Kolumnist

Ja pse kërkesa për dorëheqjen e Bashës është irracionale - Enver Bytyçi

Enver Bytyçi

Sapo u njoftuan rezultatet paraprake të votimit të 25 Prillit zëra brenda dhe jashtë Partisë Demokratike kërkuan dorëheqjen e kryetarit të kësaj partie, zotit Basha. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Kjo krijoi menjëherë atë që quhet kakofoni. Disa drejtojnë akuza të ndryshme kundër zotit Basha dhe të tjerë drejtojnë akuza kundër zë-ngritësve. Dhe zërat përphapen përmes medies. Zërat anti-Basha i përhap media e Edi Ramës, madje me një shpejtësi marramendëse. Ndërsa zërat pro-Basha nga mediet e pakta e të pakapura.  Mediet e qeverisë promovojnë çdo kritikë ndaj kundërshtarëve të kryeministrit e ndërkohë nuk u japin zë kritikave kundër këtij pushteti të pakufizuar e arrogant të ekzekutivit shqiptar! Prandaj shtohen kritikët e opozitës!

Kërkohet dorëheqja e kreut të opozitës. Ok! Po dorëheqja është një vendimmarrje jo aq e lehtë, sa e bëjnë dhe e kërkojnë kundërshtarët e tij! Edhe marrja e një vendimi të thjeshtë ordiner kërkon një studim, një analizë, një hulumtim. Shumë kujt i duket gjë e thjeshtë të marrësh vendimin për dorëheqje nga një pozicion i tillë, aq më tepër në situatat kur vendin e qeveris një diktaturë. Por nuk është ashtu.

Karakteristika themelore e vendimmarrjes është racionaliteti. Nëse nuk ka racionalitet e logjikë juridike dhe politike në vendimmarrjen e kryeministrit të vendit dhe mazhorancës, kjo nuk do të thotë se të gjithë politikanët e këtij vendi duhet të çmenden dhe të mos i përmbahen këtij parimi themelor.  Të jesh racional në vendimmarrje do të thotë të vendosësh për të vendosur. Por që ta bësh këtë duhet identifikuar problemi, dështimi, shkaqet e tij, pengesat objektive e subjektive, rrethanat, aktorët e brendshëm e të jashtëm. Duhet kohë. Më pas duhen analizuar në mënyrë racionale pasojat, ndikimet, impakti. Pra askush, në rastin konkret as zoti Basha, nuk mund të merret me këtë pjesë pa përcaktuar se cila është plaga e vërtetë e zgjedhjeve të 25 prillit, pa identifikuar ndikimin e ndërhyrjes së aktorëve të brendshëm e të jashtëmn në këto zgjedhje.

Mundësia e parë dhe më racionalja do të jetë angazhimi i demokratëve për të deligjitimuar zgjedhjet e 25 Prillit përmes fakteve dhe provave të pakundërshtueshme. Besohet se të tilla ka me shumicë. Këtë libër manipulimesh e shkeljesh ligjore në procesin zgjedhor mund ta përgatitë vetëm kryetari aktual, sepse asnjë pasues i tij nuk e njeh në detaje fushatën as nuk ka interes sa ai për ndriçimin e të vërtetës.

Po atëherë pse shpërtheu "zemërimi" i demokratëve të pakënaqur kundër kreut të partisë? Ka mundësi që pushteti i kryeministrit të jetë angazhuar përmes mjeteve të informimit publik për denigrimin e figurës së zotit Basha, me qëllim që ta ndalojë këtë proces të identifikimit të manipulimit të procesit zgjedhor. Së paku kryeministri e dëshmon këtë në sjelljet e tij politike. Disa prej kritikëve mund të jenë nxit nga kjo. Sigurisht jo të gjithë. Duhet ta pranojmë se në moment zhgënjimi për humbjen, dikush ose disa ta shohin problemin te kreu i opozitës! Edhe kjo është logjike. Por nuk është logjike ngutja!

