Kolumnist

Mbi hajdutët e ideve-Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Kanë një shprehje shqiptarët për të përshkruar një person që ushtron aktin apo “artin” e vjedhjes. Thuhet “Ai/ajo ka dorë”. Kjo frazë është në rregull kur hajduti merr me dorë një objekt që nuk i takon, por si ta modifikojmë këtë shprehje kur hajduti vjedh identitete e luan me to botërisht duke zbrazur andej-këtej gjithë mllefin e akumuluar në jetën prej të vobekti emocional e obezi mendor? Po kur vjedh pronën që është krijuar prej mendimit, ideve, intelektit?

Prej kohësh njerëzit e kanë ushtruar dendur këtë llojin e fundit të marrjes apo përvetësimit pa ditur që kanë kryer vjedhje dhe pa ditur që dikur do të quhej shkelje ligji. Për shembull, janë botuar, publikuar, përkthyer, performuar vepra pa të drejtat e autorit, ose pa u cituar burimi. Nuk mbetet deri këtu. Ka ende plot pronësi intelektuale të papatentuara siç janë krijimet e momentit të njerëzve të mendimit që publikojnë rrjeteve sociale ose tavolinave nëpër takime. Këto momente private e gjysëm publike mund t’u lënë hapësirë për grabitje banditëve të ideve si ditëve me diell ashtu edhe nën ndriçimin artificial në salla pritjesh a konferencash. Por ditët e sotme, kur ca gjëra janë sqaruar dhe ca nuk janë sqaruar mbi pronësinë intelektuale për shkak të vështirësive të sigurimit të provës në raste specifike pronësish, moralisht a mund të tolerohen hajdutët e ideve? Them ideve pasi mendimin përgjatë procesit të të menduarit zor se e vjedhin dot…

Ndodh që poetë a shkrimtarë zbulojnë online shkrime a poezi të tyre të modifikuara pakëz dhe sigurisht me "autorë" të rinj. Ndodh që organizatorë aktivitetesh të vjedhin ide në tavolina bisedash e t’i realizojnë pa i dhënë kredite ideatorit. Ndodh që artistë të paafirmuar publikisht të ndihen të zhvatur prej “Bigëve” ose edhe e kundërta. Ndodh që statuse Facebook-u të rrëmbehen e të përvetësohen e madje edhe t’i bëhet karshillëk autorit ashtu edhe ndjekësve. Gjithashtu ka ca njerëz që pretendojnë të bëjnë media elektronike a print, e më keq akoma kur janë veçse faqe Facebook-u, të cilët e kanë bërë rrugë të vjedhin hapur shkrime, stile a formate prej mediave të tjera duke mos e shtrydhur as atë çik kokërr gruri mendje për të nxjerrë diçka origjinale, ose për të vendosur referencat përkatëse.

Çfarë ndjejnë viktimat/autorët? Zemërim dhe pafuqi për të vendosur të drejtën në vend? Ndoshta. Por ka edhe që ndjejnë mëshirë, sepse si hajdutët e banesave ashtu edhe hajdutët e ideve janë për t’u mëshiruar. Të mos kesh bukë dhe të mos kesh mendim është bazike, themeltare, është për të të qarë hallin. Prandaj hajdutët e mendimeve tashmë të artikuluara nuk dërgohen përgjithësisht gjyqeve, pasi krijuesit e vërtetë kanë zemërgjerësinë e faljes së të vobektëve emocionalë apo obezëve intelektualë në emër të shpërndarjes së dijes.

Në fund të fundit, qëllimi i krijuesve duhet të jetë edhe iluminimi, anipse ky proces gjysëmkryhet përmes vjedhjes.

Ka lexues tani që nuk bien dakord me mëshirën me argumentin se kështu u jepet krah këtyre tipave dhe pas ca kohësh ata hyjnë vërtet në histori a bëjnë karrierë me idetë a krijimet e të tjerëve.

Po, është e vërtetë…! Realiteti ka treguar që u ka ecur. Prej sojit të tyre janë në qeveri, prej sojit të tyre janë në Akademi të Shkencave, universitete, jetë publike, biznese, shoqata, media. Janë kudo. Ndoshta sepse nuk kanë patur në jetë një mësues me emrin “Turp”. (Dihet se turpi edhe pse është një emocion negativ ka efekt të jashtëzakonshëm për të mësuar të drejtën nga e gabuara). Ose janë aq të babëzitur saqë e hanë rregullisht turpin me bukë e madje bëjnë edhe selfie me tavolinën e mbushur e zbrazur në sfond.

Prill 2019

©FlasShqip