Globalizmi, përballë nacionalizimit të ekonomisë kombëtare - Nga Arben Braçe
Sot njerëzve që kanë dalë në protestë për uljen e çmimeve jetësore u thuhet me dashakeqësi, se me revoltën e tyre, s’bëjnë gjë tjetër, veçse qëllojnë me grushta në fytyrën e vet, pasi tashmë nuk bëhet fjalë për drejtësi, por për mbijetesë si shoqëri, për ekzstencën e tyre dhe të fëmijëve të tyre në kohë lufte. Askush nuk merr kurajën të thotë se në Shqipëri nuk prodhohet asgjë dhe as kryeministri, as ortakët oligarkë, nuk kanë mundësi t’i shtrijnë duartë më thellë se limitet e tatimit dhe të akcizës shtetërore, sepse çmimi i produktit vendoset paraprakisht në tregjet e tronditura të konkurencës globale prej luftës në Ukrainë dhe krizës së papërfunduar të Pandemisë Globale.
Në muajt e ardhshëm, Shqipëria dhe e gjithë Europa, si pasojë direkte e luftës në Ukrainë dhe sanksioneve izolacioniste mbi Rusinë, pritet që të përballen me një krizë më të thellë ushqimore, veç asaj të karburantit, plehrave bujqësore dhe energjisë. Padyshim, që një krizë e tillë, do të ndjehet më shumë se kudo në Shqipëri, sepse jemi pothuaj i vetmi vend në Europë, që nuk prodhojmë asgjë, duke filluar që nga produktet ushqimore, por edhe nga ato industriale, për të mos thënë për produktet e naftës të cilat i kemi lënë peng të korrupsionit politik, por edhe ato të energjisë, të cilat i kemi shndërruar nga pasuri rentabël në diktaturë, në pasuri “difiçitare” në ekonominë e tregut.
Bordi i posaçëm shtetëror, që është duke ngritur qeveria për monitorimin e çmimeve të shportës, dhe paketat e rezistencës sociale, dhe qeveria e të gjithë atyre të rinjve të paprovuar as në pushtet, por as edhe në mbajtjen e familjes së tyre me bukë, natyrisht që nuk do të kontribuojnë në asgjë, sepse qeveritë tona në të gjithë vitet e gjata të tranziconit nuk kanë pasur asnjëherë strategji të qarta për zhvillimin e ekonomisë vendase, por kanë ecur për inerci në rrugën me dredha që u ka diktuar ekonomia arbitrare e tregut dhe konkurenca globale, e cila tashmë është futur në problemet e veta dhe po kërkon rrugëdalje.
Në kushtet që na paraqiten, kur produktet kryesore jetësore, sikurse miellin, naftën dhe energjinë i eksportojmë nga Rusia dhe Ukraina, duhet të mbajmë në konsideratë, që të prekur direkt nga globalizmi, do të jenë industritë e eksportit, pikërisht këto lloj industrish, në të cilat jemi të fundit në Europë dhe pavarësisht deklaratave nuk kemi as rezerva të konsiderueshme shtetërore.
Shqipëria sikurse në paqe, por edhe në kohë krize ka qënë përherë e përjashtuar nga gara globale. Nuk është rastësi që pjesa më e madhe e tregëtisë botërore kryhet mes vendeve të industrializuara, sepse vetë globalizmi u shërben të fortëve. Globalizmi që në fillesat e tij, ishte i kërkuar dhe u zbatua nga njerëz që besonin se konkurenca ndërkombëtare është më e përshtatshmja për pasurimin e njerëzimit dhe kapitali mund të vendosej vetëm aty ku kushtet të ishin optimale dhe ku joshnin rendimentet më të larta, me mendimin, se fshikulli i konkurencës globale, do t’i nxiste njerëzit në arritje të paimagjinueshme, pasi një treg global shpërblente më të zellshmit. Por lufta në Ukrainë dhe sanksionet izolacioniste mbi Rusinë, na kanë vënë para kushteve në të cilat, nëse nuk ndërtojmë strategji nacionale, nuk do të mundemi të mbijetojmë. Kriza e sotme e globalizmit, padyshim që më shumë nga të gjithë do të dëmtojë vendet e varfëra, që nuk prodhojnë asgjë, dhe që deri tani, kanë mbijetuar nga krahu i lirë i punës dhe nga remitancat e emigrantëve.
Deri në ditët e sotme, mbipesha e një ekonomie të globalizuar mbi politikën që operon në hapësira kombëtare është bërë aq shtypëse sa politika, edhe nëse do të donte, nuk do të kishte fuqi të kthente mbrapsht atë që vetë ka vënë në lëvizje për vite të tëra. Deri para se të ndodhte kriza e Pandemisë Globale dhe lufta në Ukrainë, globalizmi ishte parë si një armë superiore kundër së cilës nuk është shpikur ende asnjë kundërarmë dhe disa janë ende të mendimit se është arma ultimative e absolute. Në këto kushte, hapësira e vendeve nacionale për të bërë politikë është tkurrur tërësisht karshi globalizmit, dhe e ka lënë sovranitetin në duart e tij.
