Vrasja pa dallim e palestinezëve është gjenocid - Nga Gëzim Zilja
Ka një libërth me 150 faqe të shkrimtarit hebre Eli Vizel (1928-2016) fitues i çmimit “Nobel,” shqipëruar mjeshtërisht nga Edvin Shvarc, biri i poetit dhe shqipëruesit të madh Robert Shvarc, me titullin “Natë” Në libër përshkruhet jeta prej fëmije e autorit në kampin e Buhenvaldit. Në moshë të thyer plot guxim dhe pendesë homerike, Vizel, trajton qëndrimin e tij në çastet, kur vdekja ishte shumë pranë dhe frika të pushton të gjithin, të kthen në skllav, në njeri pa dinjitet, pa nder, në një fundërrinë. Një natë, mbuluar nga pirgu i kufomave aty në mes të oborrit, dëgjon pak më tutje të atin që ishte në grahmat e fundit, ta thërriste të afrohej.
Ja si e përshkruan Eli Vizel, këtë çast kur plaku kërkonte ndihmë nga i biri. që dëgjonte fare qartë thirrjet e të atit: “…Elizer o biri im, eja këtu… Dua të të them diçka. Vetëm ty. Kishte qenë dëshira e fundit, në çastin kur shpirti po i shkëputej nga trupi i bërë copë dhe prapseprapë unë nuk ia plotësova dëshirën. Kisha frikë, isha i frikësuar nga goditjet. Fjala e fundit që kishte nxjerrë nga goja ishte emri im. Një thirrje për ndihmë së cilës unë nuk i isha përgjigjur…” Deri në vdekje Elizeri, nuk e harroi dot atë çast, indiferentizmin, dyzimin, frikën ose paaftësinë për të luftuar të keqen në kohën e duhur dhe për këtë shkroi shumë libra.
Më 12 prill 1999, Zonja e Parë, Hillary Clinton e ftoi Vizel, të fliste në Shtëpinë e Bardhë mbi shekullin e XX. Si një shkrimtar i madh, që kishte jetuar Buhenvaldin qysh fëmijë, një aktivist i pashembullt kundër harresës, indiferentizmit dhe përkrahës i popujve të shtypur e viktimave të agresionit ai shprehet: “Gjatë kohërave më të errëta, brenda getove dhe kampeve të vdekjes…. ne u ndjemë të braktisur, të harruar. Dhe ngushëllimi ynë i vetëm i mjerueshëm ishte se ne besuam se Aushvici dhe Treblinka ishin sekrete të ruajtura me kujdes; se udhëheqësit e botës së lirë nuk e dinin se çfarë po ndodhte pas atyre portave të zeza dhe telave me gjemba; Nëse ata do ta dinin, menduam ne, me siguri ata udhëheqës do të kishin lëvizur qiellin dhe tokën për të ndërhyrë. Dhe tani ne e dimë, mësuam, zbuluam se Pentagoni e dinte, Departamenti i Shtetit e dinte….”
SHBA dhe shtete të tjerë qëndruan indiferentë deri në vitin 1944 kur ndërhynë fuqimisht në Europë, duke siguruar përfundimisht fitoren e aleatëve mbi Gjermaninë naziste. Por vonesa për të ndërhyrë në kohën e duhur ose indiferentizmi se kjo nuk është një kauzë e Amerikës, bëri që lufta të merrte dhjetëra milionë jetë njerëzish që mund të kishin shpëtuar, duke zvogëluar dhe vdekjen e milionave hebrejve. Madje Vizel plot guxim dhe me kurajo të rrallë bën një akuzë shumë të rëndë për SHBA. Ai deklaron: “Pse pati një përpjekje më të madhe për të shpëtuar vrasësit SS pas luftës sesa për të shpëtuar viktimat e tyre gjatë luftës?... Është sugjeruar dhe është dokumentuar se Wehrmacht nuk mund të kishte kryer pushtimin e Francës pa naftën e marrë nga burimet amerikane. Si mund të shpjegohet indiferenca e tyre?...” Ai paralajmëron njëkohësisht brezat që do të vijnë se harresa dhe indiferenca ndaj luftërave, vuajtjeve, masakrave, vrasjeve ndaj popujve sidomos ndaj fëmijëve bën që historia të përsëritet.
