Kolumnist

Kah na erdhën këta majtista? - Nga Dr. Ernest Nasto

 Ernest Nasto - Michigan, SHBA

Dr. Ernest Nasto është ekonomist dhe studiues i politikës amerikane, me banim në Michigan, SHBA. Ai ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe ka nisur karrierën e tij profesionale në po atë fakultet si pedagog i Ekonomisë e Financave Ndërkombëtare. Më vonë ka vazhduar studimet doktorale në Francë duke qenë njëkohësisht edhe pedagog në Institutin e Studimeve Politike - Aix-en-Provence. Prej vitit 1997, Dr. Nasto jeton në Shtetet e Bashkuara dhe ka kaluar në sektorin privat. Ai vazhdon të ruajë interes e pasion të veçantë për studimin e historisë, politikës dhe ekonomisë amerikane, temë të cilës i kushtohet dhe libri i tij “Një komb nën Zotin - Besimi fetar dhe politika në Shtetet e Bashkuara”.

Në një artikull të kaluar në media rreth lëvizjes BLM (1) pata përmendur ndër të tjera edhe bindjet marksiste të tri veprimtareve themeluese të saj. Interesi për marksizmin, dhe majtizmin në përgjithësi, është në rritje jo vetëm në Shtetet e Bashkuara e në Kanada, por edhe në Europë e në vende të tjera perëndimore, siç tregohet nga dalldisja pas “political correctness”, pas rrëzimit të statujave e pas rishkrimit të historisë. Duket sikur krejt Perëndimi është në pështjellim filozofik, e këtu do përpiqem të bëj një analizë të shkurtër të disa ideve që e karakterizojnë atë e të burimeve të tyre filozofike. Ato ide diskutohen gjerësisht si në mjediset akademike, në mediat sociale e në forume politike, ashtu edhe prej turmave laramane të rioshëve që, me grushte ngritur, mbushin rrugët e qyteteve në protesta.

Një karakteristikë e parë e diskursit të sotëm është ndarja e shoqërisë në grupe e kategori të ndryshme, gjithmonë në kontradikta antagoniste që duhen zgjidhur jo me marrëveshje, por me përballim. Ky vështrim u bën jehonë ideve të mikut tonë të vjetër Karl Marksit, të cilat kanë fituar përsëri popullaritet në ditët tona, 30 vjet pas rënies së BRSS e të bllokut komunist të Lindjes. Shumëkush mendoi asokohe se ato ide kishin gjetur vendin e merituar në koshin e plehrave të historisë, gjë që rezultoi të ishte krejt gabim. Disa syresh po dalin sot në pah, e këtu do veçoja sidomos ateizmin e tij dhe idetë për raportet ndërmjet bazës e superstrukturës së shoqërisë.

Baza, sipas Marksit, janë kurdoherë marrëdhëniet ekonomike, ndërsa superstruktura është bota e ideve, me format e veprimet që rrjedhin prej tyre si politika, arti, feja, kultura etj. Të gjitha këto përbëjnë forma tjetërsimi, me qëllimin e vetëm të ruajtjes së paprekshmërisë së bazës ekonomike, dhe njerëzit vazhdojnë të merren me to vetëm sepse janë të pakënaqur me gjendjen e tyre ekonomike. Kështu feja ka si funksion topitjen e mendjes, që masat të harrojnë kushtet materiale (prej ku parrulla “feja është opium për popullin”), e po këtë bëjnë edhe kultura, arti, politika etj.

Roli i intelektualëve marksistë është çarja e perdes së superstrukturës, arritja dhe transformimi i bazës në favor të punëtorëve, pra revolucionarizimi i saj. Kjo bëhet vetëm duke antagonizuar grupet shoqërore, duke e parë historinë si luftë të pashmangshme klasash, njera “shtypëse” e tjetra “e shtypur”, (kapitalistët dhe punëtorët në rastin e kapitalizmit), duke përjashtuar bashkëpunimin e reformimin. Në mënyrë të ngjashme e majta e sotme flet për hedhje poshtë të ideve e të rregullimeve politike ekzistuese, të historisë, të kapitalizmit (2), pa marrë mundimin të shpjegojë se me çfarë të zëvendësohet. Dhe dhuna, në këtë pikëpamje, s’është e rastit, por mjeti kryesor i ushqyerjes së antagonizmit (3).  

