Kolumnist

Partia Republikane pas Donald Trump, një ripërtëritje demokristiane? - Nga Ernest Nasto

 Dr. Ernest Nasto - Chicago, SHBA

Dr. Ernest Nasto është ekonomist dhe studiues i politikës amerikane. Ai ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe ka nisur karrierën e tij profesionale në po atë fakultet si pedagog i Ekonomisë e Financave Ndërkombëtare. Më vonë ka vazhduar studimet doktorale në Francë duke qenë njëkohësisht edhe pedagog në Institutin e Studimeve Politike, në Aix-en-Provence. Prej më shumë se dy dekadash, Dr. Nasto jeton në Shtetet e Bashkuara (Chicago) dhe punon në sektorin privat, duke ruajtur interes e pasion të veçantë për studimin e historisë, politikës dhe ekonomisë amerikane. Ai është përqendruar sidomos në aspektet e ndikimit të besimit kristian në këto fusha, duke zhvilluar një numër leksionesh të hapura rreth kësaj teme në universitete te ndryshme të Shqipërisë e Kosovës, e duke qenë i pranishëm edhe me mjaft artikuj e intervista në mediat shqiptare. Ernest Nasto është edhe autor i librit Një komb nën Zotin - besimi fetar dhe politika në Shtetet e Bashkuara'', botim i Institutit Shqiptar për Marrëdhënie Ndërkombëtare (AIIS).

Periudha tepër intensive pas zgjedhore në SHBA e sidomos ngjarjet e 6 Janarit në Capitol Hill kanë shtruar mjaft pyetje rreth rolit të ardhshëm të konservatorizmit si ideologji politike në sistemin demokratik amerikan. Aq më urgjente janë pyetje të tilla për votuesit e bllokut më besnik të presidentit Trump, atë të besimtarëve kristianë evangjelikë. Kjo sepse gjatë katër viteve të presidencës së tij e djathta amerikane ka ndryshuar rrënjësisht pamjen, dhe kjo s'mund të mos ketë pasoja për tërë spektrin politik. Padyshim që të dy partitë e mëdha do të duhet të rishikojnë krejt strategjitë e taktikat e tyre mbështetur në rezultatet e zgjedhjeve, por domosdoshmërisht Republikanët si pala e mundur, sepse dihet që qendrimi i humbësve është ai që garanton një vazhdimësi të sukseshme të procesit demokratik.

Për një demokraci të shëndoshë dhe funksionale të dy krahët janë të domosdoshëm, dhe gjendja e njerit ndikon doemos edhe tjetrin. Nëse E Djathta përfshihet nga populizmi skajor, e po ashtu E Majta nga dalldira barazimtariste po aq skajore(1), demokracia vetë do të jetë tepër e cunguar, në mos e shfytyruar.

Për ripërtëritjen e konservatorizmit dhe shmangien e rrezikut të rrëshqitjes autoritare votuesit kristianë janë grupi me rolin më vendimtar në shkëputjen nga trumpizmi dhe rikthimin tek parimet klasike të së Djathtës. Mbështetja e tyre për Trump ishte faktori thelbësor për suksesin e tij, mirëpo shumë nga politikat dhe veprimet e tij publike kanë qenë në kundërshtim të hapur me parimet bazë të besimit e të moralit kristian. Për këtë arsye po shtohen zërat për një rindërtim të së djathtës mbi baza të një vizioni politik demokristian.

Ai vizion luajti rolin kryesor në ndërtimin e demokracive të qendrueshme në Europën e raskapitur të pasluftës, ideuar e zbatuar nga personalitete si francezët Schuman e Monnet, italiani DeGasperi, gjermano-perëndimori Adenauer, etj. Këta shtetarë artikuluan objektivat e Europës së Bashkuar dhe hodhën themelet e arritjes më të suksesshme të kontinentit të vjetër, ku tradita demokristiane vazhdon të përfaqësohet sot nga partitë e grupuara në Partinë Popullore Europiane (EPP) dhe nga liderë si Merkel, Barroso apo Juncker.

