Kolumnist

In Verbis Virtus - Nga Arben Kallamata

Nga: Arben Kallamata
Nuk di a ka njeri që mund ta thotë me siguri nëse fjala ‘çlirim’ është thjesht një anomali rastësore e shqipes, apo një nga ato sajesat e rralla, autori i të cilës fshihet me modesti në skutat e historisë, i pasigurt nëse do të hymnizohet apo anatemohet për gjenialitetin e vet.
Sepse dihet mirëfilli që përdorimi i ‘ç’ përpara një foljeje i jep asaj kuptimin e kundërt, si në ‘bëj–çbëj’, ‘armatos–çarmatos’, ‘ekuilibroj –çekuilibroj’, ‘lodhem–çlodhem’ dhe se duke pasur një folje si ‘liroj’, shqipja nuk ka qënë në ndonjë nevojë të ngutshme për të shpikur edhe një fjalë tjetër që të kishte të njëjtin kuptim si ‘çliroj’. Gjë që të bën të mendosh se dalja e foljes 'çliroj’ dhe, për rrjedhojë, edhe e emrit ‘çlirim’ është realizuar, në mënyrë të qëllimshme ose jo–kjo do të mbetet mister i përjetshëm, për të shprehur një kuptim të dyfishtë, një kundërthënie, një dyzim tipik për atë që ndodhi kryesisht në Europën Lindore në atë çast historik kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore.
 
Sepse nuk ishim vetëm ne që ‘u çliruam’. Polakët, që vuajtën aq shumë, u vranë dhe u sakatuan, u shkatërruan nga hordhitë e Hitlerit, e gjetën veten të lirë prej tyre, por të pushtuar nga tanket ruse, për të zëvendësuar kampet e përqëndrimit me gulagët e Siberisë. Të njëjtën gjë panë edhe çekët, hungarezët, e gjithë të tjerët. Çlirimi i tyre pati kuptimin e ‘lirimit’ nga gjermanët dhe të ‘anti-lirimit’ nga rusët.
 
E njëjta gjë ndodhi edhe me ne, pavarësisht se mburremi që asnjë ushtar rus nuk e shkeli vendin. Ne s’kishim nevojë për ushtarë rusë, sepse e vumë vetë vendin në shërbim të sllavëve. Esenca e lëvizjes historike mbeti e njëjtë-po aq sa u lirua nga zgjedha fashiste, vendi u vu në zgjedhën komuniste. Pra fjala ‘çlirim’ i shkon për bukuri asaj që ndodhi.
 
Me një fjalë ne nuk e kemi fare problemin me përcaktimin e asaj që ndodhi–pasi ajo është më se e qartë. Ne e kemi problemin me kuptimin jo si duhet të fjalës 'çlirim’. Po qe se arrijmë ta kuptojmë mirë atë fjalë atëherë do të biem të gjithë në një mendje, të majtë e të djathtë, përpara dhe mbrapa, lart dhe poshtë, brenda dhe jashtë, se ajo që ndodhi në 17 Nëntor 1944 ishte ÇLIRIM i Tiranës. Thjesht është fjala ajo që duhet të rishihet, jo historia.
 
17/11/2019