Por sot kriza e pandemisë, si dhe lufta në Ukrainë, janë bërë mësime për shumë vende të cilat kanë përgjegjësinë e mëkëmbjes së ekonomisë dhe gjetjen e rrugëve të përshtatshme demokratike për daljen nga kriza. Çmimet e naftës dhe të energjisë elektrike pritet së shpejti, që të prekin maja të paparashikueshme dhe natyrisht, ajo që do të falimentojë e para do të jetë ekonomia jonë e dobët kombëtare. Kërcënimi i përhapjes së luftës edhe në vendet e Ballkanit dhe më pas në Europë, do të sjellë kriza dhe situata të paparashikueshme të cilat do të prodhojnë kriza të rënda urie masive dhe skamjeje, të cilat do të kërcënojnë monedhën kombëtare, dhe nuk mund të tejkalohen me borde të posaçme naivësh dhe paketa të rezistencës sociale.
Konkurenca globale do të vazhdojë për një kohë të gjatë të mbështesë vendet e forta ekonomikisht, por mësimet e Pandemisë Globale dhe lufta në Ukrainë, duhet patjetër të na detyrojnë, që të gjejmë rrugët e duhura, për të investuar në ekonominë kombëtare, fillimisht në prodhimin e produkteve bujqësore, sikurse gruri dhe perimet dhe bashkë me këto prioritete, brenda një kohe të shkurtër të vëmë në efiçencë ekonominë e naftës, atë të energjisë elektrike dhe atë alternative. Kriza globale padyshim që duhet të prodhojë impulse të reja edhe për politikën tonë e cila kurrë nuk pranon të mësojë nga gabimet e veta dhe ajo duhet domosdoshmërisht të gjenerojë një forcë të re nga frika e së tmerrshmes.
Vënia në efiçensë e ekonomisë bujqësore, është një sfidë, që politika akoma nuk e merr përsipër. Popullsia fshatare në kundërshtim me atë që ndodh në vendet fqinje sikurse, Maqedonia e Veriut, Kosovë, Mali i Zi etj., i ka hyrë rrugës pa kthim të emigracionit dhe ka gjetur veten duke u punësuar në institucionet shtetërore në këmbim të shitblerjes së votës, deri në forumet e larta të saj dhe nuk ka asnjë lloj interesi të punojë tokën dhe të verë në efiçencë ekonominë e vogël bujqësore.
Mbjellja e grurit është është harruar si proces prej fshatarit dhe nëse merr kurajën ta pyesësh se pse nuk e mbjell tokën me grurë, të paraqet një sërë vështirësish se si kjo kulturë është jo rentabël dhe del shumë më lirë që të blihet në bursat ndërkombëtare, se sa të rropatesh arave të copëtuara. Por problemi që shtrohet sot, ka të bëjë pikërisht me prishjen e këtij tregu dhe të balancave politike, të cilat detyrimisht mund të na çojnë në kriza urie dhe vetëm atëherë do të mbledhim mendjen dhe të kuptojmë se çfarë kemi bërë.
Ajo çka na detyrojnë kushtet e kohës sot, ka të bëjë me sigurimin e mbijetesës dhe të mos mbetemi skllevër të çfarëdo lufte grabitqare dhe pandemie globale, që fare mirë mund të na kërcënojë herë pas here dhe që synon pasurimin e një grushti oligarkësh ndërkombëtarë dhe shkeljen me këmbë të atyre, që nuk dinë të qeverisin, të analfabetëve të demokracisë.
Politika e duhur nuk zhvillohet vetëm aty ku ka një kushtetutë, por aty ku gjehen rrugët e duhura në përshtatje me kushtet që ofron koha. Për të gjithë ata, që me shumë të drejtë shpresuan tek globalizmi, koha po na tregon se ai është një revolucion pasojat e të cilit askush nuk dëshiron t’i parashikojë dhe që të gjithë po mbahemi fort pas një ideologjie, që është, po aq e papjekur sa marksizmi. Pas një ideologjie e cila e konsideron veten si fundi dhe kapërcimi i të gjitha ideologjive e që ka aftësinë për t’i bërë njerzit të veprojnë në një mënyrë të caktuar.
Të gjithë studjuesit e globalizmit prej kohësh theksojnë se globalizmi mund të shkojë mirë, vetëm po qe, se një polici ndërkombëtare financiare, e armatosur me miliarda dollarë, është 24-orë rresht e gatshme të ndërhyjë. Por agresioni rus, i cili nuk mori në konsideratë as sanksionet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Statusit të Romës, as presionin e bashkuar dhe saksionet ndërkombëtare, po na tregon se një gjë e tillë, nuk ka shanse të ndodhë. Prandaj, megjithëse në bisht të kohës, energjitë politike duhet të mbështeten në fuqizimin e ekonomisë kombëtare me të cilën mund kemi një globalizëm akoma më të fortë.
©Arben Braçe - 18 Mars 2022