Bota në shekullin e XX, në një pjesë të madhe pas Luftës së Dytë Botërore u përfshi nga luftëra të përgjakëshme në Vietnam, Kore, Kamboxhia, Indi, Pakistan, Irlandë, Ruanda, Eritrea, Etiopi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Së fundmi edhe në Ukrainë e Palestinë. Në gjithë këto luftëra, ata që e pësuan dhe e pësojnë janë fëmijët dhe njerëzit e pafajshëm. Kur të rriturit bëjnë luftë, fëmijët vriten, gjymtohen, ngelen jetimë dhe e ardhmja e tyre është mjerimi, rruga, krimi, hakmarrja. E vërteta është se nazistët me gjithë pushkatimet, kampet e çfarosjes dhe çdo mjet tjetër që përdorën, nuk arritën ta zhduknin një popull të tërë si ai izraelit.
Sot nuk jemi në kushtet e Luftës së Dytë Botërore, por historia po përsëritet nga vetë hebrenjtë mbi një popull të pambrojtur si ai palestinez. Po hyjmë në muajin e katërt që vazhdon lufta e Izraelit kundër organizatës terroriste Hamas. Sipas agjencive të lajmeve, terroristët në sulmin e tyre vranë rreth 1200 izraelitë të pafajshëm dhe morën mbi 200 pengje, një pjesë e të cilëve është liruar. Shifrat e të vrarëve nga ana e palestinezëve e kalon 22 mijë dhe vazhdon të rritet nga dita në ditë. Hapur kurrkush nuk shprehet për gjenocid (gjenocidi ose popullvrasja, është vrasja e qëllimshme e njerëzve në baza etnike, nacionale, racore, fetare apo politike, si dhe veprime tjera të qëllimshme që shpijen në eliminimin fizik të kategorive të përcaktuara më sipër. Në përgjithësi, ky term përdoret thjeshtë si vrasje masive e qëllimshme e civilëve) por fakti është që për çdo një terrorist të Hamasit atje po vriten dhjetë gra, fëmijë e civilë të pambrojtur.
Nëse teoria e Netanjahut do të vazhdojë të zbatohet, duke vrarë e rrafshuar gjithçka përfshirë gra, fëmijë, civilë të pambrojtur, spitale, shkolla, qendra tregëtare e të banuara në luftën kundër organizatës terroriste të Hamasit, dy gjëra duhet të jenë shumë të qarta: Një popull i gjithë nuk mund të mposhtet e çfaroset as me zjarr, as me hekur, me kampe përqëndrimi dhe bllokada për ujin e bukën. Popujt nuk vdesin e nuk harrojnë kurrë. Këto mësime dalin nga të gjitha luftërat moderne dhe jo modern, veçanërisht nga vetë historia e popullit izraelit.
Hamasi është një organizatë terroriste. Akti i tyre kundër njerëzve të pafajshëm dhe marrja e pengjeve, duhet dënuar jo me rezoluta e artikuj gazete por me të njëjtën mënyrë si me të gjithë terroristët. Por rruga që ka zgjedhur Netanjahu me qeverinë e tij, duke kërkuar të shfarosë e boshatisë Palestinën dhe indiferentizmi ndërkombëtar ndaj masakrave mbi popullsinë civile, është e gabuar dhe pas dhjetë vitesh, ndoshta edhe më shpejt do të kemi luftëra të tjera të përgjakëshme dhe paqja nuk ka për tu vendosur kurrë në ato territore.
Po e mbyll shkrimin me fjalët e Eli Vizel në Shtëpinë e Bardhë më 12 prill 1999: “Të burgosurit politikë në qelitë e tyre, fëmijët e uritur, refugjatët e pastrehë - të mos i përgjigjesh gjendjes së tyre, të mos ua lehtësosh vetminë, duke u ofruar atyre një shkëndijë shprese do të thotë t’i dëbosh nga kujtesa njerëzore. Dhe duke u mohuar atyre të qënit njerëz, ne tradhëtojmë qënien tonë.”
© Gëzim Zilja