Një tipar i dytë i kësaj lëvizjeje është marrëdhënia mjaft e lëkundur me të vërtetën. Përmendet kudo “e vërteta ime”, “e vërteta jote”, “e vërteta e tjetrit (apo e Tjetrit)”, por askund s’flitet për Të Vërtetën, si diçka objektive e absolute ku të gjithë duan të arrijnë. Në këtë det relativiteti, ku askush s’afirmon dot të drejtën bazuar tek e mira dhe e keqja, mbetet veç forca e vullnetit, ose më mirë vullneti i më të fortit. E thënë ndryshe, s’ka më lidhje ndërmjet vullnetit (apo dëshirës) dhe së drejtës, asnjë objektivitet parimesh morale.

Kjo vjen në diskursin e sotëm kryesisht nga Friedrich Nietzche (1844-1900), autori famëmadh i Zarathustrës. Një ide e tij madhore ishte ajo e “vdekjes së Zotit” (“ne e vramë Atë” thotë një personazh tek Zarathustra), që e shtyn kësisoj më tej ateizmin marksian. Pasoja e vrasjes së Zotit, sipas Nietzche, ishte prerja prej filozofisë perëndimore e degës mbi të cilën ishte ulur, sepse baza e gjithë arritjeve të saj në kuptimin e ekzistencës, të së vërtetës, dhe të vlerave morale, kishte qenë kurdoherë ideja e Zotit. Ajo ka shërbyer si bazë e së vërtetës absolute edhe nga ana teologjike (Hebrejtë, Dhiata e Vjetër, Dhiata e Re), edhe nga ana filozofike (Greqia e Lashtë). Nëse s’ka Zot, atëherë s’ka bazë për të vërtetën, dhe kjo zëvendësohet nga perspektivizmi: perspektiva ime është e ndryshme nga e jotja, apo e tjetrit, por ama të gjitha ato janë njësoj të vlefshme. Kështu, në mungesë të normave objektive, s’mbetet tjetër veç vullneti i më të fortit.

Kjo shihet sot edhe në vështirësinë e komunikimit e të pohimit të argumentave në mënyrë të kuptueshme për palën përballë, rrjedhim i mungesës së objektivitetit që thamë. Mediat sociale shërbejnë po ashtu si tribuna deklamacioni, jo arsyetimi, sepse vetë forma e tyre pikërisht atë kërkon: deklamacion, pohim të vetes tënde apo të asaj që ke në kokë, edhe nëse fare pa kuptim e pa bazë arsyetimi. Në fund të fundit zor se janë të shumtë ata që binden të ndryshojnë mendim nga mesazhet e shkurtra në Twitter (apo edhe nga shkëmbimet në Facebook). E në fakt, nëse s’ka të vërtetë absolute, atëherë përse mundohemi kot? E rëndësishmja është vetëm realizimi i vetvetes, pohimi heroik i vullnetit individual (4).

Karakteristika e tretë e progresivizmit aktual është kultura e pohimit dhe rikrijimit të vazhdueshëm të vetvetes: vetëm aspiratat individuale kanë rëndësi, prandaj unë mund të vendos vetë se çfarë seksi (ose më mirë çfarë “gjinie”) jam, çfarë race jam, etj. Zelli për ripohim të vazhdueshëm vetëm të vetvetes na kujton padyshim Jean-Paul Sartre (1905-1980), filozofin e sofistikuar parizian të ndikuar ndjeshëm nga Nietzche. Ai hidhte bazat e filozofisë ekzistencialiste në pamfletin e botuar më 1946 “Ekzistencializmi është një humanizëm”, me parimin themelor se ekzistenca e njeriut si individ i paraprin esencës (ose thelbit).

Ngjashmërisht me superstrukturën marksiane, esenca është krejt bota ku njeriu lind dhe zhvillohet dhe kuptimi tradicional i këtyre koncepteve ka qenë përparësia e saj ndaj ekzistencës. Kjo edhe kronologjikisht, edhe nga rëndësia: në fund të fundit njeriu vjen në botën (esencën) që ka qenë aty prej mijëra vitesh, dhe përpiqet ta përshtasë veten me rregullat e saj. Është pra esenca, me idetë, idealet, moralin, organizimin shoqëror, ajo që kushtëzon ekzistencën, që i thotë individit se çfarë është mirë apo keq, d.m.th. si të jetojë. Por Sartre, gjithmonë bazuar te mohimi i Zotit, shprehet se të gjitha ato struktura s’kanë bazë objektive, prandaj është ekzistenca e njeriut ajo që i paraprin esencës. Individi do zgjedhë vetëm rrugën që sheh ai të përshtatshme, pa ndjekur shembullin e askujt, pa ndjekur atë çka i thotë familja, shoqëria, tradita, morali apo besimi fetar, pa asnjë referencë ndaj këtyre aspekteve të esencës.