Shtetet e Bashkuara, me Planin Marshall, e mbështetën fort procesin e rindërtim-integrimit të Europës, megjithëse nuk nxitën lëvizje të ngjashme në sistemin amerikan. Por duhet theksuar se politikat e presidentit Roosevelt në vitet 1930, të njohura si Marrëveshja e Re (New Deal) kishin frymëzim të qartë kristian dhe ishin përkrahur me entuziazëm asokohe nga votuesit besimtarë (diçka e lënë në harresë nga e djathta fetare moderne). Ndërsa tek fqinji verior, Kanadaja, idetë kristiane ishin nxitja për sistemin e sigurimit shëndetësor universal, ideator i të cilit ishte politikani e pastori protestant Tommy Douglas.

Mbi bazën e kësaj tradite, sado modeste, sot kur konservatorizmi, përkatësisht sistemi politik amerikan, ndodhet në krizë të thellë, po shtohen zërat për një ripërtëritje të krahut të djathtë për Amerikën sipas parimeve që vetë amerikanët kanë predikuar prej kohësh kryesisht për të tjerët.

Demokracia kristiane është një filozofi politike emri i së cilës shpreh saktë thelbin e saj: një formë demokratike e organizimit politik shtetëror, frymëzuar nga parimet e vlerat e besimit kristian. Ajo mbështetet në tre parime bazë, dhe së pari në traditën e dinjitetit të çdo personi, me tipare si paprekshmëria e jetës njerëzore, rëndësia e familjes tradicionale dhe përgjithësisht roli i autoriteteve morale si udhërrëfyes të sjelljes së njerëzve në shoqëri.

Parimi i dytë është kritika morale e kapitalizmit, sepse besimi kristian i kundërvihet materializmit e konsumerizmit, duke inkurajuar njëkohësisht mëshirën për të varfërit e nevojtarët. Kjo premisë ishte baza e sistemeve rishpërndarëse të shërbimeve sociale në Europën (dhe Kanadanë) e pasluftës. Me përjashtim të vendeve nordike, ato sisteme s’ishin krijime të partive socialdemokrate, por atyre demokristiane, sepse në pjesën më të madhe të kontinentit erdhën në pushtet pikërisht këto të fundit.

Dhe parimi i tretë demokristian është përkushtimi ndaj internacionalizmit, mishëruar në përkrahjen e organizatave ndërkombëtare e të bashkëpunimit mes vendeve sovrane dhe në angazhimin për ndihmë vendeve më pak të zhvilluara. Roli i partive e shtetarëve demokristianë në krijimin e Kombeve të Bashkuara, si dhe të regjimit të të drejtave njerëzore në shkallë ndërkombëtare ka qenë absolutisht vendimtar.

Të gjitha këto duken si shumë të ndryshme, bile të largëta, nga drejtimi që ka marrë E Djathta amerikane kohën e sotme. Kjo ve në dyshim nëse një projekt i tillë mund të realizohet në Amerikë, por mbështetja për këto ide po rritet vazhdimisht. Michael Gerson, ndihmës i ish-presidentit G.W. Bush, e ka cilësuar mbështetjen e plotë e të vendosur të së Djathtës fetare për Donald Trump si një zhvillim krejt të jashtëzakonshëm të politikës amerikane prej 2015. S’ka asnjë garanci se votuesit besimtarë do t’i mbeteshin besnikë trumpizmit në prani të një alternative më të mirë.

Janë kësisoj të shumta arsyet se përse një projekt politik demokristian, që ngërthen vlerat sociale konservatore, kritikën e kapitalizmit të parregulluar dhe mbështetjen ndaj internacionalizmit, do të ishte më tërheqës ndaj së djathtës besimtare në krahasim me nacionalizmin populist të markës trumpiane.

