Edi Rama është vetëm “maja e ajsbergut” e një pushteti okult - Nga Klodi Stralla
Propaganda mediatike ka vite që është aktivizuar me kohë të plotë për të na krijuar përshtypjen e rreme se Edi Rama është “…diktatori, njeriu autoritar dhe i gjithpushtetshëm i këtij vendi, që ka në hyqëm të tij të gjitha institucionet e pavarura, përfshi këtu edhe prokurorinë dhe gjykatën speciale, që është ai që loboi për shkatërrimin e opozitës etj, etj”. Për pozitën ai trumbetohet si arkitekti vizionar i Shqipërisë së re europiane të viteve 2030, ndërsa për opozitën anatemohet si demoni që shkatërroi demokracinë, bashkëpunoi me krimin e organizuar, vendas dhe ndërkombëtar, për pushtet e pasurim vetjak, çpopulloi masivisht vendin dhe pa largimin e tij Shqipëria nuk mund të hyje në rrugën e normalitetit dhe prosperitetit.
Pra Rama u shndërrua në kult, në mit, për mirë apo për keq pak rëndësi ka, mjafton të mbetet në hije fuqia që qëndron pas tij.
Po a është vërtet kështu? Unë mendoj disi ndryshe: Rama më shumë i përngjan atij aktorit kryesor të një filmi me metrazh të gjatë, që sigurisht “regjisori” që e ka përzgjedhur ka bërë zgjedhjen e duhur, në funksion të skenarit të shkruar diku gjetkë, shumë vite më pare, mbase në vitet ’43-44 të shekullit që shkoi, kur Enver Hoxha u përzgjodh nga anglezët si personi i duhur për ta drejtuar Shqipërinë e pas luftës sipas skenarit që ata kishin projektuar paraprakisht për këtë vend të vogël ballkanik. “Filmi” vazhdon të mbetet po ai, por puntatat (serialet) dhe aktorët (interpretuesit) ndryshojnë.
Në Histori kurrë nuk ka patur diktatorë vetmitarë që kanë bërë si u ka dashur qejfi (edhe nëse ka patur i kanë vrarë shpejt), përkundrazi, ata kanë qenë sa më jetëgjatë në pushtet vetëm kur kanë qenë përfaqësuesit më të aftë të një “grupimi të caktuar interesi (klani)”, i cili zakonisht qëndron në hije dhe vepron me marionetat e tij publike, politikanët, oligarkët ekonomikë e mediatikë, ushtarakët e karrierës, intelektualët dallkaukë, që i përzgjedh me shumë kujdes dhe i ndëshkon rreptë sa herë ata i dalin nga binarët ose ia do interesi per të rifreskuar imazhin. Partia gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë e sukseshme në monopolin e saj - “politikën e kuadrit”
Pa u prishur kjo strukturë okulte (nuk ka gjasa të prishet edhe për shumë vite), Shqiperia do të vazhdojë të përpëlitet midis realitetit të trishtë dhe imazhit mashtrues, duke u çpopulluar dita-ditës nga ata që e kanë kuptuar këtë realitet por s’kanë as vullnetin dhe as mundësinë ta ndryshojnë atë paqësisht (me votë).
Ky këndvështrim është personal dhe mund të argumentohet me shëmbuj dhe fakte konkrete, por unë preferoj (siç e kam zakon) të bëj vetëm një ngacmim dashamirës për miqtë e mi, pa pretenduar monopolin e të vërtetës.
© Klodi Stralla