Qendra e krejt përpjekjes njerëzore bëhet kështu individi i vetmuar, “i dënuar të jetë i lirë”, sepse meqë ekzistenca është absolutisht primare, atëhere s’mbetet asgjë veç realizimit të saj. Nëse për Nietzche “vdekja e Zotit” hap rrugën për përplasjen e pamëshirshme të vullneteve, për Sartre ajo hap rrugën për të realizuar ekzistencën e vetë individit: unë jam i lirë të vizatoj ekzistencën time tek Asgjëja, ashtu si më duket mua më e mira. Në gjithë këtë mohim të realitetit objektiv të moralit, Zoti, si qenia më e përkryer, shihet si pengesa e fundit ndaj lirisë absolute, prandaj Sartre në ndryshim nga dy të parët, adopton një ateizëm agresiv e militant.

E më në fund veçoria e katërt e lëvizjes majtiste është preokupimi I veçantë me gjuhën, me fjalët, me kontrollin e saj, me qenien politikisht korrekt (5). Kjo lidhet me filozofinë e frëngut tjetër Michel Foucault (1926-1984), më pak i njohur nga të lartpërmendurit, por edhe me ndikimin më të madh në kohën e sotme. Foucault ndërmerr njëfarë “arkeologjie të dijes”, siç quhet edhe një vepër kryesore e tij, duke u përpjekur të zbulojë tërë shtresat e fazat paraardhëse të kuptimit të tanishëm të ideve, pra evoluimin e këtij kuptimi. P.sh. trajtimi i seksualitetit dhe normave përkatëse është shumë i ndryshëm sot krahasuar me Greqinë dhe Romën e Lashtë, e po ashtu trajtimi i kriminalitetit dhe i ndëshkimeve përkatëse, etj, dhe kjo larmi e madhe historike e bën Foucault të ripohojë vendosmërisht idetë nietzcheane të mungesës së moralit objektiv shoqëror.

Ai thekson se arsyeja e ndryshimit të atyre normave janë raportet e forcës, varësisht nga grupi shoqëror sundues. Ky grup do bëjë çmos ta ruajë situatën, do përshtasë edhe botën e ideve, e ç’është më e rëndësishmja, do manipulojë e transformojë gjuhën, mënyrën e të folurit, duke përcaktuar edhe kuptimin e fjalëve (“modes de discourse”). Në shoqëri ka kësisoj një shumëllojshmëri grupesh “shtypëse” dhe “të shtypura” (e jo vetëm dy, si tek Marksi) dhe janë “shtypësit” ata që vendosin, siç thamë, kuptimin e gjuhës. Kemi pra tek Foucault kombinimin e antagonizmit social marksian me theksin që Nietzche vendos tek pushteti e fuqia, dhe me rolin e veçantë të gjuhës e të fjalëve si armë të këtyre të fundit.

Gjurmët e tij në lëvizjen e sotme duken në fjalorin e turmave të “drejtësisë sociale” (woke), mbushur padyshim me kategori të panumërta “të shtypurish” që duhet të jenë doemos antagonistë ndaj “shtypësve” përkatës, me të drejtën (apo moralitetin) gjithmonë në anën e “të shtypurve”, sipas logjikës absurde se sa më “i shtypur” të jesh, aq më lart qendron moralisht. Zezakët “shtypen” kësisoj nga të bardhët, punëtorët nga kapitalistët, femrat nga meshkujt, homoseksualët nga heteroseksualët, transseksualët (ata që kanë ndërruar seksin) nga ata që s’e kanë ndërruar, etj, etj. Për pasojë edhe mënyrat e të folurit përcaktohen nga “shtypësit”: të bardhët, meshkujt, kapitalistët e heteroseksualët, dhe kanë vetëm funksionin e ruajtjes së mbizotërimit të tyre ndaj grupeve “të shtypura” përkatëse.

Këto mënyra të foluri janë më së shumti të pavetëdijshme, prandaj detyra e intelektualit është të demaskojë raportet “shtypëse” dhe padrejtësinë e tyre. Prej këtu edhe preokupimi me pastërtinë e gjuhës, mes diskutimesh pa fund rreth “mikroagresionit”, rreth fjalëve të konsideruara raciste, seksiste, homofobike, etj. E po ashtu edhe përdorimi i konceptit të fshirjes (“cancel culture”), si arma më efektive e kësaj “policie gjuhësore” sui generis, që për nga nivelet e absurdit (6) ngjan sikur ka dalë nga faqet orwelliane të 1984.

