Bujar Osmani dhe sindroma shqiptare e ndërkombëtaromanisë - Nga Enver Bytyçi
Kandidati shqiptar për president në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka bërë një deklaratë, sipas së cilës ai kur ishte kryetar i radhës i OSBE paska hartur një plan prej nëntë pikash për normalizimin e situatës në Veriun e Kosovës.
Nuk ka rëndësi nëse qeveria e zotit Kurti e ka pasur ose jo këtë plan, e ka njohur atë dhe nëse e ka marrë në konsideratë ose jo. Nuk po nisem gjithashtu nga përmbajtja e atij plani, brenda të cilit gjenden kërkesat e presidentit të Serbisë, që Policia e Kosovës të tërhiqet nga Veriu i vendit dhe kryetarët e komunave në këtë zonë të jepnin dorëheqjen, siç tha zëdhënësi i qeverisë. Ajo që më shqetëson ka të bëjë me përhapjen e një lloj ndërkombëtaromanie te liderët dhe politikanët shqiptarë.
Kam besuar se mania e të qenit me famë ndërkombëtare, kontinentale, rajonale ose globale përfundoi te ne shqiptarët pas rënies së sistemit totalitar komunist. Asokohe dy diktatorët e para shembjes së murit të Berlinit, Josip Broz Tito dhe Enver Hoxha, jetuan me fiksionin e të qenit udhëheqës të mëdhenj në përmasat ndërkombëtare. I pari si lider i dhjetra vendeve të Organizatës së të Pa-angazhuarve dhe i dyti, si lider i “Lëvizjes marksiste-leniniste” në botë. Ndërkombëtaromania e dy diktatorëve ballkanas me mentalitet imponimi ishte e dukshme.
Fatkeqësisht kjo prirje egoiste e liderëve dhe politikanëve shqiptarë ka filluar të përhapet dukshëm në kushtet e sotme të epokës së globalizimit. Ndoshta vetë kjo ideologji shoqërohet me miklime të pretendimeve për të rritur kostumin e lidershipit përtej kufijve të shtetit. Ne i njohim miklime të tilla, që presidenti i Serbisë i bënte kryeministrit të Shqipërisë, si “lider global”. Dhe lideri global tentoi të bëhej lider rajonal, kur mori përsipër të përfaqësojë Kosovën në marrëdhëniet me Serbinë e ndarjen e saj. Ose kur deklaroi se ai ishte udhëheqësi i iniciativës “Open Balkan”. Madje edhe sillej si i tillë, kur kërcënonte Kosovën me pasoja, nëse kjo e fundit nuk bëhej pjesë e “Minishengenit” apo Open-it të Sorosit. Në fakt lideri real rezultoi të jetë Aleksandër Vuçiç, i cili tallej me global-lidershipin e Ramës.
Tani na del një tjetër lider megaloman, që duke spekuluar me funksionin e natyrshëm të kreut të OSBE, na paska dërguar një plan prej nëntë pikash për t’i dhënë fund konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Ky është shqiptari i Maqedonisë, Bujar Osmani. Nuk e di nëse në këtë rast ka folur egoja e tij, nëse i është dukur vetja “udhëheqës i madh e global”, por të ndërmarrësh aksione të tilla në dëm të Kosovës, vetëm pse një vit je ndërkombëtar, kjo është e turpshme.
Secili prej nesh mund të bëhet për pak kohë ndërkombëtar. U bë edhe Edi Rama dy herë i tillë, një herë në krye të OSBE, njësoj si Bujari dhe herën tjetër në Këshillin e Sigurimit të OKB. Por u mor me Lavrovin në emër të konfliktit në Lindje të Ukrainës. U mor më pas me Afrikën, Azinë e Ukrainën. Ndërkohë që nuk guxoi asnjë rast të merrej me Kosovën dhe konfliktin e saj, për ta ndëshkuar Serbinë dhe mikun e tij, Aleksandër Vuçiç. Për çudi, me Lavrovin u mor edhe ministri Osmani.
Bujar Osmani me atë projekt prej nëntë pikash më shumë i ndihmoi Serbisë, sesa Kosovës. Në thelb i kërkoi Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti shtetëror e territorial në katër komunat e Veriut dhe të shkelë ligjin kushtetues sa i përket përsëritjes së zgjedhjeve. Fantastike!? Më shumë vlen përkëdhelja e ndërkombëtarëve, sesa interesi ynë kombëtar. Më shumë lavdi sjell të qenit ndërkombëtaroman, sesa atdhetar dhe interpret i interesave të popullit dhe kombit tënd.
Gjithë sa thashë më sipër nuk përkthehet në shndërrimin e liderëve dhe politikanëve shqiptarë në aventurierë antindërkombëtarë. Por para se të mbrosh botën, duhet ta mbrosh pragun e shtëpisë tënde. Ndryshe do bëhesh e do të jesh dordolec në duart e ndërkombëtarëve. Madje do të përdorin edhe armiqtë e popullit dhe kombit tënd. Disa do të qeshin me ty, duke të të kundruar sa i ulët je, kur predikon të bashkkombasit e tu interesat e armiqve të këtyre bashkëkombasve.
© Enver Bytyçi