Identifikimi i shkeljeve në procesin zgjedhor është çelësi i analizës dhe vendimmarrjes si për dorëheqjen e kërkuar, ashtu dhe për aksionet politike të radhës. Vetëm pasi të bëhet kjo, mund të shtrohen ose jo kërkesa të tilla. Dhe vetëm pasi të jetë mbyllur dosja e manipulimit mund të kalohet në një diskutim për vendimmarrje të tjera, midis tjerash edhe për dorëheqje ose jo, të drejtë të cilën e ka vetë zoti Basha. Ai duhet ta ndjejë vetë përgjegjësinë dhe shkallën e saj. Ndërkaq kjo dorëheqje bazohet edhe në analizën e gabimeve të tij. Deri tani asnjë kundërshtar nuk ka bërë vërejtje për modelin e fushatës elektorale të kryetarit të Partisë Demokratike. Ndërkaq është jo-racionale dhe e pamfjaftueshme të thuash se "Nuk fitove, ik"!  Për mua do të ishte i mirëpritur cilido që e çon PD-në në fitore përballë një regjimi! Dhe kjo mund të bëhet në zgjedhjet e radhës.

Në metodikën e marrjes së vendimeve pas identifikimit të problemeve duhen shtruar në tavolinë zgjidhjet alternative. Jo vetëm në kuptimin e dorëheqjes ose jo. Por edhe në kuptimin e aksionit politik. Pra i duhet dhënë përgjigje pyetjes: Cila është zgjidhja më e mirë? Eshtë e lehtë që me një arsyetim empirik të rekomandosh si zgjidhje dorëheqjen e kryetarit Basha. Ndërkohë një analizë dhe vendimmarrje racionale kërkon përgjigjen e shumë dilemave. P.sh. a ishte fushata elektorale dhe aleancat e opozitës të dobishme dhe me performancë të lartë? Shumica thonë se po. A krijoi frymë kjo fushatë? Deri diku e pamë atë. Cili ishte roli i kreut të opozitës dhe çfarë duhej bërë më mirë në këtë fushatë?  Duhet vlerësim dhe analizë.  Pasi ta kesh bërë këtë analizë, atëherë mund të gjykohet shkalla e përgjegjësisë së secilit, përfshirë dhe kryetarin e Partisë Demokratike. Mbi këtë bazë gjykohet nëse duhet ose jo dorëheqja.

E zemë se shumica në kryesinë e partisë mendojnë se përgjegjësia e zotit Basha duhet të çojë te dorëheqja e tij. Përsëri ka disa dilema tjera. P.sh. nëse një lider i ri do ta ketë kohën e nevojshme të riafirmohet brenda një kohe të shkurtër për të përballuar regjimin në pushtet në përballjen elektorale për pushtetin lokal?! Nëse tjetri që vjen është një figurë që i bashkon më shumë demokratët dhe popullin opozitar, apo ndodh e kundërta?! Nëse ka ose jo alternativë të ndryshme të opozitarizmit dhe cila është ajo? Madje cili do të ishte efekti, impakti i të dy alternativave opozitare. Në fund zgjidhet alternativa më e dobishme dhe bartësi i saj, qoftë ky ose jo Lulzim Basha. Por nuk ka asnjë logjike që të ngrihesh në mëngjes, të fërkosh sytë në ekranin e televizionit kur sheh rezultatin zgjedhor dhe të kërcesh pupthi duke bërtitur "Erdhi dita t'i lajmë hesapet me Lulzim Bashën"!

Aksionet e sotme kundër kreut të Partisë Demokratike i shoh më së paku si akte të papërgjegjshme dhe të dëmshme për opozitën. Ato thjesht lehtësojnë pozitën dhe përgjegjësinë e Edi Ramës në raport me zgjedhjet e 25 Prillit, por kurrësesi nuk çojnë në një zgjidhje dhe vendimmarrje racionale e logjike. Partia Demokratike duhet ta dallojë edhe më tej edhe më tej nga qeverisja irracionale, jo logjike dhe arrogante e Rilindjes.

©Enver Bytyçi