Pikësëpari, vështirë të gjesh flamurtar të vlerave konservatore tradicionale më të pazakonshëm e më të largmendshëm se Donald Trump. E kaluara e tij përfshin përkrahjen e abortit, një numër aferash jashtëmartesore, mburrje publike për to, si edhe rryshfete për t'i fshehur. Po ashtu ai kurrë s'pranon se ka bërë ndonjë gabim, aq më pak të shprehë pendim apo të kërkojë falje. Karakteri, retorika dhe sjellja publike e udhëheqësit të botës së lirë në këto 4 vite kanë qenë të tilla që pakkush nga përkrahësit e tij do t'ua ofronte si shembull frymëzimi fëmijëve të vet.

Megjithatë konservatorët, sidomos ata besimtarë, janë shprehur të gatshëm t'i anashkalojnë të metat karakteriale duke i quajtur të parëndësishme krahasuar me arritjet e tyre politike falë presidencës Trump. Më të dukshmet kanë qenë masat ligjore për kufizimin e abortit në një numër shtetesh, transferimi i Ambasadës Amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, dhe emërimi i juristëve konservatorë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Por nga ana tjetër mjaft aspekte të politikave trumpiane ishin haptazi në kundërshtim me orientimet e angazhimet, të paktën ato tradicionale, të së Djathtës kristiane. Kështu vendosmëria e tij për të shfuqizuar një numër masash rishpërndarëse dhe programesh sociale në favor të shtresave të ulta, apo për zvogëlimin e taksave mbi të ardhurat e shtresave të pasura bie ndesh me vlerat kristiane të solidaritetit e të dashurisë për të afërmin. Kështu ai injoron edhe shprehjen më të fundme të konservatorizmit kristian, atë të “konservatorizmit të dhembshur” (compassionate conservatism), mjaft popullore në vitet e presidencës G.W. Bush.

Po ashtu edhe nacionalizmi i skajshëm i Trump nuk përputhet me universalizmin e besimit kristian, një tipar i qenësishëm i këtij besimi, i mishëruar në mbështetjen e besimtarëve evangjelikë për veprimtaritë misionare dhe ndihmat masive amerikane kudo në botë.

Demokracia kristiane si ideologji e praktikë politike tregon qartë se konservatorizmi kristian s'ka arsye të lidhet doemos me populizmin nacionalist. Besimtarët amerikanë munden të përvetësojne shumë aspekte të një praktike të tillë (e cila në fakt ka pasur ndikim edhe në mendimin katolik amerikan), në vend që të jenë gurë shahu për të Djathtën skajore.

Aleanca e dyshimtë e së Djathtës fetare me trumpizmin është dëshmi e injorimit të gabimeve të ngjashme të bashkëbesimtarëve të tyre në Europën e viteve 1920-1930. Konservatorët kristianë në atë kohë, kryesisht katolikët, menduan se populizmi e autoritarizmi laik mund të përdoreshin si mjete për ripërtëritjen e normave tradicionale, përndryshe të mospërfillura nga demokracia liberale. Mirëpo ato aleanca patën pasoja të rënda për vetë konservatorët kristianë, sepse regjimet totalitare të kohës s'vonuan të vinin në listën e armiqve edhe ish-përkrahësit e tyre besimtarë. Kjo për arsyen e thjeshtë se asnjë autoritet moral s'mund të lejohej t'u bëhej pengesë atyre regjimeve në rrugën e konsolidimit të pushtetit absolut. Kjo s’do të thotë që Trump dhe MAGA janë si diktatorët dhe lëvizjet e kahershme djathtiste europiane, sepse kohët kanë ndryshuar dhe autoritarizmi laik ka pasur e do të ketë forma nga më të ndryshmet, por vlera e shembullit qendron.