Kjo sjell doemos auto-censurën, sepse pjestarët e shoqërisë i druhen hakmarrjes nëpërmjet fshirjes, që s’mbetet vetëm në rrjetet sociale. Ajo shpesh shoqërohet me presione për pushim nga puna të “fajtorëve” (atyre që guxojnë të adoptojnë qasje të ndryshme krahasuar me “vijën zyrtare”), për largimin e tyre nga postet akademike e administrative, siç e tregoi qartazi rasti i profesorit Jordan Peterson në University of Toronto.

Furisë së cancel culture s’i shpëtojnë as ata që lëshojnë padashje ndonjë fjalë, deri dje krejt të zakonshme, por që sot quhet befas “ofenduese”, e kjo s’ka si të mos çojë në zvogëlimin faktik të shkallës së lirisë në shoqëri. Në këtë kuptim lëvizja po shfaq tipare përherë e më totalitare, sepse idealet e barazisë, të kërkuara dikur me të drejtë nga femrat apo zezakët, janë kapërcyer tashmë.

Majtizmi i sotëm nuk po mjaftohet të shpallë thjesht barazinë, por siç e përmendëm, edhe superioritetin moral të “të shtypurve”: femrat qendrojnë a priori më lart se meshkujt, personat me ngjyrë a priori më lart se të bardhët, e kështu me rradhë. Dalin pra në plan të parë jo rekomandime pozitive për përmirësim të shoqërisë, por më tepër nota hakmarrëse, përderisa grupeve të konsideruara “shtypëse” u thuhet pak a shumë të mbyllin gojën, sepse prej tyre s’mund të pritet më ndonjë ndihmesë serioze (7).

Përkundrejt këtyre ideve, morali tradicional kristian, baza e qytetërimit perëndimor, shpall të vërteta objektive me zanafillë tek ekzistenca e Zotit. Morali kristian s’flet për antagonizëm, por për bashkëpunim, dhe është shprehja më e qartë e esencës që mohohet nga Sartre, e prioritetit të saj ndaj ekzistencës. Thelbi i përpjekjes njerëzore s’është pohimi e ripohimi i lirisë personale të individit, i qenies së tij mikroskopike, por përkundrazi përshtatja me vlerat morale e intelektuale jashtë e përtej vetes. Nëse ato vlera hiqen, atëherë mbetet veç egoja e mjeruar, soditja e kërthizës, dhe mërzia pa fund. Dramat e vlerave universale janë padyshim më tërheqëse se dramat e egos vocërrake, ato s’e kufizojnë lirinë individuale, përkundrazi e përforcojnë dhe shumëfishojnë atë.

Në përfundim mund të themi se idetë filozofike, siç e pamë, kanë pasoja praktike e s’janë të destinuara vetëm për diskutime në “kulla të fildishta” ndërmjet filozofësh profesionistë. Prandaj edhe njohja e origjinës së ideve “të reja” dhe rivendikimi i vendit të moralit tradicional janë kësisoj të domosdoshme nëse qytetërimi Perëndimor synon ta kalojë pështjellimin aktual e të dalë prej tij i ripërtërirë.

====================

1) https://peizazhe.com/2020/10/01/polarizimi-politik-permes-blm/

2) https://infed.org/mobi/naomi-klein-globalization-capitalism-neoliberalism-and-climate-change/

3) https://thehill.com/opinion/criminal-justice/516947-why-democrats-must-confront-extreme-left-wing-incitement-to-violence

4) duhet theksuar se edhe e djathta e sotme e përqafon me zell relativizimin e së vërtetës, siç dëshmohet qartë nga prania e dukurisë Trump në politikën amerikane, me tërë sulmet ndaj së vërtetës dhe fakteve, duke krijuar, sipas një batute të famshme, një tërësi “faktesh alternative”.

5) https://spectator.us/rise-left-wing-language-police-hirono-sexual-preference/

6) https://www.lefigaro.fr/flash-actu/jadot-eelv-pas-d-accord-avec-les-propos-d-alice-coffin-mais-ne-les-condamne-pas-20201005

7) e tillë është fryma e veprave të “ideologëve” të lëvizjes në fjalë si Robin DiAngelo, Ibram Kendi e të tjerë.