Blog

Fragmente të lirisë - Nga Enver Robelli

Si e duam lirinë? Shënime për përvjetorin e 25-të të çlirimit.

1.

Në “Fragmentet angleze” poeti gjerman Heinrich Heine shkruan: “Anglezi e do lirinë si gruan e tij të ligjshme. Ajo është pronë e tij, edhe nëse nuk e trajton me dashamirësi të veçantë, megjithatë në rast rreziku ai di ta mbrojë atë si burrë. Francezi e do lirinë si nusen që e ka zgjedhur vetë. I përulet te këmbët me përbetime të papërmbajtshme. Ai jep jetën për të. Për të bën mijëra marrëzira. Gjermani e do lirinë si gjyshen e vet”.

2.

A thua si e do shqiptari i Kosovës lirinë, 25 vjet pas përfundimit të luftës? Nuk është ende aq e qartë. Ka të tillë që lirinë e shohin si shans për anarki. Ose si mundësi për t’ia ngushtuar lirinë tjetrit. Disa lirinë e shohin si një ëmbëlsirë që duhet shijuar rrugës për në shtëpi, nën shikimet e të tjerëve. Shumica gjithsesi e vlerëson lirinë. Mungesa e frikës i jep shans secilit të zgjedh çfarë do - edhe në pazarin politik. Ky është dallimi thelbësor mes demokracisë dhe diktaturës: në demokraci njerëzit i japin legjitimitet qeverisjes me votën dhe vullnetin e tyre. Në diktaturë vullneti i sundimtarëve duhet të pranohet nga qytetarët. Kush s’e pranon, përfundon në burg. Për një 25-vjeçar në Kosovë kjo sot duket e paimagjinueshme.

3.

Po aq e paimagjinueshme është që 25 vjet pas luftës historia s’është shkruar ende nga historianë kompetentë, të pavarur dhe të gatshëm për një qasje jopërjashtuese ndaj zhvillimeve e furtunave që përfshinë Kosovën sidomos pas vitit 1989. 25 vjet pas luftës ende duket e pasqaruar dilema: kush e çliroi Kosovën? (Ndonëse gjërat janë të qarta si kristali: rezistenca paqësore, kryengritja e armatosur, ndërhyrja e NATO-s). 25 vjet pas luftës propagandistë të kampeve të ndryshme politike janë duke luftuar për t’ia siguruar vetes “vendin e duhur në trapazanin e historisë”. 25 vjet pas luftës ende ka prirje të shfrenuar për të ndërtuar mite e legjenda. 25 vjet pas luftës ende ekzistojnë përpjekje për ta zhbërë tjetrin, për ta fshirë nga historia. Për çka? Kjo është shenjë dëshpërimi sepse një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës i njeh mirë të gjithë protagonistët politikë. Po aq sa ua njeh meritat (nëse i kanë), ua njeh edhe anët e errëta. 25 vjet pas luftës, ende lufta është një kapitull për përplasje politike, poena politikë dhe tendosje muskujsh për përtypjen e historisë. Kur historinë s’e shkruajnë historianët, atë e grabisin sharlatanët. Pyetja e sotme “kush e çliroi Kosovën?” nuk shtrohet për t’i renditur faktet pa paragjykime, por për të zhvilluar beteja të vogla politike për pushtet. E kaluara si burim i grindjeve të përhershme për të ardhmen? Kjo s’është zgjidhja, s’do të duhej të ishte kurrë. Sepse të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë. As nuk përmirësohen gabimet, as nuk lartësohen heroizmat sipas disponimit elektoral apo populist. E vetmja gjë që mund të bëhet është: nxjerrja e mësimeve si nga anët e ndritshme të historisë ashtu edhe nga anët më pak të ndritshme. Nxjerrja e mësimeve nga historia nuk bëhet përmes fiksimeve narcizoide.

4.

Sipas pikëpamjes së filozofit Ludwig Wittgenstein, të cilin disa e konsiderojnë si më të madhin filozof të shekullit 20-të, “filozofia është një betejë kundër shtrigërimit të mendjes sonë nga mjetet e gjuhës sonë”. Mjetet e gjuhës janë të pakufishme. Mund të përdoren për të thënë diçka konstruktive ose për të llomotitur nga trapazani digjital në grazhdin e nëntokës parapolitike. Virtyt nganjëherë (madje shpesh!) është edhe heshtja. Këtë shans nuk duhet ta huqin sidomos ata që në 25 vitet e fundit i kanë thënë të gjitha për t’ia ndërtuar vetes një përmendore për së gjalli.

5.

Liri domethënë të kesh mundësinë të kërkosh fatin pa pengesa - në këtë planet, i cili me 107’000 kilometra në orë sillet në mënyrë eliptike rreth diellit aq të largët. Të jesh me fat, të jesh i lumtur - a është e mundur?

Epikuri, filozofi grek, ishte i bindur se fatlum dhe i lumtur je kur gëzon shëndet e jeton në qetësi shpirtërore, i lirë nga dhimbja dhe i lirë nga frika. “Kush s’vuan nga uria, kush s’është i etur, kush s’mërdhin, mund të matet me Zeusin sa i përket lumturisë”.

Mund të tingëllojnë banale këto fjalë. Më 10, 11 e 12 qershor 1999 - 25 vjet më parë, një çerek shekulli - tingëllonin ndryshe. Të prekshme. Të afërta. Drithëruese. Sepse u ishte shtuar fjala: liri! Në ato ditë kishte filluar diçka që ishte përfundim i një tmerri të nisur më 1912. Nipat e atyre që kishin pushtuar Kosovën 87 vite më parë (një jetë njeriu!), tani po iknin.

Në vitin 2024 mund të pyesim: çka domethënë liri? Për një 25-vjeçar, të lindur në qershor 1999, liri domethënë: me i hyp kerrit e me shku në Itali, në vendin më të bukur në botë. (Gjuha e “standardizuar” nuk e përthekon këtë ndjenjë të shqiptarit të Kosovës, andaj - me i hyp kerrit e me shku në Itali. Dhe me u kthy në shtëpi, si njeri i lirë, pa frikë se në kufi të keqtrajton një polic serb me uniformën më të urryer në botë).

6.

“Të lirë duam të jemi si zogjtë në qiell, të shkujdesur e të lumtur të fluturojmë nëpër jetë”. Mund ta ketë thënë këtë një rrobaqepës në Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë a Gjilan më 12 qershor 1999. E ka thënë rrobaqepësi gjerman Wilhelm Weitling më 1842. Dhe e ka vendosur si moto në librin e tij “Garancitë e harmonisë dhe lirisë”.

Frika nga rreziqet nganjëherë është më e madhe se vetë rreziqet. Ata (rreziqet!) qenë pjesë e shqiptarit dhe shqiptares në shekullin e 20-të. Ata që rrezikuan, meritojnë përulësisht nderimin e përjetshëm. Gjeneratë pas gjenerate. Shekull pas shekulli. Frika kurrë s’ka qenë këshilltar i duhur për të fituar lirinë. Liria kurrë s’mund të jetë udhërrëfyese drejt frikës. Kush ka mësuar të mendojë, atij dhe asaj nuk mund t’ia rrëmbesh lirinë! Le të mësojmë edhe më shumë të mendojmë. Ose shkurt e shqip: me mësu me mendu!

© Enver Robelli - KOHA