Fashizmi në Europë u mund ushtarakisht nga forca e armëve aleate, por disfata e tij politike përfundimtare erdhi vetëm me rilindjen epokale të konservatorizmit, të njohur si demokracia kristiane. Ishte përvoja e hidhur e aleancave që përmendëm që detyroi konservatorët të rivlerësonin parimet më themelore të ideologjisë së tyre. Ata mësuan nga praktika që synimi për rritje të ndikimit në politikat e vendeve përkatëse duhej mbështetur në besnikërinë e thellë ndaj ideve të tyre bazë, sepse vetëm ashtu doktrina politike kristiane do të mund të përballej me pushtetin e dhunën e shtet-kombeve moderne. Koncepti më themelor që doli gradualisht në këtë proces ishte ai i dinjitetit njerëzor, i konsakruar edhe në dokumente të tilla si Kushtetuta irlandeze e vitit 1937 apo ajo e Gjermanisë së pasluftës më 1949.

Edhe në Shtetet e Bashkuara një projekt potencial demokristian do të vinte padyshim dinjitetin njerëzor në qendër të proceseve e veprimtarive politike. Ai projekt do t'u jepte mundësi besimtarëve kristianë të votonin me ndërgjegje të pastër “pro” një vizioni politik, e jo vetëm “kundër” siç ka qenë rasti deri tashti (kundër liberalizmit, kundër abortit, kundër imigracionit, etj etj).

Një projekt i tillë do t'u lejonte atyre të përkrahnin politika konsistente pro-jetës, pra përpjekjet për uljen maksimale të numrit të aborteve, duke frenuar sidomos kërkesën për të me masa edukative e programe në favor të nënave. E po ashtu edhe heqjen e dënimit me vdekje, ndalimin i eutanazisë, rritjen e kontrollit të armëve brenda vendit dhe promovimin e paqes e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke lënë luftën vetëm si opsion të fundit.

Projekti demokristian do t'u lejonte votuesve besimtarë të përkrahnin harmoninë ndërmjet aktorëve ekonomikë, punëdhënësve e punëmarrësve, jo thjesht “pro” apo “kundër” sindikatave (unions). Besimtarët do të votonin gjithashtu për qeverisje efektive, e jo për koncepte të tilla si “qeveri e madhe” apo “qeveri e vogël”, të pashpjeguara pothuajse kurrë e të lëna qëllimisht në mjegull.

Një projekt demokristian do të lejonte së fundi marrjen e masave për tkurrjen graduale të rolit të parasë në politikë, duke luftuar korrupsionin e duke rritur besimin e zgjedhësve tek proceset demokratike. Pikërisht përtëritja e besimit në ato procese do të përbënte padyshim mënyrën më të mirë për të larguar rrezikun e autoritarizmit.

Ajo që duhet theksuar është se të gjitha këto janë në përputhje të plotë me parimet e normat e moralit kristian e me doktrinën sociale kristiane, pavarësisht se projekti mund të marrë në praktikë forma e emërtime të ndryshme. Një program serioz i Qendrës së Djathtë do të tërhiqte fort, përveç konservatorëve klasikë të GOP, edhe demokratët e moderuar të rrymës së Biden, Buttigieg e Manchin, të cilët zor të mund të bashkëjetojnë gjatë me skajin majtist të Cortez e të lëvizjes BLM. Apeli i konsiderueshëm ndaj votuesve jo ekstremistë të të dy partive egzistuese do të garantonte suksesin politik të një programi të tillë.

Diskreditimi i përshpejtuar i trumpizmit qysh prej zgjedhjeve presidenciale ka krijuar kushte gati ideale për një ripërtëritje demokristiane të ideologjisë konservatore, por ajo në çdo rast duhet të fillojë nga Republikanët. Kjo ripërtëritje është mënyra e vetme për ta çliruar të Djathtën kristiane amerikane nga pakti faustian me autoritarizmin laik të Donald Trump, si edhe çelësi për një të ardhme të shëndetshme për tërë peizazhin politik të Shteteve të Bashkuara.

=========================================

Lexoni edhe:

https://flasshqip.ca/opinione/kolumnist/4825-kah-na-erdhen-keta-majtista-nga-dr-ernest-nato

©Ernest Nasto