo karroca e pisët. Çështje fokusi e interesash.

Dëgjon sot ca anonimë t’i vërsulen një shkrimtari të njohur (ndoshta më të njohurit e më të përkthyerit në botë) dhe, megjithëse ai, si askush tjetër, përcillte me aq finesë sinjale dyzimi e pikëpyetje, sot këta i kërkojnë... llogari: pse ke shkruar ashtu, pse nuk i bije murit me kokë e të hyje në burg, pse shkove në Vlorë në aksh datë, etj., etj., duke u përpjekur, në mënyrën më të errët, të lënë në hije arritjet e tij, si askush tjetër në këtë lëmë; (ndërkohë që ne nuk e dimë çfarë bënin në ‘ato kohë’ këta që sot kërkojnë llogari). Është punë fokusi dhe interesash.

Kështu edhe me zgjedhjet politike. Njëherë e një kohë, ka pasur njerëz që ngazëlleheshin me to, siç ende ngazëllehen, ç’po them, edhe tash, para dhe pas 25 Prillit... Ndoshta mund të shihen këto të fundit (zgjedhjet) si mjerim; s’do të ishte ndonjë çudi e madhe. Unë nuk paragjykoj asnjë konspiracion që mund të nënkuptojë vjedhjen e votave apo qasjen e lexueshme të aleatëve në emër të njëlloj stabiliteti. Por në fakt, realiteti është ky: Nuk ka asgjë për t’u gëzuar, sepse sërish jemi larg standardeve evropiane; në parim dhe, sidomos, sa i takon sjelljes dhe korrektësisë mes vedi. E, në të njëjtën kohë, nuk ka asgjë as për t’u trishtuar, gjithashtu; alternativa dhe staturat e Opozitës nuk ishin bindëse. Dhe prapë, është çështje fokusi dhe interesash.

“Sekush priret nga dëshira e tij.” Kështu shkruante Virgjili i kahershëm. Kjo nuk do të thotë se mund të besohet pambarimisht ashtu. Nëse e kërkon me qiri mjerimin apo një gjë që e mendon të keqe, e gjen në çdo kohë e në çdo vend e në çdo aspekt të jetës a veprimtarisë njerëzore; s’është problem. Por përzgjedhja e detajeve dhe mesazheve, gjithsesi e kërkon një përkim sa më bindës me realitetin. Më në fund, qytetarët, lexuesit, kanë edhe ata fokusin dhe interesat e tyre; që, mendoj, janë më të pastra nga çfarë (esktremesh e dilemash) pamë më sipër.

©Vangjush Saro